Shkëmbimi i eksperiencave, Alibeaj takon homologen Kelmendi
Fushat ku do asistohet Kosova, burgjet, noteria dhe Mjekësia Ligjore
Ministri i Drejtësisë ofron bashkëpunim edhe për dënimet alternative
Ministri i Drejtësisë shqiptare, Enkelejd Alibeaj dhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Nekibe Kelmendi, kanë zhvilluar paraditen e djeshme një takim të përbashkët në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave në fushën e administrimit dhe të funksionimit të Mjekësisë Ligjore, burgjeve dhe noterisë. “Ne jemi një shtet i ri, Ministria e Drejtësisë së Kosovës synon të funksionojë në frymën e standardeve evropiane dhe si të tillë kemi nevojë të shohim se si funksionojnë institucionet tuaja të varësisë, të njihemi me to”, - ka thënë ministrja kosovare në fjalën e saj, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Drejtësisë. Ministrja Kelmendi, e cila vjen për herë të dytë në Tiranë, shoqërohej në këtë vizitë nga stafi i saj i ngushtë, Komisari i burgjeve, z. Resmi Hoxha, si dhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, z. Arsim Gërxhaliu. Delegacioni kosovar paraqiti interes për njohjen e punës në Institutin e Mjekësisë Ligjore, si dhe kërkoi firmosjen sa më të shpejtë të një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy instituteve homologe, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe ofrimin e shërbimeve të ndërsjella. Në bazë të këtij memorandumi, ekspertë nga të dyja vendet do të marrin pjesë në ekspertizat e trupave të zhvarrosur në të dyja vendet. Një tjetër interes është paraqitur dhe në fushën e noterisë publike, si dhe atë të administrimit të burgjeve. Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh i gatshëm për të ndihmuar si Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe institucionet e saj të varësisë me eksperiencën shqiptare, si dhe theksoi rëndësinë që ka ky shkëmbim për të ardhmen e Kosovës dhe marrëdhënieve dypalëshe. Gjithashtu, ministri Alibeaj ka deklaruar gjatë takimit se ekipi i tij do të ndihmojë Kosovën në çdo fushë, ndërsa do të shkëmbejë me të informacion në lidhje me institucionin e dënimeve alternative, ku edhe Shqipëria është me eksperiencë të pakët.