E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë "rebelët" e LSI-së paralajmërojnë largimin

Rebelët e LSI-së paralajmërojnë largimin nga partia e Ilir Metës në rast se Lëvizja Socialiste për Integrim hyn në qeverinë "Berisha". Qëndrimi është bërë publik nga anëtari i Kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi, i cili theksoi se "në qoftë se LSI do të futet në qeveri, ne nuk e ndjejmë më veten brenda saj. Ne bëmë një thirrje të cilën po e lidhin me kongresin e PS. S‘ka asnjë lidhje. Pa Xhufin, pa Sabitin, pa Ndre Legisin, etj., Iliri do ishte atëherë partia me të shoqen". Klosi akuzoi Ilir Metën se me marrëveshjen me Berishën tradhtoi idealin kryesor me të cilën kjo forcë kishte marrë mbështetjen e shqiptarëve në pesë vitet e ekzistencës së saj si forcë politike. Klosi sqaroi me tej se 5-shja e përfaqësuesve të LSI që kundërshtojnë lëvizjen e Ilir Metës nuk do të krijojnë në rast të largimit nga LSI ndonjë lëvizje tjetër dhe e përjashtoi kategorikisht mundësinë e bashkëpunimit me PS-në. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i LSI e cila deklaroi se pesë përfaqësuesit e LSI-së, Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, Mustafa Muçi, Fatos Klosi dhe Ndre Legisi prej kohësh janë vetëpërjashtuar. Klosi sqaroi se deklarata nuk ka asnjë qëndrim armiqësor, e madje ajo është e kujdesshme, ndërsa kundërshtoi reagimin zyrtar të LSI-së përmes anëtarit të kryesisë, Dritan Ylli. Ai tha se reagimi ishte absurd e sidomos insinuatat që shpreheshin në të. Klosi mohoi se këtu bëhet fjalë për interesa personale. Në të kundërt, siç u shpreh ai, do t‘u interesonte mjaft pozicionimi i ri i LSI-së. Sa i përket qëndrimit se pas grupit të pesë anëtarëve të LSI-së qëndron Partia Socialiste, Klosi u shpreh se këtu qëndron një absurditet edhe më i madh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›