E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat e reja të pedagogëve, ndarja sipas kategorive

Hyn në fuqi, pak javë para fillimit të vitit shkollor, vendimi "Për trajtimin me pagë dhe shtesa të punonjësve të personelit akademik të institucioneve publike të arsimit të lartë". Ndryshimi mbi paga dhe shtesa do të bëhet në varësi të strukturës dhe kategorive të punës, miratuar me ligjin e ri të Arsimit të Lartë. Personeli në fakultete do të marrë rritje page edhe në varësi të gradës, duke nisur që nga fillimi i vitit akademik 2009-2010. Sipas vendimit të qeverisë, miratuar më 11 qershor 2009, por që dje hyri në fuqi, "personeli akademik i punësuar me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë, përfiton masë shtesë për vjetërsi pune, në masën 0.5 për qind, për çdo vit pune, por jo më shumë se për 15 vjet".

Kategoritë dhe ndryshimet

Universitet publike kanë funksion të pavarur nga institucionet e tjera, për rrjedhojë ata nuk morën rritje page më 1 maj, sikurse ndodhi me të tjerët. Vendimi sqaron se, kur një anëtar i personelit akademik, për nevoja të procesit mësimor punësohet në një vend pune me kërkesa më të ulëta se kualifikimi që ai ka, do ta përfitojë pagën, sipas vendit të punës, dhe një shpërblim prej 50 për qind të diferencës së pagës, që do të merret në përputhje me kualifikimin, me pagën sipas vendit të punës. Por një tjetër pikë e vendimit (4-a), thotë se "kur një anëtar i personalit akademik, për nevoja të procesit mësimor, punësohet në një vend pune, me kërkesa më të larta se kualifikimi që ka, do ta përfitojë pagën sipas klasifikimit".

Shpërblimet

Vendimi përcakton edhe rastet se kur dhe si personeli akademik merr shpërblim. Kështu, pika e 5 e VKM-së thotë se shpërblimi i personelit akademik dhe i anëtarëve të jashtëm, për pjesëmarrje në këshillin e administrimit, senatin akademik, këshillin e fakultetit, këshillin e profesorëve, do të kryhet çdo gjashtë muaj dhe është në masën tetë mijë lekë të reja në muaj. Për ta përfituar shpërblimin, qeveria vendos kushtin që anëtarët e këtyre këshillave duhet të marrin pjesë në të paktën gjysmën e mbledhjeve të zhvilluara gjatë periudhës të vitit akademik 2009-2010.

Gradat shkencore

Kategorizimi i personelit akademik brenda çdo klase bëhet në përputhje me klasifikimin e vendeve të punës në universitete dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë. Për sa u takon kategorive të pagave për pozicionet e punës me titull të njëjtë, ato do të përcaktohen në kuadër të miratimit të strukturës dhe organikës të secilit institucion. Ndërkaq, punonjësit e specialiteteve të ndryshme, të punësuar në institucione të tjera shtetërore, me kohë të plotë, por që japin mësim në institucionet publike të arsimit të lartë, si anëtarë të jashtëm të personelit akademik, për çdo orë mësimi 60-minutëshe do të paguhen në të njëjtën masë me punonjësit efektivë të këtyre institucioneve. Po ashtu, vendimi thekson se personeli akademik me kontratë, në cilësinë e personaliteteve, vendase ose të huaja, do të paguhet me honorare për një ditë/orë pjesëmarrje në procesin e mësimdhënies në institucionet publike të arsimit të lartë. Përcaktimi i masës së honorareve bëhet me vendim të rektoratit, pasi të jetë miratuar më parë në këshillin e administrimit. Masa e pagesës nuk duhet të jetë më e madhe se 5-fish i pagesës për orët mbi normën, për kategoritë "Profesor".

Ndarja

Pagesat mbi normën mësimore

Anëtarët e personelit akademik efektiv, që për nevoja të procesit mësimor japin orë mësimi mbi normën mësimore vjetore, të miratuar me katet përkatëse, për çdo orë mësimi të kryer mbi këtë normë, paguhen si vijon:

kur janë në kategorinë "Profesor", përfitojnë 1200 lekë për çdo orë mësimi 60-minutëshe
kur janë në kategorinë "Profesor i asociuar", përfitojnë 1100 lekë për çdo orë mësimi 60-minutëshe
kur janë në kategorinë "Docent", përfitojnë 1000 lekë për çdo orë 60-minutëshe
kur janë në kategorinë "Lektor i parë", përfitojnë 800 lekë për çdo orë mësimi 60-minutëshe
kur janë në kategorinë "Lektor", përfitojnë 600 lekë për çdo orë mësimi 60-minutësh


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›