Kryeinspektori i arrestuar, prokuroria heton mënyrën e rekrutimit në Policinë e Shtetit
Një punonjës i Policisë së Shtetit, i arrestuar dy ditë më parë për afera korruptive, ka qenë “xhepist”. Faktet skandaloze janë zbuluar nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka filluar një hetim të plotë për rekrutimin e tij në radhët e Policisë së Shtetit. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se agjenti i krimeve, Besnik Preni, para se “të vishej” polic, ka qenë me dosje gjurmuese, pra ka qenë kontingjent krimi. Sipas të dhënave nga prokuroria, Prini kryente “profesionin e xhepistit”, ndërsa më pas, në mënyrë të dyshimtë, e ka parë veten me një uniformë policie.
Burime nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës thanë se, krahas dokumentimit të aferës korruptive me vjedhësit, po hetojnë disa persona në Policinë e Shtetit për rekrutimet. Hetimi ka filluar kryesisht dhe në ditët e ardhshme do të merren në pyetje personat e parë.
Prokuroria e Tiranës ka filluar tre muaj më parë një hetim për bashkëpunimin midis dy punonjësve të policisë me xhepistët. Denoncimi i një qytetari i ka mjaftuar SHKB-së dhe prokurorisë për të filluar procedimin penal, ndërsa dy agjentët e policisë mbaheshin nën vëzhgim. “Tre muaj më parë, një qytetar u paraqit pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për të denoncuar bashkëpunimin e punonjësve të policisë me disa vjedhës. Në këtë hark kohor kemi mbajtur nën vëzhgim agjentët e policisë. Nga informacionet e marra nga të dhënat operative, kemi mësuar se dy agjentët e krimeve, Preng Frroku dhe Besnik Preni, bashkëpunonin me disa persona kontingjent krimi. Madje kemi dokumentuar dy raste ku Frroku dhe Prini merrnin nga ‘xhepistët’ shuma në lekë”, thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, personat me precedentë kriminalë u “paguanin” për çdo muaj agjentëve të policisë rreth 30 mijë lekë. Shuma ndahej përgjysmë, ndërsa aktiviteti i tyre kriminal vazhdonte.
Dy inspektorë të Seksionit të Krimeve Kundër Pronës në Komisariatin Nr.3 të Tiranës u arrestuan dy ditë më parë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, me akuzën e korrupsionit. Përgjimet telefonike kanë zbuluar përfshirjen e dy punonjësve të policisë në afera korruptive me persona me precedentë penalë dhe që kryenin vjedhje në territorin e kryeqytetit. Në harkun kohor të disa muajve, agjentët e policisë kanë “shpëtuar” nga prangat disa persona që kryenin vjedhje në Tiranë, madje edhe me precedentë të mëparshëm penalë. Prokuroria thotë se Frroku dhe Preni, duke pasur kontakte me personat që kryenin vjedhjet, merrnin fitime mujore.
Akuza e ngritur ndaj dy punonjësve të policisë është “Korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”, pasi kanë toleruar hajdutët. Dy ditë më parë, sipas burimeve nga njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, Preng Frroku dhe Besnik Preni po “paguheshin” nga xhepistët dhe menjëherë sapo kanë marrë shpërblimin, janë arrestuar në flagrancë, së bashku me shumën e fituar prej 30 mijë lekësh.
#