E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet Kryeministrit të Federatës Ruse Vladimir Putin për sulmet në metronë e Moskës

Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi Kryeministrit të Federatës Ruse z. Vladimir Putin për sulmet e organizuara në metronë e Moskës, ku humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Në këtë telegram, Kryeministri Berisha shkruan:

“Shkëlqesi,

Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ngjarjen tragjike të 29 marsit 2010, ku si pasojë e sulmeve të organizuara terroriste në metronë e Moskës, humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Duke dënuar këtë akt të thellë barbar, uroj dhe shpresoj që autorët e tij do të marrin dënimin që meritojnë.

Më lejoni Zoti Kryeministër që, në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal, t’Ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta, Ju, qeverisë që Ju drejtoni dhe familjarëve të viktimave, t’u uroj shërim të shpejtë të plagosurve, si dhe të shpreh mbështetjen e plotë morale dhe solidaritetin, lidhur me këtë ngjarje që tronditi Rusinë dhe tërë botën.

Sinqerisht,

Sali Berisha”


30/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›