E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli drejt rikonfirmimit në postin e kreut të Kuvendit

Numri dy i Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, pritet të mos përfshihet në kabinetin e ri qeveritar. Drejtimi i Parlamentit do të vazhdojë të jetë misioni i ardhshëm i nënkryetares së PD-së. Burime të sigurta pranë Partisë Demokratike pohojnë se nënkryetarja i ka kërkuar Kryeministrit Sali Berisha drejtimin e Kuvendit dhe se ka marrë "bekimin" e tij që ajo të ulet sërish në karrigen e numrit dy të shtetit, atë të kryetarit të Kuvendit. Jozefina Topalli mes kryediplomates shqiptare dhe kryeparlamentares mësohet se ka zgjedhur këtë të fundit, ku ka nisur edhe punën për riorganizimin e Kuvendi të ri. Deri në një dalje zyrtare të Kryeministrit Berisha, ku të prezantojë qeverinë e re dhe të firmosë publikisht marrëveshjen e bashkëqeverisjes PD-LSI, askush nuk mund të flasë publikisht për të zbuluar sekretet e marrëveshjeve brenda së djathtës. Përpos ambicies për të qenë në krye të diplomacisë shqiptare, duket se Topalli i ka bërë mirë llogaritë për të mos u përfshirë në qeveri dhe të vazhdojë të drejtojë një institucion të rëndësishëm siç është ai i Kuvendit të Shqipërisë. Megjithëse është kontaktuar nga "Shqip" për këtë çështje, Kryetarja aktuale e Parlamentit nuk ka preferuar të japë detaje për këtë fakt, duke mos pohuar apo mohuar qëndrimin e saj në vitet në vazhdim në krye të Kuvendit. Karrigia e kryeparlamentarit mësohet se ka qenë një kërkesë edhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila në rastin konkret pritet të kënaqet edhe me postin e nënkryetarit të Kuvendit. Negociatat

Kryeministri Sali Berisha, dilemat për ndërtimin e qeverisë së re pritet t‘i zgjidhë edhe këtë herë me bashkëpunëtoren e tij më të ngushtë, Jozefina Topalli. Nga takimet që Berisha dhe Topalli kanë zhvilluar ditëve të fundit mësohet se drejtimi i Kuvendit nuk do të lihet në dorë të LSI-së, por do të kontrollohet nga demokratët. Topalli do të vazhdojë të jetë edhe për vitet në vazhdim si Kryetare e Kuvendit. Seanca e parë për këtë legjislativ do të mbahet në fillim të shtatorit dhe do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, i cili në rastin konkret është 64-vjeçari Sali Berisha. 76 deputetët e rinj dhe 64 deputetët e "vjetër" që u përballën legjislaturën e kaluar me rregullat e ashpra të kryeparlamentares Topalli do të vazhdojnë t‘i binden njeriut me më shumë influencë në Partinë Demokratike pas Sali Berishës.

Seanca e parë

Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të tij, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që në rastin konkret ai është Kryeministri Sali Berisha. Tre deputetët, ndër ata me moshën më të re, do të caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë. Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Sipas Rregullores së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat. Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët do të bëjnë betimin në Parlament.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›