8 Dhjetori shpallet festë zyrtare
Qeveria ka shpallur sot 8 dhjetorin festë kombëtare, në nderim të ngjarjes së 19 viteve më parë kur një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë në Shqipëri. “Është ditëlindja e lirive të shqiptarëve”, cilësoi Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë, ndërsa nënvizoi se “8 dhjetori shënon një prej akteve më madhore të kurajos dhe guximit të të rinjve shqiptarë”. 8 dhjetori, tha Kreu i Qeverisë, shënoi fillimin e një epoke të re për Shqipërinë dhe shqiptarët, një epoke të paprecedentë në historinë e vendit. “Kjo epokë do të karakterizohet nga ndërtimi i një demokracie të mirëfilltë, ekonomie tregu dhe progresi të pandërprerë të Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt familjes së kombeve të zhvilluara dhe të qytetëruara perëndimore, nga të cilat shqiptarët pjesërisht ose tërësisht ishin shkëputur që në kohën e bizantit”, tha Kryeministri.