Kryeministri Berisha uron Kryeministrin Thaçi për 1vjetorin e pavarësisë së Kosovës
Me rastin e 1 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh urimi Kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi.
“I nderuar zoti Kryeministër,
Me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë të formuloj urimet e mia më të përzemërta e më të sinqerta për Ju, qeverinë që Ju drejtoni dhe mbarë qytetarët e Kosovës.
Shteti i ri i pavarur i Kosovës, në vitin e tij të parë, ka bërë hapa të mëdha dhe të admirueshme në forcimin e shtetit ligjor, barazisë së qytetarëve para ligjit, respektimit të lirive dhe të drejtave të minoriteteve, zhvillimin e ekonomisë së tregut në Kosovë si dhe në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar. Kosova e lirë dhe e pavarur është njohur dhe ka fituar respektin e merituar pothuaj nga të gjithë vendet e botës së lirë, vende të tjera mike në të gjithë kontinentet po shqyrtojnë dhe konsiderojnë njohjen e saj.
Përfitoj nga ky rast, të shpreh vlerësimet dhe mirënjohjen time të thellë për kontributin Tuaj dhe të Qeverisë së Kosovës, në konsolidimin e suksesshëm të Pavarësisë së Kosovës, shndërrimin e saj në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Besoj se ndajmë të njëjtin mendim se që nga 17 shkurti 2008 marrëdhëniet vëllazërore midis Shqipërisë dhe Kosovës janë futur në një fazë krejtësisht të veçantë, në dobi të dy vendeve tona dhe kombit tonë, të forcimit të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në rajon, si dhe në interes të vizionit tonë të përbashkët për integrimin në strukturat euroatlantike.
Me këtë rast, Ju siguroj se unë personalisht dhe Qeveria që drejtoj do të jemi pranë jush për të përballuar së bashku të gjitha sfidat që keni përpara. Shqipëria do të gjendet me të gjithë kapacitetet e saj pranë Kosovës, siç është gjendur deri tani, pavarësisht prej sfidave me të cilat ajo mund të përballet. Ne kemi marrë një sërë masash dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim, me qëllim që bashkëpunimi ynë i gjithanshëm t’i shërbejë qëllimit që Shqipëria dhe Kosova të ecin të sigurta në forcimin e institucioneve demokratike e plotësisht funksionuese, në zhvillimin ekonomik dhe në proceset integruese rajonale, europiane e euroatlantike.
Duke konfirmuar mbështetjen time maksimale dhe vullnetin për një bashkëpunim sa më të ngushtë me Ju, pranoni Zoti Kryeministër, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.”
Shumë përzemërsisht,
Sali BERISHA
16/02/2009