E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, z.Lutfi Haziri

- Kryeministri Berisha deklaroi, se është një shans i madh për kulturën tonë kombëtare, që në dobi të saj punojnë së bashku dy administrata. Shqiptarët kanë një identitet të qartë, i cili krijon siguri, krenari dhe nuk e komplekson popullin tonë ndaj popujve të tjerë

Kryeministri Sali Berisha priti në një takim të përzemërt z.Lutfi Haziri, Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës.

Z. Haziri pasi i dhuroi në mënyrë simbolike deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në një pergamenë, i shprehu kryeministrit falënderimin e sinqertë për pritjen e ngrohtë si dhe në veçanti për kontributin e madh që z.Berisha ka dhënë për pavarësinë e Kosovës, e gjithashtu për ruajtjen dhe mbrojtjen e etnokulturës dhe gjuhës sonë kombëtare në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. “Sot jemi mjaft të kënaqur, - theksoi z.Haziri, - sepse kemi nënshkruar programin e bashkëpunimit kulturor për vitet 2010-2012 me Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë. Kjo marrëveshje do t’i shërbejë nxitjes së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve të të njëjtit popull. Për këtë arsye ne do të jemi mbartësit por edhe gardianët e këtij program të përbashkët”.

Duke i uruar për arritjen e marrëveshjes, Kryeministri Berisha deklaroi, se është një shans i madh për kulturën tonë kombëtare, që në dobi të saj punojnë së bashku dy administrata. Shqiptarët kanë një identitet të qartë, i cili krijon siguri, krenari dhe nuk e komplekson popullin tonë ndaj popujve të tjerë.

Etnokultura dhe gjuha jonë janë dy elementë, të cilët e kanë ruajtur dhe forcuar më shumë se çdo gjë tjetër identitetin tonë kombëtar. Prandaj ne, nuk duhet të kursejmë asgjë për forcimin e institucioneve tona të kulturës kombëtare, për nxitjen e talenteve të reja, dhe zhvillimin e burimeve kulturore.

Shqipëria është në fazën e një reforme të thellë për të ngritur nivelin e institucioneve kulturore në nivelin e kërkesave të menaxhimit evropian të monumenteve, muzeve dhe projekteve të zhvillimit kulturor kombëtar.

Në këtë kuadër, krahas shkëmbimeve kulturore, Alpet Shqiptare do të ishin një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit në fushën e turizmit si dhe në evidentimin e bukurive të natyrës.

Shqipëria dhe Kosova, përfundoi Kryeministri, i kanë të gjitha mundësitë për të alternuar turizmin bregdetar dhe atë alpin në favor të prosperitetit të tyre.


07/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›