Zhvillohet Mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin në NATO
- Qeveria, e angazhuar tërësisht për përmbushjen e standarteve të kërkuara, për të merituar ftesën për anëtarësim në Nato në vitin 2008
Sot në mesditë, nën drejtimin e Kryeministrit z. Sali Berisha, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin në NATO. Në fillim të mbledhjes, Kryeministri foli për rëndësinë që paraqet për vendin tonë çështja e integrimit në NATO, parë kjo në angazhimin tërësor të qeverisjes për arritjen e standarteve të kërkuara; "Plotësimi i kritereve të Kartës së Kopenhagenit, si zgjedhjet e lira e të ndershme, shteti ligjor, etj .
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: "Kjo mbledhje vjen pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, një fillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në historinë e integrimit të vendit në institucionet euroatlantike.
Bashkimi Europian dhe NATO janë institucione të vendeve të lira, natyrisht me specifika madhore të secilit. Por kriteret e Kopenhagenit, të miratuara në Samitin e Bashkimit Europian, kriteret politike si; shteti ligjor, zgjedhjet e lira, institucionet e konsoliduara, janë të njëjta edhe për anëtarësimin në NATO. Kështu që çdo progres në drejtim të secilës nga këto organizma të mëdha ndërkombëtare, është i vlefshëm për integrimin në tërësi.
Në këto 10 muaj mund të pohojmë qartë se ishte progresi i reformave, përpjekja serioze e qeverisë për reforma, që bëri të mundur firmosjen e marrrëveshjes së Stabilizim Asociimit, fundin e tranzicionit të Shqipërisë, vendosjen e saj në një stacion të ri, ose në një horizont të ri për procesin e integrimit.
Gjatë këtij viti, anëtarësimi në NATO ka qenë përparësi kryesore më shumë se asnjëherë tjetër më parë dhe në përputhje me këtë përparësi, janë ndërmarrë reforma në rivendosjen e shtetit ligjor, luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, ndaj korrupsionit, etj. Rezultatet janë inkurajuese, por ajo cka mbetet shumë e rëndësishme është konsolidimi i tyre. Prova e qeverisjes është zbatimi dhe konsolidimi i reformave dhe ne këtë drejtim mbetet të punojmë pa ndërprerje. Është e rëndësishme të përcaktosh një objektiv, por kryesore dhe përcaktuese mbetet zbatimi dhe arritja e tij.
Për herë të parë u arrit të strukturohej një buxhet afatmesëm, i cili i jep mundësi vendit të respektojë kërkesat e NATO-s për financimin e reformës në fushën e mbrojtjes, reformimin e Forcave të Armatosura, etj. Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes, me një përkushtim të veçantë, janë angazhuar në reformimin e tyre në përpujthje me një platformë të hartuar mbi bazën e kërkesave të NATO-s. Afatet e zbatimit të kësaj reforme duhet të rishqyrtohen, në mënnyrë që ato të përmbushen sa më shpejt.
Ministria e Jashtme ka bërë një përpjekje shumë të madhe në të gjitha kancelaritë, për të promovuar përpjekjet e Shqipërisë, për të marrë ftesën në Samitin e parë të zgjerimit të NATO-s. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin krijuan Kartën e Adriatikut 3, duke vendosur në një platformë të përbashkët të tre vendet, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Kjo do të thotë se përgjegjësia jonë është absolutisht e trefishtë. Te tre vendet tona duhet të dëshmojnë përkushtimin dhe seriozitetin për të ecur përpara dhe për të mos penguar njëri-tjetrin. Zhvillimet në secilin prej këtyre vendeve kanë peshë të caktuar specifike ne procesin e integrimit të tre vendeve në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Përgjegjësia është e trefishtë në reformat në rrafshin politik, ushtarak e të gjithanshme.
Ne mbyllim ciklin e 7-të të Planit të veprimit për anëtarësim në NATO. Tani na duhet të kristalizojmë objektivat e reja të planit të ri, i cili duhet të finalizojë përpjekjen e madhe të shqiptarëve gjatë këtyre 15 vjetëve për anëtarësim në NATO.
Kërkoj edhe njëherë nga të gjitha institucionet, nga të gjitha agjencitë, të kenë përparësi absolute në axhendën e tyre zbatimin e planit të Veprimit, respektimin e të gjitha kërkesave që janë të domosdoshme, politike, ushtarake, financiare, diplomatike, etj, për anëtarësimin e plotë të vendit në NATO".
Më pas, Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj bëri një ekspoze të punës së diplomacisë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe të qeverisjes demokratike, në drejtim të sigurimit të mbështetjes së reformave të qeverisë.
Ndërsa Ministri i Mbrojjes Fatmir Mediu, duke folur për reformat e qeverisë shqiptare në Forcat e Armatosura nënvizoi faktin se integrimi në NATO nuk përmban vetëm reformat në këto forca, por kërkon arritje të standarteve në të gjitha fushat e veprimtarisë qeverisëse.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Sali Berisha u kërkoi ministrave dhe anëtarëve të tjerë angazhim maksimal për plotësimin e standarteve të kërkuara. "Themelore për të qenë të gatshëm për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, nuk janë vetëm rezultatet në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, apo rezultatet e tjera, por është i rëndësishëm shndërrimi i këtyre rezultateve në standarde të konsolidura", përfundoi Kryeministri.