E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha- Ratifikimi i Protokollit të Anëtarësimit në NATO dëshmon besimin dhe vlerësimin më të madh ndaj shqiptarëve dhe qeverisë së tyre

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, në të cilën përshëndeti përfundimin e procesit të ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga 26 vendet anëtare të saj. Ai e vlerësoi atë si një akt kulmor në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën e lirë.

Fillimisht, Kryeministri Berisha bëri këtë deklaratë:

“Jam sot këtu për të përshëndetur një akt kulmor në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën e lirë, një akt që në fushën e sigurisë së këtij vendi përbën ndoshta ngjarjen më madhore, pas pavarësisë së tij, aktin e përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga 26 vende anëtare.

Në një hark kohor rekord të shkurtër, nga data 9 korrik deri në datën 17 shkurt, pra në 6 muaj dhe 10 ditë, 26 vendet anëtare të NATO-s ratifikuan në parlamentet, senatet, qeveritë e tyre, Protokollin e Anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Dua t’u shpreh mirënjohjen më të thellë, falenderimet më të përzemërta qeverive, parlamenteve dhe kombeve të këtyre vendeve për besimin e madh, për vlerësimin e madh që treguan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndaj rezultateve, përpjekjeve të tyre për ndërtimin e një shoqërie të lirë, ekonomie tregu dhe një reforme të thellë të Forcave të Armatosura.

Ratifikimi i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe përfundimi i këtij procesi në një kohë rekord, dëshmon për një nivel të paprecedent të besimit dhe të vlerësimit të Shqipërisë nga vendet më të fuqishme dhe më të zhvilluara të planetit. NATO është aleancë e lirisë, është para së gjithash aleancë e vendeve demokratike, e vendeve të lira. Kjo aleancë ka për kritere themelore, kriteret e shtetit ligjor, shoqërisë së lirë, ekonomisë së lirë të tregut. Aleanca ka dhe kriteret ushtarake, forca ushtarake të reformuara, tërësisht të vendosura, nën udhëheqjen civile dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit.

Finalizimi i ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në një hark kohor prej 6 muaj dhe 10 ditë, është dëshmi e vlerësimit të madh të përpjekjeve të Shqipërisë për të ndërtuar shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut, vlerësim i rolit të saj për paqen, stabilitetin në rajon dhe në botë, është vlerësimi i bashkëpunimit të saj luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në vitin 2005, nuk ka patur parashikues edhe ndër më optimistët, që të parashikonin se Shqipëria, brenda mandatit tim të parë, do të përfundonte përfundimin e Protokollit të Anëtarësimit.

Unë, që jam sot para jush, në programin tim elektoral para shqiptarëve premtova anëtarësimin në NATO, por jo finalizimin e procesit, sepse të tilla ishin muret që ishin ngritur dhe që pengonin këtë proces për Shqipërinë.

Nuk ka dyshim se ky proces do të ishte tërësisht i pamundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme që Presidenti Xhorxh Bush dhe qeveria e SHBA, Senati dhe Kongresi i vendit të madh të lirisë, i dhanë shqiptarëve, pa mbështetjen, besimin e vendeve të tjera aleate të NATO-s.

Por, nuk ka asnjë dyshim se ky proces i ftesës për në NATO dhe ratifikimi i shpejtë i saj, do të ishte tërësisht i pamundur pa kursin dhe suksesin e reformave që ndërmori qeveria ime në të gjitha fushat. Ftesën e Shqipërisë për në NATO dhe finalizimin e ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO e bënë të mundur reformat e gjithanshme të kësaj qeverie. Suksesin e këtyre reformave e bëri të mundur shembja nëpërmjet një lufte me zero tolerance të krimit të organizuar, e bëri të mundur shembja nëpërmjet një lufte pa kompromis dhe të vendosur të sistemit të kleptokracisë, e bëri të mundur fryma e bashkëpunimit luajal me opozitën dhe respekti ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, e bëri të mundur nxjerrja e Shqipërisë nga 24 vendet më të korruptuara të planetit dhe lënia pas e 95 vendeve në këtë drejtim, e bëri të mundur arritja e pozicionit; Shqipëria, vendi i dytë në botë për suksesin e reformave për klimën e biznesit, e bëri të mundur reforma e thellë e Forcave të Armatosura dhe  përcaktimi i një buxheti 2 përqind e Prodhimit të Brendshëm për këtë reformë, zgjerimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në operacionet paqeruajtëse në Azi, Afrikë dhe zona të tjera, e bëri të mundur ndryshimi tërësor i Shqipërisë.

Pra, theksoj edhe njëherë se, me ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, 26 vendet anëtare dëshmuan ndaj vendit tonë, ndaj shqiptarëve, ndaj qeverisë sime besimin më të madh, vlerësimin më të madh dhe unë dua t’i garantoj ato se e marr këtë si përgjegjësinë më të madhe, e transkriptoj këtë si shkallën më të lartë të përgjegjësisë për të thelluar më tej kursin e reformave, për të konsoliduar në këtë vend lirinë dhe vlerat e saj në mënyrë të vazhdueshme, për të reformuar e modernizuar më tej Forcat tona të Armatosura, që ato të mund të përballen me sukses me të gjitha detyrimet që dalin nga anëtarësimi në NATO, për të zgjeruar më tej bashkëpunimin rajonal, si faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, për të marrë pjesë në të gjitha operacionet e nevojshme të NATO-s dhe për të përmbushur me dinjitet detyrimet që rrjedhin nga ky anëtarësim.

Edhe njëherë, dua të uroj çdo shqiptar për këtë arritje historike të madhe, i përgëzoj shqiptarët kudo që janë për besimin dhe vlerësimin e madh që kombet e lira, qeveritë dhe parlamentet e tyre, ju dëshmuan me ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Dua të falenderoj me mirënjohje të gjitha vendet anëtare, Aleancën Atlantike të Veriut, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, të gjithë ato ekipe që me përkushtim të madh ndihmuan Shqipërinë në reformat e thella, që bënë të mundur këtë akt madhor”.

Pyetje: Zoti Kryeministër, rrugën për në NATO e nisët ju në vitin 2002 dhe mesa duket ju po e mbyllni  ne vitin 2009. Personalisht si ndiheni dhe aju vjen keq që u deshën plot 17 vjet për ta mbyllur këtë process?

Kryeministri Berisha: Së pari, kam ndjenjën e madhe të kënaqësisë që ata që e nisën këtë proces, po ata e përfunduan. Por nuk mund të mos theksoj ndryshimin e thellë të vendit. Në fillim të viteve ’90 ishte vetëm forca politike që unë kryesoja, së bashku me opozitën tjetër, që ishin pro atlantiste, ndërkohë që në forcën politike të mazhorancës së po atij viti dhe të opozitës së mëvonshme, ishin vetëm 2-3 individë pro atlantistë, ishin zoti Majko, Zoti Meta e ndonjë tjetër, ndërkohë që pala tjetër bënte rezoluta kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. 

Por unë e quaj një zhvillim shumë pozitiv faktin që më vonë Partia Socialiste mori një qëndrim qartësisht pro atlantist dhe kontribuoi  në këtë drejtim. Karta Adriatik 3 është një moment shumë i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit, një ofertë e shkëlqyer e qeverisë amerikane për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. E rëndësishme është që shqiptarët e ruajtën dashurinë, pasionin për projektin e tyre ëndërr, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, gjatë gjithë këtyre viteve dhe sot mbi 96 përqind e tyre e përkrahin atë. Natyrisht, edhe 4 përqind që mbeten sigurisht që janë 4 përqind dhe kanë ndikimin e tyre. Ditën e ftesës për në NATO ata jepnin lajme se nuk po merret ftesa, të nesërmen e marrjes së ftesës, kishin ftuar njerëzit në miting. Por këto gjëra janë pjesë e shoqërisë së lirë. Në tërësi, shqiptarët janë proatlantistë.

Përsa i përket pyetjes a do të kisha dashur që Shqipëria të ishte anëtarësuar edhe më herët, mund t’ju them se Shqipëria, nëse nuk do të kishte qenë rebelimi komunist i vitit 1997, jam i sigurt se do ta kishte festuar këtë datë vite më parë. Por e rëndësishme është që po e feston edhe tani.

Pyetje: Zoti Kryeministër, a mund të na saktësoni se çfarë do të thotë konkretisht për shqiptarët anëtarësimi në NATO, pasi shpesh kjo fjalë ka konotacion shumë të çuditshëm që lidhet me detyrimet që duhet të përmbushë një vend që të anëtarësohet në NATO. Nga ana tjetër, shtypi ndërkombëtar kryesisht, po shkruan në vazhdimësi se Shqipëria mund të përdoret edhe si bazë raketore për programe të këtij lloji nga SHBA. A ka të vërteta në këto informacione që jepen kryesisht nga shtypi i huaj?

Kryeministri Berisha: Lidhur me domethënien, për çdo vend, anëtarësimi në Aleancën e lirisë është anëtarësimi në ombrellën e lirisë së vet. NATO është ombrella e lirive. Për kombet si i yni të cilët në shekuj e shekuj problemin e parë kanë pasur problemin e sigurisë së tyre, kjo është arritja më madhore, më sublime. Po të vështrosh në historinë tonë, asgjë nuk na ka kushtuar neve më shtrenjtë sesa problemet e sigurisë, asgjë  nuk e kanë bërë më të mbrapshtë historinë tonë sesa problemet e sigurisë kombëtare. Në rast se jemi një komb që në tërësi kemi arritur të mbijetojmë, por jo të zhvillohemi, kjo vjen sepse ne nuk kemi qenë të lirë. Tani ne, një komb i vogël që kemi pësuar shumë probleme në të shkuarën, kemi një mundësi të sigurt që të ndërtojmë të lirë të ardhmen tonë. Asgjë më të madhe se kjo nuk mund të ketë për ne. Kjo është maksimumi i asaj që ne mund të donim dhe që duam. 

Lidhur me lajmet që ju thoni të mediave ndërkombëtare, qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për vendosje raketash apo instalimesh. Por, më duhet të qartësoj pozicionin e Shqipërisë. Si anëtare e ardhshme e NATO-s, Shqipëria do të përmbushë çdo detyrim ndaj Aleancës dhe si vend që ka si prioritet më të madh marrëdhëniet me SHBA, Shqipëria absolutisht shqyrton dhe do të shqyrtojë me seriozitetin më të madh çdo kërkesë të këtij vendi mik, i cili punon për paqen dhe sigurinë në botë. Edhe njëherë e theksoj se nuk ka asnjë kërkesë, por nuk mund të ketë mëdyshje se marëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara janë marrëdhënie të një rëndësie më parësore, edhe në fushën e sigurisë edhe në fusha të tjera.

Pyetje: Në vizitën tuaj në Uashington, ju premtuat se do të dërgoni trupa shtesë ushtarake ne Afganistan. Presidenti amerikan Obama njoftoi dje vendimin për shtimin e trupave atje. Kur do ta bëjë Shqipëria këtë?

Kryeministri Berisha: Edhe ne do të diskutojmë me NATO-n dhe jemi të gatshëm të dërgojmë një kompani shtesë atje. Ashtu siç i premtova Sekretares së Shtetit Klinton në takimin që pata me të, ne jemi të gatshëm ta përmbushim zotimin tonë. Jemi të gatshëm gjithashtu dhe në konceptin e ri të Presidentit Obama, të kontribuojmë jo vetëm ushtarakisht,  në mënyrë modeste dhe proporcionale në këtë vend, paqja, stabiliteti i të cilit ka një rëndësi madhore për të gjithë botën. Ne jemi të gatshëm në mënyrë modeste të japim kontributin tonë. 

Pyetje: A keni një koment tuajin lidhur me vendimin e Bankës Botërore për pezullimin e projektit në Jalë?

Kryeministri Berisha: Sot Banka botërore ka bërë transparencën, procesin në të cilin merr të gjitha përgjegjësitë e veta dhe dëshmon për korrektesën e plotë të autoriteteve shqiptare në këtë projekt. Presidenti i BB-së është një personalitet i shquar, ndër më seriozët që unë njoh dhe që njihet nga të gjithë, i cili ka përcaktuar se do të nxjerrë përgjegjësitë për ata që kanë gabuar në hartimin e këtij projekti. Qeveria shqiptare ka zbatuar me përpikmëri projektin. Por ka një koluzion të mafies së ndërtimit në Shqipëri me Inspection Panel, për të cilin qeveria shqiptare ruan të drejtën e ndjekjes deri në fund të hetimit të këtij korupsioni.  Raporti i BB-së thotë se Inspection Panel nuk ka pasur dhe nuk ka mandat tjetër përveç hetimit të veprimtarisë së Bankës. Por, çfarë ka ndodhur me Inspection Panel? Ka ndodhur korruptimi i tij në pjesën për Shqipërinë. Kjo ka ndodhur tek pika e “mjaltit”.  Qeveria ime, “Edil Edilit”,  që kishte shpallur Jalën si fshat të vetin turistik dhe “Edil Veqilit” që kishte shpallur Ksamilin si fshatin e vet turistik, etj, u tha; Jo! Këto gjëra i keni bërë me Artan Lamen dhe me Partinë Socialiste. Ne nuk njohim “njolla”. Këtë e bëjmë për të bërë një projekt plan të paqortueshëm. Të gjitha “njollat”  janë atribut i autoriteve vendore. Ndërkohë që këta që kishin gllabëruar Jalën, duket se i futën ca para në xhep edhe Inspection Panel dhe doli që ai shkroi sikur këto njolla i kishte vendosur qeveria ime, në një kohë kur këto njolla ishte pikërisht qeveria ime që i hoqi. Pra, ishte një koluzion i mafies së betonimit të zonës së Bregut me anëtarë të Inspection Panel.

Banka Botërore bëri shumë mirë që qartësoi çdo gjë, por qeveria shqiptare do t’i kërkojë bankës të hetojë korruptimin e Inspection Panel nga bosët e betonit të bregut. Ashtu siç ndodhi me “të ndjerin”, por kësaj here nuk zgjati aq shumë sepse ekspertiza doli më shpejt.

Qeveria në këtë çështje është fare korrekte. Por, është jashtëzakonshisht e rëndë, është e turpshme, kur mafiet e gjalla përdorin mediat për të intoksikuar hapësirën mediatike. Shikoni se si shkon përdorimi mercenar i medias. Në Jalë, ai ka përcaktuar parajsën e vet dhe  e ka botuar dhe ia ka servirur gjithë Europës si çifligun e tij dhe kur kjo i hiqet, ai deklarohet se e ka përcaktuar kjo qeveri. Deri këtu nuk mund të shkojë çështja, sepse është shumë e dhimbshme për qytetarët shqiptarë që të mbushen me mashtrime të tilla, të tëra të dirigjuara nga kryetari i opozitës. A e dini ju se Edi Rama, ka pasur së bashku me Edilin, Jalën? E kanë pasur së bashku dhe Edi Rama ka qenë aksioner me mbi 40 përqind në Jalë. Nëse nuk do ta kishte, ai nuk do të “frynte” të gjitha mediat dhe do ta  linte Edilin të vetmuar. Apo ai tjetri në rastin kur humbi Ksamilin.

Megjithatë, qeveria është e vendosur që të bëjë transparencën e veprimeve. Ne hoqëm “njollat” dhe ua kemi lënë këtë autoriteteve vendore. Nëse ka një projekt - plan të bërë në historinë e këtij vendi në mënyrën më transparente, është ky i bregdetit të jugut. Ndërkohë që ai deshi të thërriste madje mitingun e Jalës, sepse humbi fshatin. Ndaj duhet të jemi shumë transparent në këtë drejtim.

Pyetje: Megjithatë BB e ka pezulluar projektin, por a do të dëmshperblehen banorët?  

Kryeministri Berisha: Kjo është një çështje shumë e drejtë. Këto janë probleme tërësisht të Bankës Botërore. Banka në projekt ka parashikuar, filmimet, anonçimet e filmimeve, ka parashikuar prishjet e ndërtimeve të paligjshme, por  kjo bankë nuk ka parashikuar shpërblimet. Por kjo është çështje e bankës dhe nuk është çështje e qeverisë shqiptare. Projektin nuk e ka hartuar qeveria shqiptare, parimet e projektit i ka përzgjedhur banka, ndaj edhe raporti i BB-së e konsideron shokuese këtë çështje, sepse bie ndesh me disa parime të tjera që i di vet banka ato. Unë mbroj vetëm parimet e vendit tim. 

Cili është qëndrimi ynë për këtë? Ne nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë dy standarde në ligjin shqiptar. Për asnjë projekt ne nuk mund të pranojmë që banorët e qytetit të Tiranës t’u prishen shtëpitë në emër të një projekti dhe, banorëve të një qyteti tjetër, të mos u preken shtëpitë, po në emër të këtij projekti. Kjo nuk mund të pranohet sepse është thyerje e shtetit ligjor. Ajo që pranojmë dhe bëjmë ne është që, në të gjitha rastet, nga Velipoja në Sarandë, për çdo veprim jo të ligjshëm të autoriteteve shtetërore, kjo qeveri ka marrë dhe do të marrë gjithnjë përsipër zhdëmtimin. Për këtë ne jemi krejt të lirë, por këtë gjë e bëjmë mbi bazën e vlerësimit të ligjeve të vendit. Me këtë veprim tonin, edhe BB është e kënaqur. Ne e bëjmë këtë gjë për çdo qytetar dhe nuk punojmë me dy standarde, pasi nuk mund ta pranojmë këtë. Ata të cilët kanë hartuar projektin u takon edhe kjo gjë. Pra, është çështje e tyre. Ne kemi zbatuar me përpikmëri dhe me transparencë të plotë  projektin. Nëse Edi Ramës i “dogji në kallo” sepse i iku Jala, apo se edhe atij tjetrit i iku Ksamili, ky s’është problemi ynë. Qëllimi ynë ishte një projekt transparent.                                  


18/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›