E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Aktivizimi i shoqërisë civile në monitorimin e korrupsionit do ta bëjë më eficente luftën kundër tij

- “Ne duhet të mendojmë për një sistem të fortë e të konsoliduar të monitorimit dhe ky sistem kalon nëpërmjet shoqërisë civile.”

Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se do t’i jepet përparësi aktivizimit më të gjerë të shoqërisë civile në monitorimin e korrupsionit.  

“Ne duhet të mendojmë për një sistem të fortë e të konsoliduar të monitorimit dhe ky sistem kalon nëpërmjet shoqërisë civile. Ajo ka meritën e zhvillimit të aftësive të domosdoshme për të përmbushur misionin, ka meritën e dytë të madhe që ka dialogun, hapjen dhe pavarësinë,” u shpreh Kryeministri.

Aktivizimi më i gjerë i shoqërisë civile në monitorimin e korrupsionit, theksoi Kryeministri, do ta bëjë luftën kundër tij më efikase. “Një bashkëpunim i gjerë me këto organizata, në një nivel që nuk ka ekzistuar ndonjëherë, do të mund ta bëjë luftën kundër korrupsionit në Shqipëri shumë më eficente.”

Kryeministri theksoi se vendosja e një bashkëpunimi të ngushtë me shoqërinë civile do të konsolidojë mekanizmin e monitorimit të institucioneve të shtetit.

“Shteti, - u shpreh Kryeministri - e ka jetik monitorimin e luftës kundër korrupsionit. Faktohet se nuk ka monitor më të mirë, sesa media e shoqëria civile. Por këtu, mediat janë biznes, të pleksura keq, pasi drejtuesit e saj janë edhe drejtorë, edhe biznesmenë. Por sërish nuk ka vend për t’u dëshpëruar. Ka vend që të jemi aktivë, në mënyrë që të konsolidohet i gjithë mekanizmi  i monitorimit të rreptë të shtetit, të qeverisë, administratës, gjyqësorit, parlamentit dhe të gjitha institucioneve. Kjo është transparencë ndaj publikut. Publiku duhet të ketë syrin e vet edhe nëpërmjet organizatave të pavarura që janë ato të shoqërisë civile.”

Me konsolidimin e këtij mekanizmi, Kryeministri Berisha shprehu besimin se do të ridimensionohet edhe mbikëqyrja jo vetëm e veprimtarisë publike, por edhe në sektorin privat.

“Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të ridimensionuar mbikëqyrjen ndaj të gjithë veprimtarive publike dhe gradualisht, duke u aftësuar shoqëria civile, bëhet edhe monitori më i mirë edhe i korrupsionit në sektorin privat, gjë të cilën një farë mënyre ajo e bën. Zëra të herëpashershëm ekzistojnë, por duhet të strukturohen dhe konsolidohen.”

Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria do bëjë disponibël fondin e përcaktuar për shoqërinë civile në këtë drejtim. “Në qoftë se ka një fushë ku qeveria duhet të financojë kundër vetës së saj, është kjo fushë. Qeveria duhet të financojë për ta mbajtur nën vëzhgim të rreptë, sepse ky është interesi më i mirë i saj dhe i publikut dhe vëzhgim të rreptë mund të vendosë shoqëria civile,” u shpreh Kryeministri.

Duke e konsideruar të rëndësishme shtrirjen e monitorimit deri në fshat, Kryeministri tha se në qoftë se krijohet një rrjet i gjerë monitorimi i veprimtarive, rezultatet do të jenë të mahnitshme.


19/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›