Kryeministri Berisha: Renditja e Shqipërisë e 25-ta, në 149 vende të botës, arritje madhore në përpjekjet për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe përgëzoi për punën e bërë që Shqipëria të renditet ne vendin e 25, nga 149 vende në të gjithë botën, dhe i dyti në rajon, për performancën ndaj mjedisit. “Gjykoj se renditja e Shqipërisë në këtë vend përbën një arritje madhore të përpjekjeve tona për mbrojtjen dhe zhvillimin mjedisit.” – u shpreh kryeministri.
Duke theksuar se asgjë nuk është më shumë i lidhur me jetën dhe shëndetin e njerëzve sesa mjedisi, Kryeministri u shpreh se kurorëzimi me sukses i një politike të ndjekur me vendosmëri për të mbrojtur standardet merr këtë vlerësim, me të cilin Shqipëria la pas një pjesë të madhe të vendeve të zhvilluara.
Kryeministri vuri në dukje se vlerësimi i marë është kompleks dhe bazohet në një seri treguesish. Duke u ndalur në mënyrë konkrete në treguesit e ujrave të bregdetit, kryeministri tha se vitin e kaluar këta tregues kanë qenë plotësisht të pranueshëm, pavarësisht raportimeve të bëra në momente të caktuara.
Duke vlerësuar se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se është e gabuar çdo përpjekje për ti dhënë ngjyresa politike çështjes
“Ne nuk përpiqemi të themi që gjithçka është e përsosur, por kemi bërë përpjekjet më serioze për të mbrojtur ujerat. Vetëm në bregun shqiptar janë 6 impiante të përpunimit në ndërtim e sipër.”- u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se problemeve serioze të mjedisit në Tiranë, mund tu jepet zgjidhje vetëm nëpërmjet projekteve konkrete për mbrojtjen nga ndotja të zonave specifike, si qendra e Tiranës, zona e 21 dhjetorit, Unaza, etj. “Problemeve serioze të mjedisit në Tiranë, duhet të përpiqemi ti japim zgjidhje sa më shpejt dhe përsëri e theksoj se nuk zgjidhen as duke i politizuar ato, as duke akuzuar qeverinë dhe as bashkine. Zgjidhja duhet të bazohet vetëm në projekte konkrete.” tha Kryeministri.
Kryeministri kërkoi nga Ministria përkatëse, që sipërmarrjet "ARMO" dhe "AlbPetrol"të zbatojnë me përpikmëri të gjitha detyrimet ndaj mbrojtjes së mjedisit, në zonat ku ato veprojnë. Në rast të kundërt, Kryeministri kërkoi zbatimin e sanksioneve më të rrepta ndaj tyre.
“Megjithë shqyrtimit që do ti bëjmë sërish zotimeve të tyre, ju si ministri duhet të keni rreptësinë më të madhe sepse këto dy sipërmarrje janë publike dhe duhet të përmbushin detyrimet e tyre madhore, për mbrojtjen e mjedisit në zonat kua ato operojnë . Janë zona të gjera që shtrihen nga Ballshi, Kucovë, Marinzë, Fier.Ky vit duhet të ketë përparësi të madhe disiplinimin e këtyre dy sipërmarrjeve ndaj mjedisit.”- tha kryeministri.