E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues te shoqatës kombëtare të të përndjekurve politikë

- Qeveria e angazhuar për integrimin e të përndjekurve politikë në shoqëri

Sot në mesditë, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqatës kombëtare të të përndjekurve politikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë.

Kryeministri Berisha i falenderoi të përndjekurit për kontributin e tyre, në përpjekjet për rikthimin e shtetit ligjor në Shqipëri, si dhe i njohu ata me projektet e qeverisë shqiptare për të përndjekurit politikë, që përfshijnë dëmshpërblimin e tyre, mundësi për strehim, shkollim dhe punësim për të lehtësuar jetën e kësaj shtrese shoqërore.

Kryeministri u shpreh se riintegrimi tërësor i të përndjekurve është një detyrim madhor për shoqërinë shqiptare, që kjo shtresë të gjejë drejtësinë dhe paqen që i takon. Gjithashtu Kryeministri premtoi dëmshpërblim për të përndjekurit, ndonëse asgje nuk mund të shpërblejë lumenjtë e gjakut, dhimbjes dhe sakrificës tuaj, tha kryeministri.

Nga ana e tij, kryetari i shoqatës Adem Allçi falenderoi përzemërsisht kryeministrin për pritjen dhe angazhimin e tij gjatë gjithë këtyre viteve për përmbushjen e të drejtave që i takon kësaj shtrese. Ai e njohu kryeministrin me kapacitetet intelektuale të të përndjekurve, si një urë drejt integrimit të tyre në shoqëri.

Gjithashtu, zoti Allçi e njohu kryeministrin me vendimet e konventës së parë kombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri të zhvilluar në Tiranë. Në këtë kuadër përfaqësia e të përndjekurve i parashtroi kryeministrit kërkesën për rishikimin e teksteve të historisë së periudhës së regjimit komunist.

Kryeministri Berisha garantoi mbështetjen e qeverisë për integrimin e shtresës së të përndjekurve në shoqëri, sipas të gjitha standarteve dhe të drejtave që u takojnë atyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›