E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitjet me lotari, ndryshimi hyn në fuqi pas sezonit veror

Të gjitha shitjet me anë të lotarisë do të kalojnë në një skemë të re organizimi, duke paguar më shumë taksa, por edhe më tepër transparencë për fituesit. Vendimi është marrë në mesin e muajit korrik, por dje ka hyrë në fuqi, pra një javë pas sezonit veror, ku fushatat promocionale janë tepër agresive. Skema e re i fut kompanitë private në detyrime të tjera tatimore, por më së shumti i bën më përgjegjëse për lojërat dhe aktivitetet që ato organizojnë. Ndryshimi i parë lidhet me faktin se për të marrë pjesë në lojë nuk do të paguhet ekstra, por do të mundësohet në forma të ndryshme si: falas, me një kupon, biletë, duke gërvishtur në ambalazhin e produktit të blerë, si dhe çdo mënyrë tjetër, e parashikuar nga organizatori, por pa kosto të tjera shtesë për klientin.

Për lojërat e fatit, promocionale, jepet autorizimi i posaçëm, i vlefshëm nga data e fillimit të lojës (e cila nuk duhet të fillojë më vonë se 30 ditë pas datës së marrjes së autorizimit) dhe vlen vetëm për një tip të caktuar loje promocionale. Tregu i lojërave promocionale, me qëllim rritjen e shitjeve, xhiron qindra milionë lekë, kryesisht në sezonet e verës, por për shkak të mungesës së ligjit, ky lloj aktiviteti nuk është taksuar.

Për tipet e lojërave promocionale, organizatori duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme, sipas llojit të lojës. Për lojën promocionale me anë të mesazheve (sms), duhet të deklarojë jo vetëm për pjesëmarrësit në lojë, por edhe në rregulloren e lojës: koston e një mesazhi telefonik, me ose pa TVSH, e cila nuk mund të kalojë vlerën 100 lekë me TVSH; numrin ku duhet të dërgohet mesazhi dhe operatorin që ofron shërbimin. Kurse për lojën promocionale me telefonata, duhet të deklarojë jo vetëm për pjesëmarrësit në lojë, por edhe në rregulloren e lojës, si: koston e një telefonate, me ose pa TVSH, e cila nuk mund të jetë më e lartë se 200 lekë/telefonatë, pa TVSH; numrin ku duhet të dërgohet; operatorin që ofron shërbimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›