Kryeministri Berisha pret delegacionin e Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës, të kryesuar nga Ministrja, zonja Edita Tahiri.
Pasi i uroi mirëseardhjen delegacionit kosovar, Kryeministri u shpreh se administrata publike është e një rëndësie të veçantë për konsolidimin e shtetit dhe zhvillimin e shpejtë.
Kryeministri Berisha e siguroi Ministren Tahiri se do të ketë të gjithë mbështetjen e qeverisë së Shqipërisë dhe të institucioneve të saj, për punuar bashkërisht.
Nga ana e saj, Zonja Tahiri vlerësoi progresin që ka arritur Shqipëria nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, si anëtarësimi në NATO, proceset integruese evropiane, ndërtimi i rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën, duke e quajtur ‘aorta e kombit’, etj. Më pas Ministrja Tahiri, parashtroi prioritetet e Ministrisë që ajo drejton, si dhe evidentoi defektet nga e kaluara të administratës publike dhe domosdoshmërinë e rritjes së profesionalizmit, për të ndërtuar një filozofi të re në vendosjen e raporteve të drejta midis qeverisë dhe qytetarëve.
Duke vlerësuar prioritet e Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës, kryeministri Berisha u shpreh se të dy vendet tona kanë nevojë për një administratë profesionale, të qëndrueshme. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se Investimi në administratë është shumë i rëndësishëm dhe u shpreh se qeveria e Shqipërisë ka përcaktuar stimuj dhe bonuse të ndryshme për ata që janë shkolluar në perëndim dhe punojnë në administratën publike. Gjithashtu, kryeministri shtoi se përmirësime të mëtejshme ligjore do të bëhen në të ardhmen.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se përgjigjet e Pyetësorit që u përgatitën për në BE ishin një ushtrim i rëndësishëm për administratën shqiptare dhe se ajo e kapërceu me sukses. Kryeministri tha se një ndër prioritetet për zhvillimin në një nivel më të lartë profesional të administratës, është edhe ngritja e një universiteti të administratës publike. Gjithashtu kryeministri theksoi se qeverisja elektronike është shumë e domosdoshme dhe se qeveria shqiptare do të ecë me shpejtësi në këtë drejtim.
Në kuadrin e bashkëpunimit, Kryeministri u shpreh se qeveria e Shqipërisë do të japë mbështetje të plotë edhe për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave, duke qenë se në këtë drejtim ëhstë krijuar një përvojë shumë e vlefshme. “Ju garantoj se mbështetja jonë do të jetë e pakursyer, pasi na duhet bashkërisht zhvillimi ekonomik dhe integrimi global.”, tha kryeministri.
07/05/2010