E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e shkollës austriake “Peter Mahringer”, në Shkodër

Në vazhdim të vizitës në qytetin e Shkodrës, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shkollës së mesme “Peter Mahringer”, e cila është financuar nga qeveria austriake, me vlerë 1 milionë e 500 mijë euro. 
Duke falënderuar qeverinë austriake për investimet, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria po ndryshon dhe qeveria austriake po jep kontributin e saj të çmuar
për këtë ndryshim.
Më pas Kryeministri i shoqëruar nga ministrja e Arsimit e Austrisë, Klaudia Schmit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zëvendëskryeministri, Genc Pollo, ministri i Arsimit, Fatos Beja dhe deputetët e Shkodrës, vizituan ambjentet e brendshme të shkollës dhe kabinetin e saj të informatikës.       

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari dëshiroj t`i shpreh mirënjohjen time më të thellë qeverisë austriake  dhe kombit mik për këtë dhuratë të shkëlqyer që i bën qytetit të Shkodrës dhe rajonit të Veriut. Në një hark të shkurtër kohor që nga dita e inaugurimit të fillimit të punimeve së bashku me ministren, mike të kombit shqiptar, Elisabet Gehrer kjo shkollë u përfundua dhje mori një emër shumë të mirë. Ministrja Schmidt dëshmoi të njëjtat ndjenja dhe të njëjtën mbështetjet për këtë institucion shumë të rëndësishëm.

Zonja ministre Shqipëria ka patur një mbështetje të madhe nga vendi juaj në tërësi gjatë historisë së saj. Austria ka patur ndjenjat më të drejta dhe më të ndjeshme për kombin shqiptar. Kjo është historia. Por dhe gjatë 18 viteve të fundit vendi juaj i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një ndihnmë shumë të çmuar në ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Austriakët kanë dëshmuar besim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe  pikërisht për këtë arsye në Shqipëri operojnë kompanitë më të mëdha austriake si Austrian Airlines, Siemens, Reiffeisen Bank dhe shumë e shumë kompani të tjera, për të cilët ne jemi shumë krenar dhe u jemi shumë mirënjohës. Por shkolla ka një rëndësi të madhe. Shqipëria ka patur një trashëgimni të hidhur, e cila në rrafshin teknologjik ka qenë një prapambetje tejet e thellë. Tre vjet më parë ne shpallëm platformën tonë ambicioze për të sjellë shqiptarët dhe Shqipërinë në moshën dixhitale.

Kur ne shpallëm këtë Shqipëria kishte një penetrim të IT-së në shoqëri ndër më të ulëtit në planet, gjithsej 4.8 %. Sërish ne jemi larg niveleve që duhet të jemi, por vitin  që kaloi në sajë të përpjekjeve të mëdha të qeverisë ne kemi qenë vendi i parë për shkallën e rritjes së penetrimit të internetit në shoqëri. Sërish këtë vit ne jemi vendi i parë për të realizuar atë për të cilën ne duhet të mbetemi për shumë e shumë vite në krye; të rritjes së penetrimit të internetit në shoqëri.
Shkolla “Peter Mahringer”, ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë aspekt. E konceptuar mbi bazat më moderne të teknologjisë së informacionit, studentët e kësaj shkolle do të mund t`u japin përgjigje kërkesave të mëdha në rritje të vendit për progresin në moshën dixhitale. 

Qeveria është e vendosur që në bashkëpunim me ju ta shndërrojë këtë shkollë, në një shkollë të vërtetë rajonale, prej së cilës të përfitojnë të gjithë nxënësit e rajonit të Veriut dhe më gjerë.
Ne nuk kemi dhe nuk do të kemi limit në ofertën për bursat për nxënësit që do të ndjekin këtë shkollë. Jam i bindur se kryetari i bashkisë do të mbështesë zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj në përputhje me kërkesat e tregut.

Së fundi dua të theksoj një moment personal. Shkolla mban emrin e Peter Mahringer, i mikut të shquar dhe të madh të shqiptarëve, një burri që u përpoq shumë për të ndihmuar Shqipërinë në fushën e arsimit, që bëri miq të shumtë në Shqipëri dhe që la një kujtim të shkëlqyer, nderi që i’u bë shkollës duke iu vendosur emrin e tij, jam i bindur se do të mbajë me nder dhe dinjitet këtë emër të ndritur.

Edhe një herë dua t’ju falënderoj ju zonja Ministre, Kancelarin Gusenbauer, mikeshën e Shqipërisë dhe timen  Elisabet Gehrer dhe ish-kancelarin Shussel, miqtë e mi këtu, Grossruck dhe kolegët që e shoqërojnë.

Shqipëria po ndryshon, me këtë dhuratë ju keni ndikuar shumë në ndryshimin e saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›