E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Investimet, dëshmi e qartë e përkushtimit të qeverisë për zhvillimin rural të vendit

Në përfundim të vizitës në rrethin e Korçës, Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të një serie investimesh në komunat e këtij rrethi. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të disa shkollave të reja si:

- shkolla 9-vjeçare në fshatin Bllac;

- rikonstruksioni i shkollës së mesme në komunën Pirg;

- përfundimi i shkollës 9-vjeçare në fshatin Tren;

- si dhe inspektoi punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme të Progërit, që përkon edhe me 100 vjetorin e krijimit të saj.

Gjithashtu, Kryeministri inauguroi përfundimin e disa investimeve të tjera të rëndësishme infrastrukturore si:  

- inaugurimi i segmentit rruga nacionale-deri në qendër të Vithkuqit;

- inaugurimi i rrugës së spitalit në Bilisht;

- inaugurimi i rrugës që lidh Vishocicën me rrugën kombëtare;

- inaugurimi i rrugës që lidh Sulin me rrugën kombëtare;

- inaugurimi i investimit për frigoriferin e prodhimeve bujqësore, me kapacitet të madh, në Bulgarec

- inaugurimi i sistemit të vaditjes dhe kullimit të Devollit të Sipërme, në fshatin Ponçar.

Kryeministri Berisha tha se të gjitha këto investime janë dëshmi e qartë e përkushtimit të qeverisë që ai drejton për zhvillimin rural të vendit.

“Ne jemi të vendosur t’ju mbështesim fuqimisht, në mënyrë që ju të keni infrastrukturën që meritoni, të keni rrugët e asfaltuara për të dalë me lehtësi dhe shpejtësi në treg, të keni shkolla moderne, ku fëmijët tuja të arsimohen njësoj si në Bilisht, Tiranë, e kudo, të keni ujësjellësit, kanalizimet dhe të gjithë infrastrukturën moderne që ju meritoni,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se në këto dy vjet fermerët i kanë shitur dhe eskportuar prodhimet e tyre më shumë se çdo vit tjetër, edhe në sajë të përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë kundër kontrabandës, e cila ka përmbushur në këtë mënyrë një premtim të saj ndaj fermerëve.

“Ne, - u shpreh Kryeministri - e kemi mbajtur një premtim të madh dhe këtë e kanë të qartë të gjithë fermerët, nuk kemi lejuar që kontrabanda të kalbë prodhimet tuaja në fusha dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë. Këto dy vjet, janë vitet kur ju keni shitur më shumë prodhimet tuaja në treg. Këto dy vjet, janë vitet kur fermerët e Korçës e të gjithë Shqipërisë kanë eksportuar më shumë se asnjë herë më parë. Vetëm këtë vit, është dyfishuar eksporti i perimeve. Ju garantoj se vitin tjetër do të ecim shumë më shpejt.”

Duke siguruar për vëmendjen e vazhdueshme të qeverisë ndaj problemeve të tyre, Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur të bëjë të gjitha investimet për zhvillimin e infrastrukturës së këtyre zonave, por edhe të mbarë Shqipërisë.

“Ne, - u shpreh Kryeministri - po shkojmë drejt dyfishimit të pensioneve në fshat. Ne jemi shumë të ndjeshëm ndaj halleve dhe derteve tuaja. Para se të vizitoja Devollin, kisha lexuar poemën e Dritëro Agollit "Devoll-Devoll" dhe më kishin bërë shumë përshtypje rreshtat  kushtuar baltës së Devollit. Kur erdha këtu, e kuptova përse poeti ishte frymëzuar dhe i shkruante kaq shumë kësaj balte, por, njëkohësisht, u zotova të bëj çdo përpjekje për ta nxjerrë Devollin nga balta dhe ju jap fjalën për këtë. Ju jap fjalën se Devolli, së bashku me Korçën, do të jenë zonat e para ku do të asfaltohen të gjitha rrugët e rrugicat e fshatrave të tyre. Ju jeni punëtorë të mrekullueshëm dhe i meritoni të gjitha këto investime. Megjithatë kjo është një politikë e ndjekur për të gjithë Shqipërinë. Ne po punojmë me të njëjtin intensitet edhe në Ultësirën bregdetare, po punojmë me të njëjtën vendosmëri për zonat e thella. Dje inauguruam rrugën për Stëblevë, sot inauguruam rrugën në Vithkuq. Unë do të shkoj edhe në Tropojë dhe do të financojmë rrugën për në Lekbibaj. Ne nuk do të lëmë asnjë qendër komune dhe asnjë komunë, ku të mos shkojë rruga e asfaltuar, nuk do të lëmë asnjë fshat të madh e të rëndësishëm pa rrugë të asfaltuara. Në këtë mënyrë, ne ju lehtësojmë qytetarëve shqiptarë lëvizjen, që ata të udhëtojnë si qytetarë europianë. Gjithashtu po punohet edhe për liberalizimin  vizave, në mënyrë që ju të udhëtoni të lirë në mbarë Europën, ashtu sikundër e meritoni.”  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›