Kryeministri Berisha inauguron rrugën hyrëse të qytetit të Fierit
Kryeministri Berisha inauguroi sot rikonstruksionin e plotë të rrugës hyrëse të qytetit të Fierit. Investimi për këtë rrugë kap vlerën 285 milionë lekë të reja. Kjo rrugë është ndërtuar me të gjitha parametrat e duhur dhe standardet më të larta për një rrugë moderne europiane.
Kryeministri vlerësoi se me këtë rrugë, Fieri fiton infrastrukturën moderne që meriton. “Inauguruam rrugën hyrëse të Fierit, të këtij qyteti ndër më kryesorët në vend dhe që gradualisht po fiton të gjithë infrastrukturën moderne që meriton. Së shpejti fillon edhe bypass-i që lehtëson trafikun në këtë zonë. Rruga hyrëse e këtij qyteti, tashmë është e parametrave evropiane, një investim 285 milionë lekë të reja”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se, po sot, kishte inauguruar investime të përfunduara apo në përfundim e sipër, me vlerë rreth 190 milionë euro. Në këtë aspekt, Kryeministri përmendi inaugurimin e rrugës së Bregut, prej rreth 80 kilometrash, e cila, theksoi ai, “u përfol që në kohën e Austro-Hungarisë, por që u injorua”. Gjithashtu, u inaugurua edhe TEC-i i Vlorës, një investim prej 120 milionë euro, e të tjera investime.
Të gjitha këto investime, tha Kryeministri, janë dëshmia reale se “Shqipëria që po ndryshon”.
23/06/2009