E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në një vit, Kosova është dëshmuar si faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal e më gjerë

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mori pjesë sot në mbrëmje në pritjen e organizuar me rastin e 1 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, Ambasadori i SHBA në Tiranë John Withers, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, personalitete të komuniteteve fetare në vend, ministra të kabinetit qeveritarë, deputetë, përfaqësues të partive politike në vend, përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës, etj.     

Kryeministri Berisha u përcolli gjithë qytetarëve të Kosovës urimet më vëllazërore në këtë përvjetor të parë të pavarësisë së tyre, ndërsa vlerësoi lart punën dhe përkushtimin e institucioneve kosovare dhe të vet qytetarëve të saj përgjatë këtij viti. Në një vit jetë, tha Kryeministri, shteti i pavarur i Kosovës është dëshmuar si shtet i qytetarëve të barabartë para ligjit, ndërkohë që institucionet e Kosovës janë dëshmuar si institucione të përkushtuara për lirinë dhe të drejtat e minoriteteve.

Kryeministri theksoi se pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më stabël, ka bërë Europën më stabël dhe ajo është një kontribut i madh për paqen, stabilitetin në Ballkan dhe Europë.

Në përgjigje të interesimit të mediave, Kryeministri Berisha bëri këto komente:

“Së pari, dëshiroj t’u përcjell të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe njëherë urimet më vëllazërore për këtë ditë të madhe që mbart mbi supe sakrifica suksese dhe shpresa mbinjerëzore.

Së dyti, dua të shpreh vlerësimin tim më të mirë për institucionet e Kosovës, për forcat politike të saj, të shpreh admirimin tim për përkushtimin, aftësinë dhe rezultatet që kanë arritur në vitin e parë të pavarësisë, duke shndërruar Kosovën në një faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal dhe më gjerë.

Në një vit jetë, shteti i pavarur i Kosovës është dëshmuar si shtet i qytetarëve të barabartë para ligjit, institucionet e Kosovës janë dëshmuar si institucione të përkushtuara  për lirinë dhe të drejtat e minoriteteve. Kosova në tërësi, ka vendosur marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët e saj, është njohur nga shumica dërrmuese e vendeve, ose pothuajse në tërësi nga vendet e botës së lirë, ndërkohë që vende të tjera kanë në axhendën e tyre njohjen e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më stabël, ka bërë Europën më stabël, ajo është një kontrobut i madh për paqen, stabilitetin në Ballkan dhe Europë.

Edhe njëherë, gëzuar këtë ditë për gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët”.    


17/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›