Kryeministri Berisha: Ambientalistët shqiptarë, zë i rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit
Kryeministri garantoi se qeveria do të jetë e vëmendshme ndaj plotësimit të standardeve dhe nuk do të ndërmarrë asnjë vendim apo veprim që bie ndesh me standardet e mjedisit, mbrojtjes dhe zhvillimit të tij. “Fatmirësisht ne shkojmë drejt BE-së dhe standardet më të mira janë ato të BE. Ndaj dhe le tu përmbahemi atyre dhe jo të krijojmë standarde “Sui generis”, që nuk mund të pranohen.
Duke theksuar se nuk duhet të ekzistojnë paragjykime ndërmjet palëve, Kryeministri siguroi se do të respektojë çdo protestë të ambientalistëve në se ajo është në mbrojtje të standardit. “Le të na thonë se cilin standard po thyejmë ne, dhe ne do të tërhiqemi. Por në se krijohen standarde të paqena, atëherë kjo nuk është në interesin e lëvizjes së ambientalistëve të cilët gjatë këtyre viteve, kanë qenë avokatë të shkëlqyer të mbrojtjes së mjedisit.”
Duke vlerësuar punën e bërë prej ambientalistëve, Kryeministri u shpreh se qeveria nuk ka ndërmarrë dhe nuk do të ndërmarrë asnjë vendim pa miratimin e tyre, dhe se do të konsolidojnë më tej dialogun e përbashkët. “Studimet lidhur me mjedisin i bëjnë institucione të pavarura të mjedisit. Ne u kemi dhënë besim të plotë atyre. Kështu që edhe me ata duhet ta konsolidojmë dialogun, duhet ti sqarojmë, duhet të dalim nga fusha e paragjykimit dhe të hymë në fushën e standardeve.” u shpreh Kryeministri.