E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha me qytetarë të Fierit: Bashkohuni me ne, se fitorja jonë është fitorja e projektit europiane

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim edhe me qytetarë të Fierit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, duke theksuar se në këto katër vite, mazhoranca ka përmbushur premtimet e saj, u ndal në prioritet e mandatit të dytë për qarkun e Fierit dhe në mbarë Shqipërinë.

“Të dashur qytetare e qytetarë të Fierit,

Mirëmbrëma dhe gëzuar fitoren. Fitoren e ëndrrës suaj më të bukur, fitoren e ëndrrës suaj europiane, fitoren e Fierit dhe të mbarë Shqipërisë, por mbi të gjitha, fitoren e fëmijëve tanë, që me projektin e Fierit evropiane, të Shqipërisë evropiane, ata vendosen në shtëpinë e ëndrrave të tyre, në shtëpinë më të bukur, në Europën e Bashkuar.

“Të dashur qytetare e qytetarë të Fierit,

Ju sjell sonte përshëndetjet më vëllazërore, dritën e fitores nga Saranda në Tropojë, nga Peshkopia në Tiranë, Korçë, Krujë dhe kudo. Sot kjo dritë shkëlqen në fytyrat e të gjithë shqiptarëve, buron nga zemra e çdo qytetari shqiptar që ka ëndrrën më të bukur, më madhështore për veten, fëmijët, familjen, qytetin dhe vendin e tij.

“Të dashur qytetare e qytetarë të Fierit,

Në katër vite, ne, me mundin dhe djersën tonë, me mbështetjen e madhe tuajën, me reformat që bëmë ia dolëm të shndërrojmë në realitet një prej ëndrrave më të mëdha të kombit që nga pavarësia e deri më sot, anëtarësimin e Shqipërisë  në NATO.

Këto katër vite, ne ia dolëm të investojmë në këtë rreth mbi 70 miliard lekë në rrugët e tij kombëtare, rurale e dytësore, në shkollat e kopshtet, kanalizimet dhe kullimin e tokave, në rrjetin energjetik të tij. Ne ia dolëm të hedhim bazat e një infrastrukture moderne, por unë jam sot para jush, për t’u zotuar se brenda vitit 2010, Fieri e Myzeqeje nuk do ketë pëllëmbë tokë të paasfaltuar. Unë jam këtu për tu zotuar se brenda vitit 2010 në të gjitha familjet e këtij rrethi do ketë ujë 24 orë.

Unë zotohem sot para jush, se katër vitet që vijnë, pensionet e fermerëve të Lushnjës, Fierit, Myzeqesë e mbarë Shqipërisë të barazohen me pensionet e qytetit dhe se rrogat e pensionet  do të jenë më të mëdha se të 6 vendeve anëtare të BE-së.

Qytetare e qytetarë të Fierit,

projektin e Shqipërisë evropiane e kemi projektin tonë më të çmuar dhe me këtë projekt ne synojmë që bashkërisht të gëzojmë kushtet e jetesës dhe avantazhet e qytetarëve të BE-së. Ne ju garantojmë se vitin e parë të mandatit të dytë,ju do të lëvizni të lirë, pa viza, në mbarë Europën.

Puna dhe punësimi do të jenë kryefjala e projektit tonë. Jam këtu për t’ju garantuar se katër vitet që vijnë ne do të punësojmë 160 mijë qytetarë shqiptarë. Ne jemi ata që në katër vitet që lamë pas rritëm numrin e bizneseve nga 40 mijë në 102 mijë, pra, ngritëm 62 mijë biznese të reja. Katër vitet që vijnë, dhjetëra miliard euro do investohen në Shqipëri, në Fier, në Vlorë, në Lushnje, në Tiranë, në Elbasan, në Dibër, në Kukës e kudo.

Jam këtu për t’ju garantuar se në projektet tona janë për t’u ndërtuar 104 hidrocentrale, por dhjetëra të tjerë nga kaskada e Vjosës tek Skavica presin të dalin në treg. Fieri, një nga qytetet e mëdha, do ketë parqet e tij industriale, ku do të punësohen dhjetëra mijëra qytetarë.

Fieri i katër viteve që vijnë, do të jetë shumë herë më larg e më i zhvilluar, se sot. Fieri do ketë universitetin e  tij. Fieri është qyteti i horizonteve të mëdha, është qyteti i industrisë së fuqishme të naftës, e cila çdo ditë po zgjerohet. Po jam këtu, gjithashtu, për t’ju dhënë ju fjalën se Gjanica do të bëhet si Valbona dhe se nuk do të lejojmë asnjë mbetje nafte të derdhet në lumin tuaj, se do rehabilitojmë fushën e të gjitha puset. Mbrojtja e mjedisit është një nga drejtimet më kryesore. Sikundër, ju garantoj se qytetin do të çlirojmë nga TEC-i dhe rrangallat e vjetra të industrisë socialiste.

Qytetare qytetarë të Fierit,

ju ftoj t’ju bëjmë një thirrje të përbashkët të gjithë socialistëve të Fierit, të gjithë socialistëve shqiptarë të bashkohen me ne, sepse ëndrra europiane nuk është vetëm e jona. Ëndrra europiane është e të gjithë shqiptarëve. Bashkohuni me ne, se katër vitet që shkuan, ne ju faktuam ju dhe çdo shqiptari se, sëbashku, i shndërrojmë ëndrrat në realitet. Ne bëmë realitet ëndrrën euroatlantike dhe se bashku me ju do të bëjmë realitet ëndrrën europiane.

Votoni me ne, sepse keni votuar  sepse keni votuar për veten dhe fëmijët tuaj. Votoni me ne, për rrogat e pensionet tuaja. Votoni me ne, sepse keni votuar për revolucionin e ri industrial. Votoni me ne, të dashur fermerë të Fierit, sepse keni votuar për subvencionimin e akcizës së naftë dhe inputeve për çdo sipërfaqe të mbjellë, keni votuar për çdo projekt për nxitjen e prodhimit, keni votuar për financimin e çdo rrënjë ulliri apo dru frutor që ju do të mbillni. Votoni me ne, sepse keni votuar për barazimin e pensioneve të fshatit me qytetin. Votoni me ne, sepse keni votuar për vaditjen e kullimin e fermave tuaja.

Qytetare e qytetarë të Fierit dhe mbarë Shqipërisë,

Ora e fitores po troket. Le të ngrihemi ne në lartësinë e saj. Për ne nuk ka e nuk do të ketë të përjashtuar. Ne ju duam të gjithëve. Të festojmë e të këndojmë fitoren. Fitorja jonë është fitorja e projektit europiane, e Fierit europian, e Shqipërisë europiane. Më 28 qershor, votoni 10-ën. 10-ta është ëndrra e bukur evropiane. 10-të janë fëmijët tuaj të bukur. 10-të është familja e mrekullueshme, është qyteti juaj, është Shqipëria, është Partia Demokratike, është Europa blu që mezi na pret.

Më 26 qershor, ju ftoj ju, djemtë e vajzat, të rinjtë e të rejat, burrat e gratë, në sheshin “Skënderbe” të festojmë fitoren, të festojmë Fierin, të festojmë Shqipërinë.

Rroftë Fieri!

Rroftë Shqipëria!”


22/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›