Kryeministri Berisha “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Kamzës
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, titulli “Qytetar Nderi” i akordohet zotit Berisha për kontributin e tij në zhvillimet demokratike gjatë 19 viteve në Shqipëri, si dhe për angazhimin e veçantë që Kryeministri ka treguar dhe po tregon për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Bashkisë së Kamzës dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve të saj.Vendimi për t’i dhënë zotit Sali Berisha titullin “Qytetar Nderi” i Kamzës është miratuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak, pa asnjë dallim politik e partiak. Ndërkohë, Këshilltarët socialist në këtë bashki kanë deklaruar se nuk ia kishin dhënë votën për të shpallur Berishën “Qytetar Nderi”. “Ne, këshilltarët socialistë të Kamzës, jo vetëm që nuk kemi votuar për këtë titull, por edhe e quajmë të turpshme që të votojmë një gjë të tillë për kryeministrin e Gërdecit, për kryeministrin e tunelit të vjedhur e të shembur, për varfëruesin e Kamzës e të gjithë Shqipërisë, për manipulatorin e paskrupullt të votave të shqiptarëve”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët ardhur nga selia e Partisë Socialiste.