E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Nënkryetarin e Gjykatës së Distriktit të Floridsdorfit në Austri, Gerhard Rajsner.

30 mars 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Nënkryetarin e Gjykatës së Distriktit të Floridsdorfit në Austri, zotin Gerhard Rajsner, i cili është edhe Kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjyqtarëve. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve shqiptarë, zoti Artur Kalaja.

Duke i uruar mirëseardhjen, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë vuri në dukje rëndësinë e këtij takimi, si një rast për të shkëmbyer mendime e përvoja lidhur me çështje me rëndësi për sistemin e drejtësisë, sidomos duke u bazuar në modelin e shtetit të së drejtës në Austri, për respektimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin e pavarur dhe profesional të gjykatësve, etj.

Kreu i shtetit pasi bëri një përshkrim të hollësishëm të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë si dhe të sfidave me të cilat ky system përballet, vlerësoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave pozitive mes institucioneve të ndryshme të drejtësisë ku: “një hap pozitiv dhe cilësor do të ishte edhe anëtarësimi i Unionit të Gjyqtarëve shqiptarë në gjirin e Shoqatës Ndërkombëtare të Gjyqtarëve.” Kreu i shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe konsultimin profesional dhe objektiv me Shoqatën e Gjykatësve shqiptarë edhe gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidaturave më cilësore për emërime në Gjykatën e Lartë.

Nga ana e tij, Nënkryetari i Gjykatës së Distriktit të Floridsdorfit në Austri, zoti Gerhard Rajsner falenderoi Presidentin Topi për pritjen dhe për panoramën e hollësishme rreth arritjeve dhe sfidave të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Zoti Rajsner theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes organizatave dhe institucioneve të ndryshme të drejtësisë në drejtim të marrjes së përvojës së vyer si dhe rritjes së efektshmërisë, cilësisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›