E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekoron Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Ilker Bashbug me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

19 qershor 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Ilker Bashbug, gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi zotit Bashbug “Medaljen e Artë të Shqiponjës” dhe dekretin me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në transformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në NATO”.

Gjenerali turk Ilker Bashbug, pasi falenderoi Kryetarin e Shtetit për nderimin e lartë, u shpreh:

“I nderuar zoti President!
Unë do e quaj një ngjarje të veçantë nderimin nga ana juaj me dekorimin tim me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. Me këtë rast, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë dhe të përulur.

I nderuar zoti President!

Dekorimi nga ana juaj me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” do të më bëjë të ndihem më obligativ për të fituar dhe një distancë më të madhe për rritjen në një nivel më të lartë të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Forcave tona të Armatosura. Me këtë rast, do të desha të theksoj dhe njëherë se Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën e çdo turku, në zemrën e popullit turk. Dhe medalja juaj është një mesazh i veçantë. Unë, këtë mesazh do e përcjell në mënyrën më të mirë.”!

* * *

Para ceremonisë së dekorimit, Presidenti Topi zhvilloi një takim të veçantë me Gjeneralin turk Bashbug dhe delegacioni e lartë ushtarak që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Gjatë bisedës miqësore, Kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje veçanërisht dhe vlerësoi bashkëpunimin me palën turke në fushën e mbrojtjes, si dhe kontributin e Turqisë në modernizimin dhe realizimin me sukses të reformave në Forcat tona të Armatosura. Presidenti i Republikës vlerësoi mbështetjen e fuqishme të Turqisë, - një prej vendeve më të konsoliduara ushtarakisht, - në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një tregues konkret e i rëndësishëm i nivelit të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.

Ndërsa Gjenerali Bashbug, nga ana e tij, pasi vlerësoi reformat e kryera vitet e fundit në strukturat e mbrojtjes por dhe në fuqizimin e modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shprehu bindjen në vijim të bashkëpunimit të vendit të tij me strukturat përkatëse shqiptare edhe në të ardhmen, sidomos përsa i përket ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në Afganistan dhe në misionet e tjera paqeruajtëse. Gjenerali Bashbug e siguroi Presidentin Topi se Turqia do të vazhdojë e palëkundur të mbështesë Shqipërinë në përmbushjen e aspiratave integruese euroatlantike.

Në ceremoni ishin të pranishëm, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Maksim Malaj, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, përfaqësues të Ambasadës turke në vendin tonë, drejtues të lartë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›