E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Rajonit të Pulias, Nichi Vendola

Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha mirëpriti në zyrën e tij Presidentin e Rajonit Italian të Pulias, Zotin Nichi Vendola.

Në takim u diskutua rreth marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Rajonit të Pulias, i cili është jo vetëm rajoni më i afërt me vendin tonë, por edhe rajoni me të cilin kemi më shumë shkëmbime dhe lidhje se çdo rajon tjetër të Italisë.

Biseda u përqendrua në diskutimin e mundësive dhe rrugëve për thellimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë e Pulias në të gjitha fushat, përfshi fushën e energjisë, turizmit, zhvillimin e infrastrukturave dhe rrjeteve lidhëse të gazit dhe energjisë, tërheqjen e investitorëve puliezë në Shqipëri, etj..

Në mënyrë të veçantë u fol për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht largimin e Shqipërisë nga harta e trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore. Kryeministri Berisha dhe Presidenti Vendola vlerësuan shumë pozitivisht arritjet e deritanishme të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, si rezultat i të cilave korridoret e trafikimit janë zhvendosur jashtë territorit të Shqipërisë. Ata vlerësuan se disa nga inisiativat ligjore të qeverisë për kufizimin e mjeteve motorike në ujrat detare dhe për përfshirjen e drejtuesve lokalë në luftën kundër kultivimit të drogave, kanë provuar të jenë mjete rezultative në luftën kundër trafikut të droges dhe qenieve njerëzore.

Me interes u diskutua nevoja për nxitjen e investimeve në Shqipëri nga ana e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Itali, ndër të tjera duke mundësuar skema mikrokrediti të mbështetura nga organizata financiare ndërkombëtare.

Investimet pulieze në fushën e energjisë, veçanërisht energjisë së rinovueshme, do të jenë një tjetër fushë ku të dyja palët do të punojnë në të ardhmen. Projekte konrete në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës janë gjithashtu në proces hartimi, të cilat do të përmirësojnë gjendjen e këtyre sektorëve në Shqipëri dhe do të fuqizojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin reciprok.

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Vendola gjetën mirëkuptimin për të thelluar në të ardhmen shkëmbimet infromuese dhe njohëse midis Shqipërise dhe Pulias përmes organzimit të panaireve, vizitave reciproke dhe takimeve midis biznesmenëve, përmirësimit të informacionit qeveritar në këtë drejtim, etj..

Presidenti Vendola e ftoi Kryeministrin Berisha për një vizitë në Pulia, të cilën Kryeministri Berisha e pranoi me kënaqësi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›