E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon kryetarin e Komunës së Gjakovës dhe kryetarin e Bashkisë Kavajë, me rastin e binjakëzimit të dy qyteteve

Sot pasdite, Kryeministri Sali Berisha priti në një takim Kryetarin e Komunës së Gjakovës, zotin Aqif Shehu dhe Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, zotin Refik Rugia, me rastin e binakëzimit të këtyre dy qyteteve.

Fillimisht, Kryeministri Berisha i përgëzoi drejtuesit vendorë dhe këshillat bashkiakë përkatës për këtë hap të madh në bashkimin shpirtëror, social dhe ekonomik mes dy qyteteve. Gjakova dhe Kavaja janë qytete të ngulitur në vëmendjen historike shqiptare për një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare, theksoi Kryeministri.

Pasi falënderoi për mikpritjen e jashtëzakonshme që iu rezervua gjatë vizitës në qytetin e Gjakovës, Kryeministri Berisha vlerësoi resurset turistike të turizmit malor të kësaj zone. Ai inkurajoi shkëmbimin e vizitave të shpeshta të qytetarëve mes dy qyteteve, për t'u njohur me turizmin veror në Shqipëri dhe me turizmin dimëror në Gjakovë.

Kryetari i Këshillit Komunal të Gjakovës, zoti Aqif Shehu vlerësoi lart kontributin e Kryeministrit Berisha, vlerësim i shprehur nga qytetarët e Gjakovës edhe me dhënien e titullit Qytetar Nderi i këtij qyteti. Ai e konsideroi vendimin për binjakëzimin e Kavajës dhe Gjakovës, si një premisë të re për lidhjen e qytetarëve mes dy qyteteve, por edhe më gjerë.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Kavajës, zoti Refik Rugia, falënderoi Kryeministrin për pritjen e rezervuar, si dhe e njohu atë me vendimin unanim të këshillit bashkiak të Kavajës për binjakëzimin Kavajë-Gjakovë. Ai e vlerësoi këtë vendim si një shtysë për zhvillimin ekonomik, kulturor e shpirtëror dypalësh.

Në përfundim të takimit, Kryeministri i njohu përfaqësuesit e Komunës së Gjakovës me përpjekjet që po bëhen për ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë, si një arterie kryesore e lidhjes mes dy vendeve. Zoti Berisha shprehu mbështetjen për intensifikimin e lidhjeve edhe ndërmjet qyteteve të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›