E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryekomunarët minoritarë, apel Dules: Kalo djathtas!

Irodhi Dalani, kryetari i Komunës së Livadhjasë, i cili njëherësh është zgjedhur në krye të shoqatës së kryekomunarëve të minoritetit etnik grek në Sarandë, Delvinë, Vlorë e Gjirokastër, tregon se ata janë mbledhur ditët e fundit dhe pas diskutimesh kanë dalë me një apel për kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ky apel lidhet me kërkesën e shprehur që ai të pranojë ofertën e Berishës për të qenë pjesë e qeverisjes dhe të mos jetë konsekuent në lëvizjen e gabuar parazgjedhore, që e çoi në koalicion me Ramën, kundër interesave të minoritetit e minoritarëve. Dalani është i njohur për mbështetjen e PD-së në të gjitha lëvizjet e tij politike. "Ishte Partia Demokratike që mbështeti kandidimin tim për kreun e komunës dhe personalisht ndjehem politikisht i obliguar", shprehet Irodhi. Por tani fjala nuk është për një qëndrim personal, por për një unifikim të mendimit dhe të vullnetit të shprehur të pjesës dërmuese të kryetarëve të 13 njësive vendore që banohen në shumicë nga minoritarë grekë. Dalani shton se jashtë këtij vullneti nuk ka dalë madje as kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, por vetëm kryetari i komunës së Finiqit, Ziso Lluci, ish-deputet i PBDNJ-së. Duke folur në cilësinë e drejtuesit të kryetarëve, Dalani thotë se "nuk ishte dëshira jonë shkëputja nga e djathta". Ai kujton se në koalicionin e majtë, ku shkuan, nuk u mbështetën nga Partia Socialiste, përkundrazi e pësuan më keq se në Partinë Demokratike. Dalani ka sjellë në vëmendje atë që ndodhi me KZAZ-të gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit, ku si produkt i marrëveshjes mes PS e PD, ajo spostohej nga Livadhjaja në Ksamil, vetëm dy ditë para votimeve. Ndërkohë, ndër argumentet që Dalani thotë se ishin bindëse në komunikimin me kolegët e shoqatës, është nocioni që ata kanë, sipas të cilit nuk mund të mbrohen interesat e minoritetit duke mos qenë pjesë e kabineteve qeverisëse në çdo kohë dhe cilado forcë që të jetë në pushtet. "Ne jemi edhe zyrtarisht qytetarë europianë, u shpreh Dalani, pasi kemi marrë dyshtetësinë dhe koncepti europian për mbrojtjen e minoriteteve pranon se nuk merren dot në mbrojtje e në zhvillim të drejtat e pakicave jashtë kabineteve qeverisëse". Nga ana tjetër ai ka parë edhe pasojat e dëmshme nga lëvizja e gabuar në politikë, që e përjetojnë njerëzit e aftë në pozicione pune. Ai tha se duke i kërkuar Dules të ndryshojë kursin, "do t‘i jepet fund edhe fushatës për heqjen nga puna të njerëzve tanë, pasi pushimet janë kaq agresive sa kanë përfshirë edhe punëtorë të mirëmbajtjes së rrugëve". Kjo konsiderohet e papranueshme të ndodhë në një shtet që çdo ditë e më shumë afrohet me Europën. "Omonia" vërtet vendosi 50 për qind plus një për të qenë pro Dules, por as Dule nuk duhet të vazhdojë me kokëfortësi të qëndrojë në një "besë" të prerë nga vetë Rama, edhe kur sheh që kështu vetëm dëmtohen dhe nuk mbrohen interesat e minoritetit. Këto thirrje publike vijnë pas deklaratave të hapura të funksionarëve si Thoma Miço, që kërkuan drejtpërdrejt dorëheqjen e Dules nga posti i kryetarit të Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Këtyre thirrjeve Dule iu përgjigj se Miço nuk është më pjesë e strukturave të PBDNJ-së, pasi ka kaluar me Partinë Demokratike.

Përfaqësimi

Si lëvizën mandatet e PBDNJ-së nga vitet 1991-2009

Për gjashtë legjislatura, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë me një numër më të madh deputetësh sesa në dy zgjedhjet parlamentare të 2005-ës dhe 2009-ës. Në zgjedhjet e fundit, PBDNJ arriti të çojë në Kuvend vetëm një deputet. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, do të përfaqësojë PBDNJ në Kuvendin e ri. Në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991, organizata "Omonia" ka fituar pesë karrige deputetësh në Parlament. Andrea Zarballa, Jani Gjyzeli, Jani Jani, Panajot Barka dhe Thoma Miço përfaqësuan deri në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 minoritetin në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 1992 lind edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Pas zgjedhjeve të vitit 1992, me fitoren e Partisë Demokratike, PBDNJ mori dy vende në Kuvend, duke u përfaqësuar nga Kosta Makariadhi dhe Thoma Miço. Në legjislaturën e 14, pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, PBDNJ siguroi nga votat e elektoratit 3 deputetë, ku njëri prej tyre hyri nga lista shumemërore. Mes tre deputetëve, futet në Parlament edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Pas zgjedhjeve të 29 qershorit të 1997-ës, PBDNJ fiton katër mandate deputetësh dhe përfaqësohet në Parlament me Vasil Melon, Kristo Goçin, Ligoraq Karamelon dhe Ziso Llucin. Në legjislaturën e 16, partia e minoritetit grek fiton sërish 4 vende në Kuvend dhe përfaqësohet nga Kristo Goçi, Ligoraq Karamelo, Vangjel Dule dhe Vasil Melo. Nga zgjedhjet e 2005-ës, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut çon në Kuvend Vangjel Dulen dhe Leonard Solis, të cilëve u bashkohet edhe deputeti i pavarur, Spiro Peçi. Në zgjedhjet e fundit, PBDNJ arriti të marrë minimumin e atyre që ka marrë në të gjitha vitet kur në Shqipëri janë mbajtur zgjedhjet pluraliste. Më 28 qershor 2009, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut arriti të marrë vetëm një mandat deputeti. Ndërkohë që në Parlamentin e ardhshëm janë tre deputetë që përfaqësojnë minoritetin grek, një është nga radhët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, një nga Partia Socialiste dhe një tjetër nga Partia Demokratike. Nga këto zgjedhje, synimi i PBDNJ-së ishte që të fitonte tre mandate deputetësh vetëm në siglën e saj, por në fakt, Kodi i ri Zgjedhor dhe sistemi proporcional nuk e lejoi diçka të tillë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›