Kryeministri Berisha: Korrupsioni është një ajsberg, dimensionet e të cilit shtrihen jo vetëm në sektorin publik
Kryeministri Berisha tha sot se korrupsioni është një ajsberg, dimensionet e të cilit shtrihen jo vetëm në sektorin publik.
“Korrupsioni, - u shpreh Kryeministri - është një ajsberg i vërtetë. Ne po merremi vetëm me fushën publike dhe nuk mund të spostohemi për asnjë moment, por dimensionet e tij janë në të gjithë sektorët, në përballjen me të cilat ne jemi ende larg.”
Kryeministri Berisha u shpreh për domosdoshmërinë e plotësimit të të gjithë legjislacionit në këtë drejtim, në veçanti nenet anti ryshfet ndaj kompanive vendase dhe të huaja.
“Ne i kemi ratifikuar Konventat, por duhet të bëhen të gjitha plotësimet në legjislacionin tonë, në mënyrë të veçantë nenet anti ryshfet ndaj kompanive vendase dhe të huaja. Konventat ndërkombëtare kanë efekt kudo. Në të gjitha procedurat që ne mbulojmë, duhet të ketë një kriter themelor të vështrimit të tyre, kriteri antikorrupsion,” u shpreh Kryeministri.
19/11/2008