Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të njësisë bashkiake nr. 8, nr. 9 dhe nr. 10, në Tiranë
- Kryeministri Berisha: Në katër vite, ne do t’i japim Shqipërisë fytyrën e fëmijëve tanë, imazhin më të bukur të saj
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje takime të veçanta me qytetarë të njësisë bashkiake nr. 8, nr. 9 dhe nr. 10, në Tiranë.
Në takimin me qytetarët e njësisë bashkiake nr. 9, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë të Tiranës,
Ju sjell sonte, këtu në këtë shesh, përshëndetjet më vëllazërore, ju sjell flakadanin, flakën e fitores, nga Saranda në Tropojë, nga Dibra në Korçë. Këto ditë, uragani i fitores sonë, uragani i lirisë, i entuziazmit, i besimit, i optimizmit të shqiptarëve është në zenitin e tij.
Sot, çdo qytetar shqiptar ka në duart e tij fitoren e madhe, fitoren e 22 marsit të ri, fitoren e 28 qershorit. Kjo fitore po ndryshon në mbarë qytetet e fshatrat e këtij vendi, sheshet e rrugët e tij, por mbi të gjitha në zemrat tuaja, në shpirtin tuaj. Ndaj, unë ju ftoj që sot, deri në 28 qershor, të vazhdojmë së bashku betejën për çdo votë, të bindim çdo qytetar të Tiranës, çdo mik, çdo të afërm, çdo të njohur, pavarësisht nga bindjet e tij politike, të bashkohet me ne në projektin e madh, në ëndrrën e madhe të Tiranës europiane, të Shqipërisë europiane, të bashkohet me ne, sepse duke votuar së bashku me ne, ka votuar për veten e tij, për ëndrrën më të bukur të tij, ka votuar për fëmijët e tij, ka votuar për një infrastrukturë modern në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, ka votuar për rroga dhe pensione më të larta se ato të 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ka votuar për shkolla moderne, shërbim shëndetësor modern, ka votuar për punësimin e tij dhe të 160 mijë shqiptarëve, ka votuar për ëndrrën e tij të shndërruar në realitet, për horizontin e ri që ne do të kapim së bashku.
Në 28 qershor, ftoj ju, ftoj mbarë shqiptarët, ftoj socialistët dhe qytetarët e të gjitha bindjeve politike, të votojnë 10-ën. 10-a është ëndrra europiane, 10-a është çdo shqiptar që I beson ëndrrës europiane, 10-a janë fëmijët tanë që meritojnë të ardhmen europiane, 10-a jemi ne që do të ndërtojmë të ardhmen europiane, 10-a është Tirana blu, 10 është Shqipëria blu, Europa blu.
Rroftë Tirana,
Rroftë Shqipëria,
Fitore”.
* * *
Gjatë takimit me qytetarë të njësisë bashkiake nr.10, në kryeqytet, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore. Unë ju sjell sonte këtu përshëndetjet më të përzemërta të qytetarëve të Sarandës, Gjirokastrës, Peshkopisë, Bulqizës, Burrelit, Krujës, Fushë Krujës, mbarë Shqipërisë.
Drita e fitores sonë europiane po ndriçon çdo fytyrë, çdo mendje, çdo zemër të shqiptarëve. Dita e 28 qershorit është dita jonë e madhe, është fitorja jonë europiane. Në 28 qershor, të bashkohemi, në këtë datë historike të firmosim së bashku ëndrrën tonë më të bukur, më fisnike, ëndrrën e Tiranës europiane, ëndrrën e Shqipërisë europiane.
Në katër vite, ne do t’i japim Shqipërisë fytyrën e fëmijëve tanë, imazhin më të bukur të saj. Ndaj ju bëj thirrje që këto ditë që na ndajnë nga 28 qershori, të trokisni në zemrën e çdo miku, e çdo shoku, çdo të afërmi, të cilitdo që ju njihni. Me dritën e fitores sonë europiane të pushtoni zemrën e tij apo të saj. Të bashkohemi në 28 qershor, të votojmë për të ardhmen tonë më të ndritur, të votojmë për rrogat dhe pensionet tona europiane, të votojmë për punësimin tonë të standardeve europiane, të votojmë për shkollat e shërbim shëndetësor të cilësisë europiane, të votojmë së bashku për një Shqipëri europiane, për një Shqipëri modern, për një Shqipëri e cila të bashkohet përfundimisht me fatin e saj që meriton, me Europën.
Qytetarë të Tiranës, pavarësisht nga bindjet tuaja politike, mos harroni se disa gjëra janë njëlloj të shenjta për të gjithë ne. E tillë është ëndrra jonë europiane. Mendoni për një moment; Kush është ai apo ata që mund ta bëjnë atë me siguri realitet. Ne jemi ata që bëmë ëndrrën atlantiste realitet, ne do të bëjmë ëndrrën tonë europiane realitet.
Ndaj, vota në 28 qershor për projektin europian është votë për veten tuaj, për fëmijët tuaj, votë për Tiranën, votë për mbarë Shqipërinë. Në 28 qershor, me votën tonë të lirë, do të firmosim projektin tonë madhështor, projektin që meriton çdo shqiptar. Në 28 qershor le të votojmë 10-ën, sepse 10 është ëndrra jonë, 10 janë fëmijët tanë, familjet tona, Tirana, kryeqyteti ynë blu, 10 është Shqipëria blu, Europa blu, 10 është Partia Demokratike.
Në 26 qershor, ju dhe mbarë Shqipëria, do të këndoni fitoren në Sheshin Skënderbej. Fitore”.
* * *
Ndërsa në takimin me qytetarë të njësisë bashkiake nr. 8, në Tiranë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore. Ju sjell sonte përshëndetjet më të përzemërta të Sarandës dhe Gjirokastrës, të Peshkopisë dhe Bulqizës, të Krujës dhe Fushë Krujës, të mbarë Shqipërisë. Sjell këtu tek ju mesazhin e madh të fitores që ka pushtuar sot mendjen, zemrën e të gjithë shqiptarëve.
Kudo që shkoj, këdo që takoj, në fytyrën e tij, në sytë e tij lexoj fitoren, fitoren e madhe, fitoren historike, fitoren e ëndrrës sonë evropiane, e të ardhmes që meritojmë.
Vetëm pak ditë na ndajnë nga dita e vendimit të madh. Këto ditë të gjithë së bashku të trokasim në zemrën e çdo miku, çdo mikeje, çdo shoku, shoqeje, të afërmi, cilido qoftë ai, pavarësisht nga bindjet e tij politike, ta ftojmë, ta thërrasim, ta bindim, të votojmë së bashku për projektin europian; të votojmë së bashku për Tiranën europiane; të votojmë së bashku për Shqipërinë europiane.
Ëndrra shqiptare europiane, që në katër vite do të bëhet realitet, është ëndrra më e bukur, më madhështore, është e ardhmja më e mirë, më e shkëlqyer për ne dhe fëmijët tanë. Ndaj dhe ne bashkohemi në këtë ëndërr, e cila do të bëhet realitet me Tiranën europiane, do të bëhet realitet me Shqipërinë europiane, me qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që gëzojnë të drejta dhe kushtet e jetesës së qytetarëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Ëndrra jonë do të bëhet realitet me punë për shqiptarët dhe për shtëpitë e tyre. Katër vitet që do të vijnë, ne do krijojmë në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë mbi 160 mijë vende pune të reja. Katër vitet që vijnë ne do të bëjmë që çdo fshat i Shqipërisë të ketë infrastrukturë të lagjeve të qyteteve tona. Katër vitet që vijnë, ju qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, do shëtisni në vendin tuaj në rrugët më moderne, nga Konispoli deri në Vermosh. Katër vitet që vijnë fëmijët tuaj do të shkollohen në shkollat më moderne, me cilësi të nivelit europian. Shërbimi shëndetësor do të arrijë nivelet europiane. Katër vitet që vijnë, rrogat dhe pensionet tuaja do t’i rrisim, do të bëhen më të larta sesa në 6 vende anëtare të Bashkimit Europian.
Le të ftojmë çdo shqiptarë të bashkohet me ne, të votojë së bashku me ne, sepse ka votuar për veten e tij, për fëmijën e tij, për rrogën dhe pensionin e tij, për shkollat moderne, ka votuar për një Shqipëri krejt tjetër, për një Shqipëri ku punësohen qindra mijëra qytetarë. Ka votuar për një Shqipëri me infrastrukturë moderne, ka votuar për një Shqipëri të përgatitur “nuse” për Bashkimin Europian. Ka votuar për heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë dhe lëvizjen e lirë në mbarë Europën.
Në 26 qershor, e tërë Shqipëria, mbarë qytetarët e këtij vendi, të dalin në sheshin Skëndërbej për të qëndruar së bashku me ju, qytetarë të Tiranës, si për 22 marsin e dytë, 22 marsin europian.
Në 28 qershor, të gjithë së bashku të votojmë 10-n. 10-a është ëndrra jonë më e bukur dhe fisnike; 10-a është e ardhmja jonë europiane; 10-a janë fëmijët tanë, familjet tonë, është Tirana blu, Shqipëria blu, Europa blu.
I garantoj shqiptarët se reformat tona do ta çojnë Tiranën dhe Shqipërinë në destinacionin e saj historik, në Europë.”
21/06/2009