E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Brenda mandatit tonë të dytë do ti shndërrojmë fshatrat e bregut, në qendra të fuqishme të turizmit në Shqipëri

Në vijim të vizitës në qytetin e Vlorës, Kryeministri Berisha inauguroi rrugën e re të Bregut.  Duke e vlerësuar rrugën, si një ndër më të bukurat në Shqipëri, Kryeministri tha se rruga do të rigjallërojë dhe do të shumëfishojë ndjeshëm potencialin turistik të fshatrave të Bregut.

Duke iu drejtuar banorëve të Dhërmiut, kryeministri Berisha tha qeveria është e vendosur që në mandatin e dytë të krijojë në fshatrat e Bregut, standardet më të mira të mikpritjes dhe të jetesës duke i shndërruar ato, në qendra të fuqishme të turizmit në Shqipëri.

Më tej në fjalën e tij, Kryeministri tha:

“Të dashur banorë të Dhërmiut dhe të fshatrave të bregut.

Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë  e madhe të ndaj me ju frymën, dritën,  fitores së madhe, gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge, më e bukura në Shqipëri. Sot ne inaugurojmë rrugën më të bukur të vendit, rrugë, të cilën ju e meritoni plotësisht, rrugë e cila rigjallëroi ndjeshëm dhe do të shumëfishojë potencialin tuaj mikpritës turistik.  Inaugurimi i kësaj rruge përben një ngjarje madhore për të gjithë Shqipërinë në tërësi dhe për Shqipërinë turistike në veçanti. Shqipëria dhe ju të gjithë keni në brigjet  e Jonit potencialin më të jashtëzakonshëm turistik në tërë rajonin, ndaj dua tu uroj nga zemra që ju ta gëzoni këtë rrugë dhe tu garantoj se ashtu siç bëmë këtë rrugë, brenda vitit 2010 do të bëjmë rrugën e këtyre fshatrave nga Orikumi në Sarandë.  Siç bëmë këtë rrugë dhe siç po ndërtojmë në çdo fshat  rrugë ose ujësjellës, dua tu garantoj se në çdo familje të bregut brenda vitit 2010 do të përfundojë furnizimi  me ujë 24 orë për cdo  familje. Ne jemi të vendosur të krijojmë në fshatrat tuaja standardet më të mira të mikpritjes, të jetesës dhe ti shndërrojmë ato në qendra të fuqishme të turizmit në Shqipëri. Unë ju siguroj ju, se vitet që vijnë janë vitet e mëdha të Shqipërisë turistike. Ne këtë kontekst bregu pa mëdyshje është potenciali më i jashtëzakonshëm i Shqipërisë turistike, duke ju garantuar për infrastrukturën më moderne, për furnizimin më të mirë të parametrave evropiane me energji. Sot bëmë provën e parë të TEC të Vlorës i cikli ekuilibron tërësisht furnizimin tuaj me energji. Edhe sikur TEC-in ta ndërtonin vetëm për zonën tuaj ia vlente, sepse ne duam tu krijojmë juve të gjitha kushtet e jetesës për ti dëshmuar vetes suaj dhe miqve që ju vijnë, mikpritjen më të mirë.

Unë kam një thirrje ndaj jush në zhvillimin e këtij vendi ne mbështetemi dhe do të mbështetmi në potencialet e mëdha zhvillimore të secilit rajon, qark, rreth dhe nuk ka dyshim se potenciali  juaj turistik është potenciali i të gjitha potenciale. Tradita  juaj e shkëlqyer e ullirit dhe agrumeve nuk është një traditë për  tu lëne mbas dore, ndaj u bëj thirrje ju të mbillni ullinj dhe agrume pa kufizim. Qeveria do tua financojë ato. Nuk duhet të lemë burim pa shfrytëzuar për mirëqenien tone, po kështu edhe ju. Ju keni qenë, në dekada  e dekada, në mos shekuj, eksportues të ullirit dhe të agrumeve më të shkëlqyera, ndaj ju bëj thirrje që krahas përparësisë absolute për turizmin, ne tu kthehemi edhe kulturave më tradicionale të kësaj zone të mrekullueshme.

Ju bëj thirrje bijve tuaj, të kthehen  këtu , të investojnë  atë praktikë dhe ato që kanë mësuar  në Greqi, Itali apo kudo që ata ndodhen , ta sjellin këtu eksperiencën e tyre, sepse kudo që ata janë, vend më të bukur, breg më të bukur, ujëra më të mrekullueshme se këtu, nuk ka dhe nuk do të gjejnë në asnjë vend tjetër. Ndaj le të vendosim, për ta bërë këtë zonë, një nga zonat më të famshme në Evropë për potencialin e saj turistik, një nga zonat më të zhvilluara. Le ta zhvillojmë atë mbi bazën e kritereve më të mira , më të shkëlqyera.  Masterplani që ju e njihni shumë mirë është një kushtetutë  e shkëlqyer e turizmit në këtë zonë, që ju mbron ju nga betonizimi dhe grabitqarët, që ju jep ju të drejtën si komunitet të vendosni  se çfarë do të ndërtoni, që ju jep ju të drejtën të parashikoni vetë zhvillimin më të mirë në interesin tuaj më të mirë dhe interesin e vendit.

Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju ftoj që në 28 qershor të votojmë projektin evropian, projektin e bregut evropian se ky projekt është i thjeshtë por jetik. Ky projekt nënkupton rrugë si kjo , nënkupton asfaltimin dhe sistemin e të gjitha rrugëve, rrugicave dhe shesheve të fshatrave të bregut, nënkupton furnizim me ujë 24 orë për të gjitha familjet e bregut dhe te gjithë Shqipërisë, nënkupton pensione të barabarta me ato të qytetit dhe më të larta se të gjashtë vendeve anëtare të BE-së.Ky projekt nënkupton që ju , fermerëve të bregut dhe mbarë fermerëve shqiptarë qeveria ime tu financojë që të gjitha projektet për të nxitur prodhimin bujqësor, blegtoral, të agrumeve apo ullirit. Ky projekt bazohet tek djersa, mundi, përkushtimi, dashuria për Dhërmiun , bregun dhe Shqipërinë, për zhvillimin e saj. Ndaj dhe më 28 qershor, unë ftoj të gjithë banorët e bregut pavarësisht nga bindjet e tyre politike të votojmë për infrastrukturën moderne bregut, për pensione dhe rroga më të larta, për furnizimin 24 orë me ujë, për turizmin në këtë zonë, shumëfishimin  e tij gjatë katër viteve që vijnë, për një breg i cili i rikthehet pasurive të tij përrallore, dhe traditës së tij të shkëlqyer për të ndërtuar të ardhmen që meriton.

Ju përshëndes dhe ju uroj gëzuar rrugën. Fitore"


23/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›