Kryeministri Berisha takon Konsullen e nderit të Republikës së Shqipërisë në Austri, zonjën Marianne Graf
Kryeministri Berisha priti sot, në një takim, Konsullen e nderit të Republikës së Shqipërisë në Austri dhe Presidenten e Shoqatës së Bashkëpunimit Shqipëri-Austri, Dr. Marianne Graf.
Kryeministri e falënderoi zonjën Graf për kontributin e saj të shquar prej 18 vjetësh në ndihmë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe për ndihmën e pareshtur që ajo jep për bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Austrisë.
Zonja Graf e informoi Kryeministrin për punën e saj dhe të Shoqatës së Bashkëpunimit Shqipëri-Austri, sidomos në zonat e Veriut,që tashmë përfshin rreth 80 projekte të zbatuara në shëndetësi, kanalizime, trashëgimi kulturore, ndërtim urash, rehabilitim objektesh, ndihma humanitare dhe të tjera që janë në vazhdim, të tilla si rindërtimi i 8 kullave në rrethin e Matit, krijimin e një muzeu etnografik, të nxitjes së ekoturizmit në Rubik, Fushë-Arrëz, Dibër, etj.
Nga ana e tij, Kryeministri e garantoi zonjën Graf se do të ketë përkrahjen e vazhdueshme të qeverisë për kontributin e saj të çmuar që jep në kapërcimin e vështirësive të zonave të Veriut, si edhe të nxitjes së vazhdueshme për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe si nxitëse e vazhdueshme për bashkëpunimin e Shqipërisë me Austrinë dhe vendet e makro rajonit, Alpe-Adriatik-Ballkan.
Në takim zonja Graf shoqërohej edhe nga Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkëpunimit Shqipëri-Austri, Skënder Thaçi.
30/03/2010