E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodi zihet me Seldin: Më flet me nënkuptime

Kanë qenë të shpeshta rastet që Klodi dhe Seldi kanë debatuar me njëri-tjetrin, për shkak të fjalëve me të cilat ata komunikojnë. Klodi është i fyer që Seldi e ka quajtur llafazan në sy të të gjithëve, ndërsa as njëri dhe as tjetri nuk tolerojnë

Dy klipe që “Vëllai i Madh” i kishte përgatitur posaçërisht për banorët janë bërë shkas që brenda shtëpisë të diskutohet për të drejtat themelore të njeriut, si dhe për lirinë e fjalës. Secili prej tyre ka dhënë mendimet e veta, ndërkohë që në shtëpi nuk kanë munguar edhe zënkat.

Debat për vlerat kombëtare

Pasi ka ngrënë drekë, Klodi ka kërkuar që të bashkohen të gjithë banorët dhe të diskutojnë për një temë. Klodi thotë se atij i ka bërë shumë përshtypje kur ka qenë diku në Shqipëri, në një treg ku shiteshin sende antike tradicionale me vlerë. Ai thotë se është bërë shumë nervoz kur ka parë disa të huaj që blinin këto sende, që prezantojnë kulturën e hershme shqiptare, ndërkohë që është shumë e rëndësishme që këto sende me vlerë mos të dalin jashtë vendit, por duhen ruajtur me fanatizëm. Erioni ndërhyn dhe thotë se transportimi i sendeve me vlerë dhe shitja e tyre dënohet me ligj dhe se Klodi duhet të ketë parë imitime dhe jo origjinalet. Kika shprehet se duhet bërë një ndarje mes punimeve individuale dhe sendeve të siguruara në sajë të kërkimeve arkeologjike. Klodi thotë se ai e ka fjalën për harta qindravjeçare të zonave të ndryshme dhe këto nuk ka pse t’i marrë një i huaj. Mandi shprehet se kjo i duket diçka e mirë, pasi do të thotë që kultura po hapet dhe po studiohet edhe nga të huaj. Domenika ndërhyn dhe thotë se nëse diçka u përket vlerave tradicionale dhe të hershme të kombit duhet të jetë shteti ai që duhet t’i blejë e të kujdeset për to. Kika shprehet se në Kosovë është një krahinë ku zhvillohen gjithmonë ankande me mjete artizanale dhe janë kryesisht të huajt ata që i blejnë këto produkte. Domi u thotë që ajo di një fakt real, që një peshkatar në Vlorë ka gjetur një vend me sende antike në det dhe pasi i merr, ua shet italianëve dhe normalisht që kjo është e jashtëligjshme. Miri fillon t’u tregojë që në vitet e trazirave në Shqipëri janë shkatërruar shumë objekte, duke përfshirë edhe muzetë dhe Erioni e ndërpret duke i thënë që tashmë të gjitha po kthehen mbrapsht. Mandi thotë se këto janë fakte që i dinë të gjithë dhe nuk kanë pse t’i përsërisin. Domi dhe Klodi përgjigjen që ata nuk i dinë këto fakte dhe duan t’i dëgjojnë.

Problemet e shoqërisë shqiptare

Banorët diskutojnë edhe për problemet kryesore të qytetarëve shqiptarë. Ata flasin për nivelin e lartë të papunësisë, nivelin e ulët të pagave dhe pensioneve, nivelin kulturor etj. Ata debatojnë me njëri-tjetrin për mospërputhjen e mendimeve të tyre. Për pjesën më të madhe të problemeve që ka shoqëria shqiptare, banorët e BB3 fajësojnë shtetin dhe keqmenaxhimin që shteti bën për të përballuar problemet e shoqërisë. Banorët bëjnë krahasimet e jetës në Tiranë me atë të rretheve të tjera. Tatiana thotë se ajo ka 12 vite që vjen në Shqipëri, por që gjatë kësaj kohe ka parë shumë pak ndryshime dhe përparime në këtë vend. Banorët e pyesin se çfarë ka ndryshuar në Shqipëri që para 12 vitesh dhe Tatiana u thotë se “ndryshimi që kam parë kanë qenë dy rrugë të shtruara dhe pak më shumë drita”. Shprehjen e saj e kundërshton Mandi, i cili i thotë se Shqipëria ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë, por problemi është se Tatiana ka shkuar vetëm në Laç. Menjëherë pas kësaj shprehje Klodi dhe Jetmiri reagojnë duke kundërshtuar me forcë Mandin dhe thonë se edhe ato pak rrugë që janë bërë janë jashtë standardeve.

“Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut”

Të gjithë banorët ulen në sallon dhe presin të fillojë një material që “Vëllai i Madh” u vë në dispozicion dhe që do të shfaqet në monitorin që ata kanë në sallon. Pas disa minutash pritjeje vjen Kika me një zarf të bardhë në dorë dhe ua lexon atë të gjithëve. Kështu zarfi udhëzon banorët të ndjekin në monitor disa materiale të shkurtra filmike dhe pasi t’i dëgjojnë ata do të diskutojnë, pyesin dhe do të japin mendimet e tyre për temën që trajtohet gjatë këtyre klipeve. Tema kryesore e gjithë filmimeve të transmetuara ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Pasi i dëgjojnë materialet e transmetuara, banorët fillojnë të japin mendimet e tyre njëri pas tjetrit. Kryesisht ata diskutojnë për privatësinë dhe japin mendimet e tyre. Bazuar në materialin e transmetuar, ata thonë se cilin nga rastet e përmendura e quajnë shkelje privatësie dhe cili nga rastet nuk është i tillë. Kështu Mandi thotë se ai nuk dëshiron që qoftë edhe shteti të prekë privatësinë e tij, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për krime. Olta është e mendimit se privatësia shkelet, por duhet të ruhet duke e ilustruar me faktin që përgjimi i telefonave celularë për të është shkelje e privatësisë së gjithsecilit. Pas saj japin mendimet e tyre edhe banorët e tjerë. Jetmiri e quan “privatësinë” si një sfidë të madhe me të cilën përballet globi në ditët e sotme. Ai thotë se në momentin që shkelet privatësia si një e drejtë themelore e njeriut, atëherë nuk ka më demokraci. Tatiana thotë se ajo e dëshiron privatësinë e saj, por kundërshton disa nga banorët, duke thënë se nëse shteti nuk do të ndërhynte në privatësinë e qytetarëve, nuk do të ishin zbuluar dhe ndëshkuar shumë krime.

Zënkat mes Klodit dhe Seldit

Nuk është hera e parë që Klodi dhe Seldi debatojnë me njëri-tjetrin për fjalët e ndryshme që thonë, që ndonjërit prej tyre edhe mund t’i rëndojnë. Ata sërish grinden për disa keqkuptime në përdorimin e disa fjalëve. Kështu, Klodi keqkuptohet nga disa fjalë që i thotë Seldi dhe të dy fillojnë të debatojnë duke kujtuar edhe zënkat e mëparshme, po për të njëjtat arsye. Zënka e kësaj mbrëmjeje, ndryshe nga herët e tjera, vazhdon edhe më gjatë, pasi të dy djemtë, Seldi dhe Klodi, nuk e tolerojnë njëri-tjetrin në fjalët që thonë dhe keqkuptimet vazhdojnë edhe për fjalë të tjera.

Zënka kthehet në debat

Ndërsa Seldi flet me Domenikën, Klodi ndërhyn duke i thënë se nëse ka ndonjë gjë për t’i thënë, le t’ia thotë në sy. Seldi nxehet e duke folur me zë të lartë ia kthen se nuk e kishte fare me të dhe çdo gjë që ka menduar ia ka thënë në sy. Klodi insiston se nuk gaboi në atë që dëgjoi, por ishte Seldi ai që po fliste gabim. Banorët e tjerë ndërhyjnë duke i thënë Seldit se nuk duhet të bërtasë dhe nëse do të sqarohet me Klodin, ta bëjë qetësisht. Ai thotë se me Klodin nuk mund të sqarohet, sepse ia merr çdo gjë për ters. Klodi shprehet se nuk mund të tolerojë ofendimet e Seldit, edhe pse ky i fundit nuk pranon se e ka bërë ndonjëherë këtë. Ndërhyrja e banorëve të tjerë bën që zënka të përfundojë, ndërsa se si do vazhdojë raporti mes tyre nuk dihet.

Seldi, mëngjes romantik për Domin

Seldit dhe Domenikës u ka dalë gjumi dhe qëndrojnë shtrirë duke u përqafuar e duke u puthur pareshtur. Më pas Seldi ngrihet i pari nga krevati dhe shkon në kuzhinë për të përgatitur një mëngjes romantik dhe surprizë për Domin. Por Domi nuk duron, ngrihet nga krevati dhe shkon në kuzhinë, ku e shikon Seldin duke përgatitur mëngjesin për të. Manal ndodhet aty dhe i thotë Domit të shkojë të shtrihet përsëri për të mos ia prishur surprizën Seldit. Domi shkon në dhomë dhe shtrihet për të dytën herë, duke bërë sikur është në gjumë dhe qesh me vete. Seldi shkon në dhomë me tabakanë me mëngjesin, ku tabakanë e ka zbukuruar me lule që ka mbledhur në kopsht. Domi e falënderon për këtë gjest të bukur dhe përkëdhelet duke bërë si fëmijë i vogël. Ajo ha për vete, por ushqen edhe Seldin, i cili e puth gjatë gjithë kohës. Më pas në dhomë hyn Kika dhe ai u bën thirrje banorëve që janë në gjumë që të zgjohen, pasi është një ditë shumë e bukur që nuk duhet humbur.

Kika dyshon për ndjenjat e Domit dhe Seldit

Seldi dhe Domi, pas mëngjesit romantik, dalin në kopsht dhe vazhdojnë të puthen e të përkëdhelen pareshtur. Aty ndodhet edhe Kika, i cili u thotë se atyre iu është shtuar shumë dashuria që pas momentit të lojës që kanë bërë sikur Domi ishte shtatzënë. Seldi përgjigjet se dashuria ka ekzistuar gjithmonë mes të dyve, por Kika shprehet se dyshon për këtë gjë. Seldi thotë se atij nuk i intereson shumë mendimi i Kikës dhe ky i fundit shprehet se ata e kanë luajtur shumë mirë lojën e sipërpërmendur, kështu që mund ta bëjnë dhe këtë pjesë shumë mirë. Seldi e pyet nëse edhe Kika aktron me bashkëshorten e tij, duke qenë se është aktor dhe Kika mohon. Seldi shprehet se ai nuk mund të aktrojë me një person që e dashuron, por ai shton duke iu drejtuar Kikës se nuk ka ndërmend t’i mbushë mendjen askujt aty, pasi nuk i intereson kjo gjë. Kika shprehet se e rëndësishme është që Seldi e ka vetë të mbushur mendjen dhe Seldi përgjigjet se mjafton ai dhe dikush tjetër, e për të tjerët nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë.

Klodi: Seldi s’më jep mundësinë ta njoh

Klodi dhe Domenika qëndrojnë në kuzhinë, ndërsa ai po gatuan. Domi shprehet se zënka që ka ndodhur mes tij dhe Seldit nuk i ka pëlqyer aspak dhe ata nuk po bëjnë mirë që po grinden shpesh. Klodi thotë se Seldi nuk po sillet mirë me të dhe ai nuk ka arritur ende ta njohë, pasi ai vetëm e imiton dhe nuk bën asgjë tjetër. Domi përgjigjet se kështu mund të duket, por Seldi nuk ia ka me të keq Klodit. Domi e pyet se përse nuk ulen të bisedojnë njëherë me Klodin dhe ai përgjigjet se ka provuar ta bëjë, por nuk ka rezultuar e suksesshme, pasi Seldi i flet me nënkuptime. Domi shprehet se ndoshta ai bën shaka dhe Klodi i merr për keq fjalët e tij. Klodi thotë se prej tij ai njeh vetëm shakanë që bën dhe raportin me Domenikën, asgjë tjetër. Klodi shton se Seldi ka vetëm një lajtmotiv, ku mendon se Klodi nuk beson te dashuria e tij me Domin, ndërkohë që kjo hipotezë nuk është e vërtetë. Ai shton se Seldi mendon se Klodi do ta komandojë, ndërkohë që ai ka dëshirë që ta mësojë. Domenika thotë se asaj i vjen keq për zënkat e tyre, pasi kapen pas gjërave shumë të vogla dhe Klodi shprehet që nuk është gjë e vogël fjala llafazan që Seldi i ka thënë. Më pas Domi bisedon me Oltën për këtë çështje dhe Olta shprehet se ajo do të flasë pak me Seldin, sepse ai ka ndryshuar.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›