E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryekomunari i fshatit Pult, Martin Cubi, vret një shtetas

28/04/2009  U grindën, viktima e qëlloi në fillim me thikë

SHKODER- Një ngatërresë e çastit në një lokal në periferi të qytetit të Shkodrës është bërë shkak i vrasjes së një shtetasi dhe plagosjes së një tjetri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:15 të mbrëmjes së djeshme para spitalit rajonal të Shkodrës. Burimet policore shprehen se rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme shtetasit Dodë Hila dhe Martin Cubi, kryetar i komunës Pult kanë filluar të shkëmbenin fjalë me njëri-tjetrin, teksa po pinin kafe në një lokal pranë spitalit rajonal të qytetit të Shkodrës. Rreth 15 minuta më pas fjalët kanë kaluar në një debat të ashpër derisa të dy shtetasit janë ngritur dhe kanë dalë jashtë lokalit për të zgjidhur konfliktin tashmë të hapur. Sapo kanë dalë nga lokali shtetasi Dodë Hila ka nxjerrë një thikë, që e kishte me vete, dhe ia ka ngulur në një herë në trup dhe dy herë në krah shtetasit Martin Cubi. I ndodhur në këto kushte kryekomunari i Pultit, shtetasi Martin Cubi ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit Hila, duke e lënë atë të vdekur në vend. Pas lajmërimit në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e policisë, të cilat dërguan të plagosurin Cubi në spitalin rajonal Shkodër. Burimet policore shprehen se në bazë të hetimeve paraprake i plagosuri Cubi kishte qëlluar për vetëmbrojtje me pistoletën që e kishte me leje, për shkak të detyrës që ushtronte në një zonë të thellë malore. Ndërkohë burimet shprehen se shtetasi Dodë Hila, rreth 45 vjeç, kishte vetëm pak ditë që ishte liruar nga burgu i Shën Kollit në Lezhë, ku kishte kryer dënimin për një vepër penale të kryer kohë më parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›