E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha viziton kishën e Fushë Kosovës dhe premton fonde për restaurimin e saj

Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, zoti Skënder Zogaj, vizitoi Kishën ortodokse të Shën Nikollës në këtë komunë, e cila u dëmtua në trazirat e marsit 2004. Ai u prit nga prifti i kishës, Dragisha Jeremiç.

Kryeministri Berisha i premtoi priftit Dragisha Jeremiç një fond dhuratë për restaurimin dhe ndërtimin sa më shpejtë të kishës së Fushë Kosovës, duke e vlerësuar atë si një monument të rëndësishëm të kulturës së kësaj zone. Ndërsa Prifti Dragisha Jeremiç e falënderoi kryeministrin për këtë dhuratë të çmuar dhe i kërkoi atij t'u bënte thirrje dhe të inkurajonte besimtarët dhe të zhvendosurit të kthehen në kishë pasi, u shpreh ai, vetëm kështu mund të kemi një shoqëri të vërtetë multietnike.

Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe prifti Dragisha Jeremiç bënë komente për mediat.

Kryeministri Berisha përgëzoi përpjekjet e mëdha që kanë bërë qytetaret dhe autoritetet e Fushë Kosovës për të mbyllur pasojat e shkatërrimeve të viteve 98-99 dhe të vitit 2004.

"E ftova kryetarin e Komunës së bashku me përfaqësuesit e forcave politike dhe të komuniteteve fetare të Fushë Kosovës, për një vizitë në Shqipëri, në rastin më të parë që të munden.

Po ashtu, pata kënaqësinë të ofroja një dhuratë financiare për restaurimin e Kishës së Fushë Kosovës, këtij monumenti të shkëlqyer të kulturës. Ministria shqiptare e Kulturës dhe Institucioni i Restaurimit të Monumenteve do të vijnë këtu t'i sjellin këtë dhuratë komunës dhe Kishës së Fushë-Kosovës, për të realizuar sa më shpejtë restaurimin e saj. Hirësia e tij, Dragisha Jeremiç, më tha një fjalë, me të cilën jam plotësisht dakort; Me restaurimin tërësor të kishës, do të jemi në harmoni dhe mirëkuptim të plotë", u shpreh kryeministri.

Ndërsa Prifti Dragisha Jeremiç, i pyetur nëse e pranonte ftesën për të vizituar Shqipërinë, ai falënderoi kryeministrin Berisha për vizitën e tij dhe u shpreh se pranonte ftesën e bërë. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e nisur. Jemi duke punuar në drejtim të harmonise dhe bashkëpunimit për përmirësimin e kushteve dhe bashkëjetesës, në mënyrë që e ardhmja të jetë më e mirë, theksoi ai.

Ndërsa lidhur me vlerësimin që i bënte dhuratës së ofruar nga Kryeministri Berisha për restaurimin e Kishës së Fushë Kosovës, prifti Dragisha Jeremiç u përgjigj se është pak të thuash dhuratë. "E vlerësoj këtë si një ndihmë nga Shqipëria dhe shqiptarët dhe kjo dhuratë është një dorë pajtimi", tha ai.

I pyetur nëse ndihej mirë që kjo dorë pajtimi vinte nga një mysliman si Zoti Berisha, Prifti Dragisha Jeremiç tha se kjo është një dorë e madhe pajtimi dhe nuk ka rëndësi se nga kush vjen, nga myslimanë, katolikë a ortodoks.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›