E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Lushnjë: Në mandatin e dytë, do vazhdojmë revolucionin industrial në Shqipëri

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha zhvillim një takim me qytetarë të Lushnjës. Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të pranishëm në tubim, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetare e qytetarë të Lushnjës,

Mirëmbrëma dhe gëzuar fitoren. Sjell këtu tej ju përshëndetjet më vëllazërore nga Saranda, Tropoja, Dibra, Tirana dhe mbarë Shqipëria. Sjell tek ju flakën e fitores sonë të madhe, fitores historike që rikthen 22 marsin e dytë. Vij tek ju, pasi ki kam rënë Shqipërisë në të katër anët dhe kudo, njëlloj si tej ju, në sytë e grave, të fëmijëve, të të moshuarve kam gjetur fitoren dhe vetëm fitoren.

Qytetare e qytetarë të Lushnjës,

Vetëm pak ditë na ndajnë nga data 28 qershor, ditë në të cilën ju dhe mbarë shqiptarët firmosni për shndërrimin në realitet të ëndrrës suaj, të Lushnjës europiane, Shqipërisë europiane.

Vij sot për t’ju garantuar se katër vitet që vijnë, do lëvizni brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë të lirë, pa viza, në mbarë Europën.

Në katër vitet që vijnë, qytetarët e Lushnjës, qytetarët shqiptarë do të kenë punësim në nivelin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ne do krijojmë 160 mijë vende të reja pune në mbarë Shqipërinë. Ne kemi firmosur dhe kemi të gatshme 5.6 miliard euro investime në mbi 104 hidrocentrale, në 6 parqe industriale, në 4 parqe energjetike dhe dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera të revolucionit industrial në Shqipëri. Dhjetëra e mijëra vende pune do të krijohen në ndërtimin e mijëra kilometrave rrugë, në ndërtimin e ujësjellësve, shkollave dhe kanalizimeve në mbarë vendin. Dhjetëra e mijëra vende pune do të krijohen në bizneset e reja. Ne do të punësojmë shqiptarët.

Qytetare e qytetarë të Lushnjës,

Katër vitet që vijnë, ne garantojmë fermerët e mrekullueshëm të Lushnjës e mbarë Myzeqesë se së pari, do të financojmë çdo projekt të tyre për nxitjen, përpunimin dhe marketingun e prodhimeve të tyre, do të financojmë çdo rrënjë ulliri që do të mbillet në territorin e Lushnjës, do të subvencionojmë akcizën e naftës dhe inputet për çdo sipërfaqe të mbjellë. Fermerëve të Lushnjës e mbarë Shqipërisë ju garantojmë se katër vitet që vijnë, do të jenë vitet e Lushnjës nën ujë, Shqipërisë nënë ujë. Vaditja e tokave tuaja do të jetë përparësi madhore e jona.

Qytetare e qytetarë të Lushnjës,

Fermerëve të Lushnjës ju garantojmë se katër vitet që vijnë, pensionet e tyre do të jenë të barabarta me pensionet në qytet. Ndërsa për lushnjarët e mbarë shqiptarët garantojmë pensione e paga më të larta se në 6 vende anëtare të BE-së.

Katër vitet që shkuan, në Lushnje, ne kemi asfaltuar mbi 33 rrugë. Dhe unë jam sot për t’u zotuar se brenda vitit 2010, në Lushnje nuk do të ketë asnjë metër rrugë të paasfaltuar. Në Lushnje, në rrugët e saj, ujësjellësit, kanalizimet, shkollat, në qendrat shëndetësore, ne kemi investuar për katër vite rreth 30 herë më shumë, se në 8 vitet e mëparshme dhe ju garantojmë për katër vitet që vijnë, investimet tona do  jenë mbi 10 herë më të mëdha se të këtyre 4 viteve që shkuan. Lushnja është vendi i potencialeve të mëdha turistike, potencialeve të mëdha industriale, i potencialeve të mëdha bujqësore dhe njerëzore.

Edhe një herë, të dashur qytetarë e qytetare të Lushnjës, ju bëj thirrje më 28 qershor të bashkohemi pa dallim nga bindjet politike. Ju bëj thirrje socialistëve të Lushnjës e mbarë Shqipërisë, të gjithë qytetarëve shqiptarë, për të cilët ëndrra europiane është projekti më i bukur, më madhështor i jetës së tyre, për veten dhe fëmijët e tyre, të bashkoheni me ne, se ne jemi ata që bashkërisht me ju do ta bëjmë këtë ëndërr realitet, bashkohuni me ne, se me votën tuaj ju votoni për Lushnjën europiane, për pensionet e rrogat tuaja, votoni për punësimin, votoni për Lushnjën turistike, votoni për mirëqenien, për shkollimin, për shërbim shëndetësor të cilësisë europiane.  Votoni me ne, se votoni për lëvizjen e lirë.

Qytetarë e qytetarë të Lushnjës, votoni më 28 qershor 10-ën, sepse 10-ta jeni ju, 10-ta është fitorja, 10-ta është Lushnja blu, 10-ta është Shqipëria blu, 10-ta është Partia Demokratike, 10-ta është Europa blu që mezi pret Lushnjën, Shqipërinë blu në gjirin e saj.

Rroftë Lushnja!

Rroftë fitorja!

Më 26 qershor, ju ftoj të gjithëve në Tiranë, të festojmë së bashku fitoren e madhe, fitoren e Lushnjës evropiane, Tiranës evropiane, Shqipërisë europiane.   


22/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›