Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave Master nga Institucioni i Arsimit të Lartë Privat, ISSAT
- Kryeministri Berisha: Qeveria javën e kaluar, në kuadër të thellimit të reformës për arsimin e lartë, ka përcaktuar TOEFL-in si kusht për të vazhduar studimet për Master
- Kryeministri Berisha: Qeveria ka vendosur të heqë TVSH-në për arsimin. Duke filluar nga viti që vjen arsimi është i pari dhe i fundit që do të jetë pa TVSH, sepse për të tjerat do të mbetemi tek të 10-at
- Kryeministri Berisha: Unë ju garantoj se nuk do të jetë e largët dita kur buxheti i shtetit do të shpërndahet si për shkollat publike ashtu edhe për shkollat private
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave për studimet Master i Nivelit të Dytë, nga Institucioni i Arsimit të Lartë Privat, ISSAT.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh gradimi i këtyre studentëve përbën një kontribut të madh në arsimin universitar dhe pasuniversitar të vendit. Kryeministri u shpreh se ky Master ka një meritë të madhe, pasi shumë nga leksionet e tij janë ndjekur në gjuhën angleze. Në këtë kontekst - u shpreh Kryeministri - qeveria javën e kaluar, në kuadër të thellimit të reformës për arsimin e lartë, ka përcaktuar TOEFL-in si kusht për të vazhduar studimet për Master.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se qeveria ka vendosur të heqë TVSH-në për arsimin. “Duke filluar nga viti që vjen arsimi është i pari dhe i fundit që do të jetë pa TVSH, sepse për të tjerat do të mbetemi tek të 10-at”, u shpreh ai.
Mw tej, Kryeministri Berisha u shpreh se një grup i gjerë drejtuesish dhe specialistësh po punojnë për të adoptuar një sistem të ri financimi, si rruga më e sigurt për të dyfishuar burimet financiare për arsimin. “Unë ju garantoj se nuk do të jetë e largët dita kur buxheti i shtetit do të shpërndahet si për shkollat publike dhe ato private”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se do të bëhet çdo përpjekje për të inkurajuar kërkimin shkencor, për të financuar projektet, për të decentralizuar vendimmarrjen për kërkimin shkencor dhe për miratimin e projekteve, me besimin më të madh se ky është një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e universiteteve tona dhe sistemit tonë akademik.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
“Të nderuar ministra,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
I nderuar President i ISSAT, Zhorzh Zhea,
Të nderuar pedagoge dhe pedagogë,
Të dashur studente dhe studentë që diplomoheni sot me Master të Nivelit të Dytë.
Së pari dëshiroj t’ju përgëzoj shumë përzemërsisht për punën e madhe që keni bërë, për përkushtimin dhe për sakrificën, si dhe të falënderoj ata që ju mbështetën në këtë iniciative të shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të rëndësishme. Kjo ditë e gradimit tuaj me Master të Nivelit të Dytë është një ditë shumë e rëndësishme për jetën akademike universitare, por edhe për vendin në tërësi. Gjithashtu, dua të shpreh falënderimin dhe mbështetjen time për Presidentit e ISSAT z. Zhorzh Zhea dhe për Presidentin e Nderit të ISSAT z. Rene Van Der Linden, të cilët dy vjet më parë nisën së bashku me fillimin e kësaj ideje dhe sot ata e konkretizojnë atë me një rezultat shumë të rëndësishëm.
Masteri me të cilin ju sot gradoheni përbën një kontribut të madh në arsimin universitar dhe pasuniversitar të vendit. Ai ka specifika shumë të lavdërueshme. Degët ku ju keni studiuar janë sot nga më të rëndësishmet për vendin. Ky Master është një model edhe për institucione të tjera të larta të vendit. Modeli qëndron në bashkëpunimin e domosdoshëm ndërkombëtar në fushën akademike dhe në fushën e arsimit. Ky është produkt i një bashkëpunimi të shkëlqyer të universiteteve të vendit dhe universiteteve tuaja. Ky Master mbart në vetvete kredenciale plotësisht të besueshme. Ne jetojmë sot një botë të hapur dhe, njëlloj si ISSAT-i, në emër të cilësisë dhe shkallës së lartë të përgatitjes vendosi një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar me universitetet e Mastritit, të Brukselit, të Parisit, të Tiranës, të Durrësit.
Uroj dhe dëshiroj që të gjitha universitetet e vendit, pa hezitim, në emër të cilësisë së mësimdhënies të vendosin bashkëpunimin ndërkombëtar më të gjerë të mundshëm. Ky është interesi më i mirë i tyre dhe i shoqërisë shqiptare. Ky Master ka një tjetër meritë të madhe, sepse shumë nga leksionet e tij janë ndjekur në gjuhën angleze. Kjo përbën një meritë të padiskutueshme. Me gjithë trashëgiminë e madhe dhe kontributin e madh që kanë në qytetërimin e sotëm botëror gjuhë të tjera të mëdha, gjuha angleze është bërë gjuha e integrimit. Pra, ajo është gjuha e projektit më të madh të kombit tonë: integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, qeveria javën e kaluar, në thellim të reformës për arsimin e lartë, ka përcaktuar TOEFL-in si kusht për të vazhduar studimet për Master. Në tërësi kjo është pritur mirë, por ka pasur edhe ndonjë reagim dhe kjo është normale. Më duhet të them se ky ka qenë një hap i domosdoshëm. Ky vendim përmbushet plotësisht me kapacitetet intelektuale të studentëve vendit dhe në vetvete përbën një nga shtyllat më kryesore të Masterit. Ne jemi të angazhuar në një reformë të thellë të sistemit arsimor. Nuk ka reformë më të rëndësishme dhe nuk ka investim më jetik për ndërtimin e të ardhmes nga kombi ynë, një komb që në shekuj nuk arriti ta ndërtojë të ardhmen, por që mbijetoi për shkak të mbrapshtirave të historisë. Por tani kombi ynë është i lirë dhe, me një ambicie të papërmbajtur pozitive, me një vullnet të hekurt, me përkushtim total, duhet të kapë kohën që ka humbur. Për të realizuar këtë ka vetëm një levë dhe një mekanizëm mbi të gjithë të tjerët, ky është arsimi, edukimi dhe shkollimi.
Unë ju garantoj se ne si qeveri e kemi dhe do ta mbajmë përparësi absolute nxitjen, zgjerimin dhe rritjen e cilësisë. Nevojat tona janë të jashtëzakonshme. Ne jemi mbrapa nevojave që kemi. Dy ditë më parë unë isha në fakultetin e Teknologjisë së Informacionit ku u shpërndanë diplomat për studentë dhe për studime Master. Dhe, në rast se shkalla e penetrimit të internetit është rritur gjatë këtyre katër viteve me rreth 7 herë, është larg së rrituri në këtë proporcion numri i kuadrove, ekspertëve dhe specialistëve që duhet të përballen me këtë fushë. Unë mora njërën prej fushave, por tregu ka kërkesa shumë të mëdha. Duhet që arsimi dhe edukimi t’i përshtatet tregut. Shumë nga ju jeni diplomuar sot në bankë, në financë, në administrim biznesi, fushat më prioritare të tregut të vendit.
Qeveria ka vendosur të heqë TVSH-në për arsimin. Duke filluar nga viti që vjen arsimi është i pari dhe i fundit që do të jetë pa TVSH, sepse për të tjerat do të mbetemi tek të 10-at. Sikundër, një grup i gjerë drejtuesish dhe specialistësh po punojnë për një sistem të ri financimi. Unë ju garantoj se nuk do të jetë e largët dita kur buxheti i shtetit do të shpërndahet si për shkollat publike ashtu dhe për shkollat private. Ne do të studiojmë dhe do të adaptojmë sistemet më të mira, jo me qëllim për të dobësuar financimin, por si rruga më e sigurt për të dyfishuar burimet financiare për arsimin. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të nxitur kërkimin shkencor. Kërkimi shkencor është plazma, e cila konsolidon dhe shtyn përpara të gjithë sistemin. Arsimi universitar pa kërkimin shkencor ecën tërësisht drejt animizmit, për të mos thënë formalizmit të papranueshëm.
Ndaj, ne do të bëjmë çdo përpjekje për të inkurajuar kërkimin shkencor, për të financuar projektet, për të decentralizuar vendimmarrjen për kërkimin shkencor, për miratimin e projekteve, me besimin më të madh se ky është një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e universiteteve tona, e sistemit tonë akademik.
Zonja dhe zotërinj,
Rezultati i sotëm i këtij Masteri është shumë inkurajues. Zoti Zhea dhe zoti Van Der Linden punuan me përkushtim të madh, me seriozitet të madh dhe kanë shënuar një arritje shumë serioze. Unë do të garantoj të graduarit, një pjesë e të cilëve janë aktualisht në administratën shtetërore dhe të tjerë do vijnë, se nuk do të hezitoj të ndërmarr çdo masë për të diferencuar në sensin pozitiv dhe për të vlerësuar meritën e tyre. Neve na duhet një administratë e njerëzve të mirëshkolluar, na duhet një administratë e specialistëve më të mirë, dhe ata gjinden midis jush dhe të tjerëve që janë shkolluar apo janë në shkollim e sipër. Administratës do t’i krijojmë të gjitha mundësit të shqyrtojë mundësinë e viteve sabatike. Nuk kemi pse të mos mbështesim ambicien e atyre burrave dhe grave që sot mbajnë administratën e vendit, që sot administrojnë shtetin në interesin më të mirë të shoqërisë.
Edhe një herë ju përgëzoj dhe juve zoti Zhea ju falënderoj për këtë punë të mrekullueshme që keni bërë.
Urime!”
07/05/2010