E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Edi Rama dhe Vasilika Hysi, dyshja e lodhur e politikës ylberiste

Deputetja e Partisë Socialiste e ardhur nga radhët e “të pavarurve” të të ashtuquajturës shoqëri civile, Vasilika Hysi, ka deklaruar se Kryeministri Berisha ka pranuar rëndësinë e hetimit të kutive të votimit dhe se do i hapë ato. Loja e buratinove socialistë që në mungesë të kryetarit të tyre, njëlloj si në fushatën elektorale që nuk la bashkinë dhe i la në baltë, mundohen të mbajnë të karikuar besimtarët e vet që sa vijnë e pakësohen, po bëhet dëshpëruese. Në vend që të përgjigjen me ndershmëri se ku e kanë kryetarin e tyre dhe përse ai vazhdon të lerë vetëm PS-në në këtë gjendje të mjere, deputetët e pandershëm socialistë këmbëngulin tek pamfletet e tyre të dala boje. Informacionet e rezervuara brenda Partisë Socialiste thonë se Edi Rama i ka premtuar ta bëjë Vasilika Hysi nënkryetare të partisë, një post që ia ka premtuar edhe te Mimi Kodheli. Kjo përben një indicie që deputetja Hysi të jetë më e gatshme për të shpikur deklarata të bujshme që përgënjeshtrohen nga zhvillimet politike dhe qëndrimet e kryetarit të mazhorancës. Duke qenë e shqetësuar vazhdimisht për të drejtat njerëzore dhe humane, Hysi pas karikimit për të marrë vendin e zëvendës kryetares së PS-së, është bërë palë me dhunuesin e grave të tij, bashkëshorteve apo të dashurave, pa dallim. Ambicia e përhershme e papërmbajtur për pushtet e ka detyruar më së fundi Hysi që të flijojë emrin e madh të shoqatës që drejtonte ndër këmbët e Edi Ramës dhe që në atë moment të tregonte fytyrën e vërtetë. Për të qenë më afër kryetarit të saj thuhet gjithashtu se ajo ka qenë konsulentja kryesore e bllokmenit të ri që gatoi një paçavure të vërtetë me anë të së cilës kërkon referendum popullor për hapjen e kutive. Kjo marrëzi e padëgjuar mban firmat e vetëm 12 njerëzve ndërkohë që minimalisht kërkohen 50 mijë të tilla, që në fund të fundit duhet të realizojnë edhe një procedurë të caktuar ligjore. Megjithatë pavarësisht të gjitha fenomeneve donkishoteske që mbledh këto muajt e fundit PS-ja, deklaratat e Hysit për rikthim te çështja e kutive përbëjnë provën e mosmiratimit nga socialistët të vendimeve të Parlamentit Europian dhe për rrjedhojë shkeljen e të gjitha normave të etikës së vendosur mes mekanizmave të huaja dhe politikës shqiptare. Vasilika Hysi duke shpresuar se do mbështetet ndoshta nga donatorët e saj të katapultimit në politikë, ka deklaruar se Kryeministri Berisha do hapë kutitë duke mashtruar vetveten, ndërkombëtarët dhe shqiptarët. Llogaritë e Hysit tregojnë se ajo është person gati gati e varfër pa përkrahje pa të ardhura dhe pa shpresë ekonomike,por e njëjta gjë ndodh edhe me kryetarin e saj Rama. Në fakt është e vërtetë se Vasilika Hysi ashtu si edhe Edi Rama, sido që të jenë, në këmbë apo me role të përmbysura, pa pasur rëndësi se kush është i pari e kush e dyta, pa hyrë në detaje të marrëdhënieve politike e partiake mes klaneve që përfaqësojnë, nuk kanë të ardhme. Kjo për faktin e thjeshtë se të dy bashkë janë shumë të plakur politikisht, por edhe fizikisht për të përballuar ritmin e një Shqipërie pa viza e që ndryshon çdo ditë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›