E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton arratisjen nga ushtria, e shtyp makina

 

VLORE - I marrë me forcë në rrugët e Tiranës për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, 18-vjeçari rrezikoi jetën në tentativë për t'u arratisur nga reparti i Bunavisë. Izmir Gjoka nga Kukësi është në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, pasi u aksidentua nga një mjet i tonazhit të rëndë me të cilën ai do të dezertonte nga ushtria. Gjoka ishte marrë nga Policia Ushtarake dhe ajo e Rendit katër ditë më parë në Tiranë. Mbrëmjen e së shtunës ai duket se kishte planifikuar të arratisej nga reparti ushtarak. Të dielën, herët në mëngjes, ai është futur poshtë një mjeti të rëndë ushtarak, i cili ndodhej brenda repartit të Bunavisë në Vlorë. Ai kishte planifikuar të mbahej fort në të vetëm për aq metra sa do t'i duhej të dilte nga rrethimi. Më pas 18-vjeçari do të nisej drejt Tiranës me mjete të rastit. Përllogaritjet e ushtarit të ri ndërkohë nuk kanë dalë ashtu siç ai e priste. Herët në mëngjes është ndezur mjeti ushtarak për të dalë nga reparti. Por mbas rreth 50 metrash Gjokës i janë lodhur krahët. Disa lëkundje të forta të makinës për shkak të gropave që ndodheshin brenda zonës së rrethimit e kanë bërë të pamundur rezistencën e 18-vjeçarit. Ai ka rënë nga makina e për pasojë një prej rrotave të saj e ka zënë shkarazi në kokë si dhe në njërën dorë. Me shpejtësi e kanë dërguar në spitalin e Vlorës. Mbasi ka kaluar më se dy orë në sallën e kirurgjisë, ai e kaloi rrezikun për jetën. Por mjekët e Vlorës vendosën ta nisin në Spitalin Ushtarak për një trajtim më të specializuar, por edhe për faktin se familjarët e tij jetonin në Tiranë. Mësohet se 18-vjeçari Izmir Gjoka ishte pjesë e kontingjentit prej 120 rekrutësh, të cilët u morën me dhunë ditët e fundit për të plotësuar numrin e ushtarëve që do të kryenin shërbimin e detyruar. Ai u soll katër ditë më parë në Bunavi për kryerjen e stërvitjes bazë që bëhet në këtë repart, përpara shpërndarjes në pika e reparte të ndryshme të vendit.                          q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›