Vrasja e policëve në Kukës, dosja mbërrin për gjykim
Historia e plotë / Zanafilla e konfliktit mes policëve dhe të pandehurit Afrim Hasanaj, hakmarrja pas kallëzimit penal të viktimave Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila dhe ekzekutimi me plumba në kokë, telefonatat e fundit para arrestimit, deklarimet e të pandehurit pas ngjarjes
Vrau dy punonjës policie, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet dhe dërgon dosjen për gjykim pranë Gjykatës për Krime të Rënda për të pandehurin Afrim Hasanaj, i akuzuar për 5 vepra penale. Ky i pandehur akuzohet për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesit të veprës penale, Shkëlzen Dobrushi, “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesit Ramadan Hilaj, “shkatërrimit të pronës” së shtetasit Mentor Hila, “kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë”, Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, vepra penale të parashikuara përkatësisht nga nenet 79 germa “c” dhe germa “ç”, 150, 236/2 dhe 278/2 të Kodit Penal. Në këtë proces gjyqësor pritet të dëshmojnë 19 persona që kanë parë apo kanë dijeni për çështjen, ndërkohë që do të lexohen edhe deklarimet e dhëna më parë nga dy policët e vrarë.
Hetimi
Referuar kërkesës për gjykim të dërguar nga prokurori i çështjes, Ardian Nezha, në Gjykatën për Krime të Rënda, shtetasi Afrim Hasani dyshohet se ka vrarë në krye të detyrës dy punonjësit e policisë së qarkut Kukës, konkretisht shtetasit Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, duke konsumuar veprat penale të parashikuara nga nenet 79 germa “c” dhe “ç” dhe 278/2 të Kodit Penal. Nga rrethanat hetimore të çështjes, sipas prokurorit, provohet se dy punonjësit e policisë Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila kanë qenë me detyrë inspektor policie në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Kukës, vendshërbim patrullë policie në aksin rrugor nacional Kukës-Tiranë. Hetimi ka provuar se i pandehuri Afrim Hasani ka qenë me banim në fshatin Petkaj - Shëmri, Komuna Malzi, Kukës. Gjithashtu, sipas akuzës, rezulton e provuar se i pandehuri Hasani ka qenë i papunë dhe që nga fundi i vitit 2007 ku kishte qenë emigrant ekonomik ne Finlandë, nuk kishte emigruar më jashtë shtetit, por jetonte në shtëpinë e tij në fshatin Petkaj së bashku me gruan, dy fëmijët dhe prindërit e tij. Gjatë periudhës që kishte qëndruar në Shqipëri, i pandehuri Hasani është proceduar nga autoritetet gjyqësore të rrethit Kukës për veprën penale të “falsifikimit të akteve të gjendjes civile”, ku dhe është dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës me 4 muaj burg.
Zanafilla e ngjarjes
Sipas kërkesës për gjykim të dorëzuar në gjykatë, nga provat e grumbulluara u arrit të provohej se më datë 16.03.2009, në qendër të fshatit Shëmri - Kukës, në lokalin e shtetases Adriana (Lume) Brinja kanë hyrë me forcë shtetasit Zaim Brinja dhe i pandehuri Afrim Hasani, i cili menjëherë sapo ka hyrë në lokal ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrige dhe gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit. Pikërisht në këtë moment, shtetasja Brinja ka komunikuar me efektivat e policisë që ndodheshin në fshatin Shëmri, konkretisht policët Ramadan Hila, Ajet Hila dhe Shkëlzen Dobrushi, duke u kërkuar atyre ndihmë për dhunën dhe dëmtimet që Afrimi i kishte shkaktuar në lokalin e saj. Menjëherë sapo kanë marrë dijeni në lidhje me ngjarjen, tre punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi, Ramadan Hila dhe Ajet Hila, kanë dalë në aksin rrugor Kukës-Tiranë për të bllokuar automjetin me të cilin lëvizte i pandehuri Afrim Hasani. Sipas akuzës, rreth orës 15 e 15 minuta, tre policët kanë parë dhe ndaluar automjetin tip “Benz Mercedes D 240” ngjyrë e kuqe, me targa KR 3778 A, ku në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer i pandehuri Afrim Hasani. Pas ndalimit të automjetit, nga punonjësit e policisë është konstatuar se në timon të mjetit ishte shtetasi Mentor Hila, pronar i mjetit, në sediljen e parë të pasagjerit ishte i pandehuri Afrim Hasani dhe në sediljen e pasme ishin shtetasit Genc Avdia dhe Zamir Avdia. Pasi kanë ndaluar makinën, menjëherë punonjësit e policisë u kanë bërë thirrje për të zbritur nga makina këtyre personave, duke i kërkuar shoferit dokumentet e mjetit.
Konflikti
Në këtë moment, sipas edhe deklarimeve të të pranishmëve në vendngjarje atë natë, i pandehuri Hasani është konfliktuar me punonjësit e policisë, veçanërisht me policin Shkëlzen Dobrusha, konflikt që në fillim ka nisur me fjalë e më pas është shoqëruar me zënka deri në përdorimin e dhunës fizike, në mënyrë të ndërsjellë mes policëve dhe të pandehurit. Pas këtij konflikti me policët, i pandehuri Afrim Hasani së bashku me shoqëruesit e tij në makinë është larguar nga vendi ku është konfliktuar me punonjësit e policisë, duke lënë në rrugë makinën në të cilën ishte si pasagjer. Tre punonjësit e policisë menjëherë kanë njoftuar sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, ku në ndihmë të tyre kanë shkuar forca policore. Menjëherë është shoqëruar për në polici shtetasi Mentor Hila, së bashku me mjetin e tij tip “Benz” me targa KR 3778 A dhe është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Zamir Avdia, Genc Avdia dhe Afrim Hasani. Pas kontrollit të banesës është bërë shoqërimi për në komisariat i shtetasve Zamir Avdia dhe Genc Avdia, ndërsa i pandehuri Afrim Hasani nuk është bërë e mundur të gjendej, pasi i është fshehur policisë. Pikërisht në lidhje me këtë ngjarje, punonjësit e policisë, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”, kallëzim i cili është regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës si procedimi penal nr. 59, viti 2009 në ngarkim të të pandehurit Afrim Hasani, i dyshuar se ka kryer veprat penale të parashikuara nga neni 236/2 i Kodit Penal. Meqenëse në harkun kohor prej 4 orësh, i pandehuri Hasani dyshohej se ka kryer veprat penale të “shkatërrimit të pronës” dhe “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”, më datë 18.03.2009 është vendosur të bashkohej procedimi penal nr. 58 me procedimin penal nr. 59, ku të dy procedimet janë hetuar si procedimi penal nr. 59 për veprat penale të parashikuara nga nenet 150 dhe 236/2 të Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit Afrim Hasanaj, ndaj dhe nisi hetimet për këtë shtetas për dy veprat penale të përmendura. Eksperti ka vlerësuar për dëmet e shkaktuara në lokalin e shtetases Brinja vlerën 6.240 lekë të reja dhe duke mos kapur minimumin për ngritjes së një akuze, prokuroria e pushoi akuzën e “shkatërrimit të pronës”. Por, sipas akuzës, ka qenë pikërisht ngjarja e ndodhur në lokalin e shtetases Brinja dhe kallëzimi penal i bërë nga dy punonjësit e policisë, që shtynë të pandehurin të kryejë aktin kriminal.
Deklarimi i Afrim Hasanit
Referuar deklarimeve të dhëna nga i pandehuri Afrim Hasani pas arrestimit, më datë 18.03.2009 ka mësuar nga Zamir Avdia se policët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj kanë bërë kallëzim ndaj tij për veprën penale të parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse policia ka shkuar për kontroll në banesën e tij më dt. 16.03.2009, e për këtë fakt ai ka vendosur të hakmerret ndaj dy efektivave të policisë duke i vrarë ata. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Hasani, pasi ka siguruar një armë automatike, konkretisht automatikun tip AK me nr. 14214879, të cilën siç deklaron dhe vetë e kishte të fshehur jashtë banese, pasditen e datës 23.03.2009, me këtë armë, ka qëlluar në fillim në shenjë hakmarrjeje ndaj makinës së shtetasit Mentor Hasani, me të cilën lëvizte më datë 16.03.2009, duke dëmtuar makinën veçanërisht në kofano, parafrango dhe në pjesët anësorë të xhamave. Ndërkohë që rreth orës 20:30 të dt. 23.03.2009, duke ditur lëvizjet e punonjësve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj, me të cilët ishte konfliktuar një javë më parë, i pandehuri me armë automatike ka hyrë në lokalin e shtetasit Isa Dobrushi dhe ka hapur zjarr në drejtim të dy punonjësve të policisë, konkretisht dy shtetasve, të cilët e kishin kallëzuar në Prokurori si autor të ngjarjes së datës 16.03.2009, duke i lënë që të dy të vdekur në vend me plumba në kokë. Menjëherë pasi ka kryer një krim të tillë, i pandehuri Afrim Hasani është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka telefonuar të afërmit e tij për t’iu treguar ngjarjen.
Telefonata e Hasanit pas vrasjes së dyfishtë
Pas krimit të dyfishtë, Afrim Hasani telefonon vjehrrin e tij dhe e vë në dijeni për ngjarjen, duke i thënë se “kam vrarë dy policë, ik e merr vajzën dhe amanet dy vajzat e mia, pasi do të vras veten”. Më pas i pandehuri ka kryer një telefonatë me motrën e tij, Nazmije Popa, të cilës i ka komunikuar të njëjtin fakt, duke i thënë që të njoftonte vëllezërit të ruheshin nga gjakmarrja dhe amanet fëmijët. Pasi ka komunikuar dhe me bashkëshorten e tij Alketa, së cilës i ka treguar për ngjarjen, i pandehuri Afrim Hasani ka fikur telefonin dhe së bashku me armën e krimit është larguar në drejtim të fundit të fshatit të tij, ku ka shkuar dhe është strehuar në banesën e shtetasit Miftar Miftari, e cila ka qenë një banesë e pabanuar, ku dhe është arrestuar në flagrancë bashkë me armën e krimit.
Akuzat
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesit të veprës penale, Shkëlzen Dobrushi
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesit, Ramadan Hilaj
“Shkatërrim të pronës” së shtetasit Mentor Hila
“Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë”, Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila
“Mbajtje pa leje të armëve luftarake”