Kryeministri Berisha inauguron rrugën e re turistike Tale-Lezhë dhe fillimin e punimeve për rrugën dytësore Lezhë, ish SMT-Rrillë
- Kryeministri u shpreh se inaugurimi i rrugës Tale- Lezhë vjen si përmbushje e premtimit të qeverisë se brenda vitit 2010 nuk do të ketë asnjë rrugë të paasfaltuar që zbret drejt detit, nga Ksamili në Velipojë.
- Duke siguruar se së shpejti, projekte të tjera, të rëndësishme do të fillojnë në këtë zonë, Kryeministri garantoi se qeveria do të vazhdojë të financojë çdo projekt në të mirë të qytetarëve, në mënyrë që të lehtësojë veprimtarinë e tyre, të modernizojë shërbimet ndaj tyre, duke u dhënë kështu, mundësi më të mira për të ndërtuar të ardhmen .
Kryeministri Berisha inauguroi rrugën e re turistike Tale-Lezhë me gjatësi 9, 5 km dhe vlerë rreth 85 milion lekë, si dhe fillimin e punimeve për rrugën dytësore Lezhe – ish SMT- Rrillë me vlerë investuese rreth 900 mijë euro.
Më pas, kryeministri Berisha u takua me banorë të komunës së Shënkollit në Lezhë, të cilëve iu uroi rrugën e re që lidh komunën me bregdetin, duke e cilësuar atë, si një prej rrugëve më të bukura turistike. “ Le të shpallim së bashku me inaugurimin e rrugës, inaugurimin e sezonit turistik në Tale, në këtë zonë të mrekullueshme” – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri u shpreh se rruga e sapo përfunduar do të mundësojë që qytetarët e Lezhës, Mirditës, Burrelit, Peshkopisë, Tropojës, por edhe të mbarë Kosovës, të shfrytëzojnë bukurinë e mahnitshme të plazhit të kësaj zone.
Kryeministri theksoi se inaugurimi i kësaj rruge përbën një akt të rëndësishëm, në angazhimet, në projektet e qeverisë, për të asfaltuar çdo kilometër rrugë që shkon drejt detit, nga Velipoja në Ksamil.
Duke siguruar se së shpejti, projekte të tjera, të rëndësishme do të fillojnë në këtë zonë, Kryeministri garantoi se qeveria do të vazhdojë të financojë çdo projekt në të mirë të qytetarëve, në mënyrë që të lehtësojë veprimtarinë e tyre, të modernizojë shërbimet ndaj tyre, duke u dhënë kështu, mundësi më të mira për të ndërtuar të ardhmen.
Në përshëndetjen drejtuar banorëve, kryeministri u shpreh:
“Banorë të komunës së Shënkollit. Ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time të madhe për të ndarë me ju gëzimin e përfundimit të punimeve të njërës prej rrugëve më të bukura turistike. Rrugën që lidh komunën truaj me bregdetin. Shënkolli është një prej komunave më të rëndësishme të vendit, është një komunë me potenciale shumë të mëdha,një komunë me një territor ndër më pjellorët në Shqipëri, një komunë me njerëz që kanë ndërtuar begatinë e tyre me mund dhe djersë.
Komuna është një komunë me një bregdet të mrekullueshëm. Rruga që sapo inauguruam prej 9.5 km e përfunduar në një kohë rekord në dy lote, bën të mundur që qytetarët e Lezhës , të Mirditës, të Burrelit, të Peshkopisë, të Tropojës por dhe të mbarë Kosovës, të shfrytëzojnë bukurinë e mahnitshme të plazhit tuaj, të njohin bujarinë e familjeve tuaja dhe të kalojnë këtu pushime mbresëlënëse për të gjithë jetën e tyre.
Ndaj zoti kryetar, le të shpallim së bashku me inaugurimin e rrugës, inaugurimin e sezonit turistik në Tale, në këtë zonë të mrekullueshme.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Shënkollit!
Inaugurimi I sotëm I kësaj rruge përbën një akt të rëndësishëm në angazhimet , në projektet e qeverisë sime për të asfaltuar çdo kilometër rrugë që shkon drejt detit, nga Velipoja në Ksamil.
Ata të cilët kanë qenë skeptikë dhe gjysmë mosbesues ndaj këtij projekti të madhe i ftoj të ndjekin Sali Berishën, se çdo javë nga një rrugë do të inaugurojmë.
Të vijnë së bashku me mua dhe të inaugurojnë sepse jemi të angazhuar që në këtë vend, potencialet turistike, ti shfrytëzojmë në maksimum dhe unë jam këtu për tu zotuar para jush se siç ka qenë premtuar, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara nga Ksamili në Velipojë. çdo rrugë që zbret drejt detit do të jetë rrugë e standardeve më të mira.
Së shpejti, projekte të tjerë të rëndësishme do të fillojnë në këtë zonë. Dua tu informoj ju, se ne kemi përfunduar tërësisht projektin e njërës prej rrugëve me turistike më të bukura të vendit, rruga që lidh Lezhën me Ulqinin, rrugë e cila kalon deri në Velipojë. Javët që vijnë ne do të inaugurojmë së bashku rrugën e Patokut , e cila zbret edhe ajo deri në det. Fillimin e punimeve të rrugës tjetër që lidh Lezhën me Bunën, pra ne i qëndrojmë projektit tonë. Sapo bisedova me autoritet vendore që të ndërtojmë çdo kanal dhe çdo burim uji. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të nxirrni maksimumin e prodhimit nga tokat tuaja.
Të dashur qytetarë të komunës së Shënkollit!
Ky vit është një vit i madh për ne. është një vit i madh për të gjithë shqiptarët. Këtë vit ne do të fitojmë të drejtën të lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Kjo përbën një arritje historike, të pritur në shekuj nga shqiptarët. Këtë vit ne dorëzuam në Bruksel, librin më të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve për statusin e kandidatit. Libri që dorëzuam në Bruksel është libri i kontributeve tuaja, i mundit, i djersës, përkushtimit tuaj, është dhe libri i ëndrrave tuaja, i ëndrrave të fëmijëve tuaj për një Shqipëri evropiane.
Unë ju garantoj ju, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që çdo ditë, Shqipëria të marrë pamjen që meriton, Shqipëria të marrë pamjen e saj evropiane dhe evropiane është vetëm një Shqipëri , e cila I ofron qytetarëve të saj rrugë moderne, furnizim me ujë, shkolla moderne, shërbim shëndetësor modern. Evropiane është Shqipëria, qytetarët e së cilës lëvizin të lirë, në mbarë Evropën. Edhe njëherë ju përshëndes vëllazërisht dhe ju garantoj se investime të tjera të mëdha janë të parashikuara.
Zotërinj kryetarë komunash! Edhe njëherë le të vazhdojmë ne të financojmë projektet tuaja, çdo projekt që ju mendoni se duhet të ndryshojë për mirë jetën e këtyre qytetarëve, në mënyrë që të lehtësojmë veprimtarinë e tyre, të modernizojmë shërbimet ndaj tyre, tu japim mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre.
08/05/2010