E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ngjarje me impakt të jashtëzakonshëm në procesin e zhvillimit të vendit

Kryeministri Berisha, duke përshëndetur në takimin e organizuar me rastin e 4-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, tha se kjo është data më e rëndësishme në historinë tonë, pas shpalljes së pavarësisë vendit.

Në një ceremoni të organizuar nga ministria e Mbrojtjes, në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Kryeministri Berisha shprehu vlerësim për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme që vendet aleate dhe vendet mike i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një proces rreth 18 vjeçar, në të cilin shqiptarët, me përpjekje dhe përkushtim të madh, hodhën themelet e një sistemi të bazuar në vlerat e lirisë dhe demokracisë, institucioneve demokratike”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një ngjarje e madhe dhe me një impakt të jashtëzakonshëm në procesin e zhvillimit të këtij vendi. “Fill pas këtij anëtarësimi ka ndodhur që investimet e huaja direkte u 3-fishuan në Shqipëri”, tha Kryeministri.

“Shqipëria, - u shpreh Kryeministri, - punon me përkushtimin më të madh në projektin e dytë më kryesor të këtij shekulli, projektin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se “jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje, do të ndërmarrim çdo reformë, për të ecur në një proces plotësisht të merituar”.

“Brenda një afati të shkurtër kohor, - theksoi Kryeministri, -  demokracia shqiptare ka një test të fuqishëm, ka një festë të vërtetë dhe këto janë zgjedhjet e përgjithshme. Më lejoni t’ju garantoj ju, të dashur përfaqësues të vendeve aleate, se qeveria shqiptare do të bëj gjithçka që të nderojë vlerat, votën, ligjet, kushtetutën dhe standardet më të mira ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar ministër i Mbrojtjes, zoti Arben Imami,

Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zoti Arvizu,

Shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe vendeve mike,

Shef i Shtabit të Përgjithshëm,

Atasheh të ushtrive aleate dhe partnere në Shqipëri, të dashur Gjeneralë, Komandantë të Forcave tona të Armatosura,

Është një privilegj i madh për mua të përshëndes sot, në emër të qeverisë, qytetarët shqiptarë dhe anëtarët e Forcave të Armatosura, në 4-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, datën më të rëndësishme në historinë tonë, pas shpalljes së pavarësisë vendit. Është një rast i veçantë të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj vendeve aleate dhe vendeve mike në tërësi, Shteteve të Bashkuara, udhëheqës të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në veçanti, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO, për bashkëpunimin e shkëlqyer që është vendosur në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një proces rreth 18 vjeçar, në të cilin shqiptarët, me përpjekje dhe përkushtim të madh, hodhën themelet e një sistemi të bazuar në vlerat e lirisë dhe demokracisë, institucioneve demokratike. Ishte një proces, në të cilin shqiptarët transformuan në mënyrë rrënjësore Forcat e tyre të Armatosura, sistemin e tyre të sigurisë.

Në të gjithë këtë proces shumëvjeçar, rol kryesor dhe të pazëvendësueshëm ka patur bashkëpunimi me ushtrinë, me institucionet dhe me qeveritë e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, vendeve aleate dhe vendeve partnere. Në të gjithë këtë proces konsolidimi i vlerave të demokracisë ka qenë përcaktues, për aq sa NATO-ja është para së gjithash një aleancë politike, aleancë e sistemeve të bazuara në vlerat e lirisë, demokracisë dhe shoqërive të lira.

Për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO shënon një moment historik, shënon momentin e vendosjes së saj në sistemin e sigurisë kolektive më të fuqishme të kohërave, shënon një moment të përgjegjësive të reja në kuadrin e këtij sistemi, të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në të. NATO-ja është një institucion frymëzues jo vetëm për vendet anëtare të saj, por një institucion frymëzues dhe një organizatë frymëzuese për të gjitha organizatat e tjera të vendeve të lira. Kapaciteti i saj për të reformuar veten, për të ndjekur qëllimet dhe misionin e saj për t’u përshtatur me to, jo vetëm në hapësirën euro-atlantike, por edhe në hapësira të tjera, kur e kërkojnë çështjet e sigurisë globale, janë me të vërtetë frymëzuese dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme.

Në këtë kontekst, Shqipëria, si një anëtar i ri, ka bërë përpjekjet më serioze dhe me përkushtim të madh t’u përgjigjet obligimeve të saj. Njësitë e saj të armatosura kanë shërbyer dhe do të shërbejnë në zonat më të nxehta të veprimtarisë së forcave të Aleancës. Ne mbetemi të vendosur të përmbushim çdo detyrim që rrjedh nga akti i anëtarësimit të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Është i admirueshëm reformimi i Forcave tona të Armatosura gjatë këtyre viteve, kalimi në sistemin e ushtrisë profesioniste, por, në mënyrë të veçantë, përmbushja me disiplinë dhe vendosmëri e objektivave për demilitarizimin e municioneve të vjetra, të cilat kanë përbërë një rrezik serioz për shqiptarët dhe jo vetëm për shqiptarët, por edhe më gjerë.

Edhe në këtë kontekst, ndihma e madhe e qeverisë amerikane, ndihma e madhe e dy burrave të shquar të këtij kombi, Senatorëve Nunn dhe Lugar, në kuadrin e zhdukjes së armëve kimike dhe armëve të shfarosjes në masë, ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme. Shqipëria, falë këtij projekti, u bë vendi i parë pa armë të shfarosjes në masë. Së shpejti ne do të jemi ndër vendet e para që ndahemi përfundimisht nga male të tëra municionesh tërësisht të rrezikshme. Jashtë Aleancës së Atlantikut të Veriut kjo do të kishte qenë tërësisht e pamundur. Pa ndihmën dhe mbështetjen e ushtrisë amerikane, qeverisë së Shteteve të Bashkuara, kjo nuk do të ishte e mundur.

Zonja dhe zotërinj,

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një ngjarje e madhe dhe me një impakt të jashtëzakonshëm në procesin e zhvillimit të këtij vendi. Nuk mund të mos theksoj këtu se fill pas këtij anëtarësimi ka ndodhur që investimet e huaja direkte u 3-fishuan në Shqipëri. Pra besimi i investitorëve të vendeve tuaja ndaj vendit tim u rrit me tre herë.

Shqipëria punon me përkushtimin më të madh në projektin e dytë më kryesor të këtij shekulli, projektin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe kjo, një organizatë e bazuar në vlera të lirisë, paqes, demokracisë, stabilitetit dhe prosperiteti. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje, do të ndërmarrim çdo reformë, për të ecur në një proces plotësisht të merituar. Ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë dhe interesi më i mirë i vendit.

Brenda një afati të shkurtër kohor demokracia shqiptare ka një test të fuqishëm, ka një festë të vërtetë dhe këto janë zgjedhjet e përgjithshme. Më lejoni t’ju garantoj ju, të dashur përfaqësues të vendeve aleate, se qeveria shqiptare do të bëj gjithçka që të nderojë vlerat, votën, ligjet, kushtetutën dhe standardet më të mira ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor.

Edhe njëherë, urimet më të përzemërta në këtë datë të shënuar të historisë tonë të gjithë shqiptarëve, në tërësi dhe anëtarëve të Forcave tona të Armatosura, në veçanti.

Gëzuar 4-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO!”  


04/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›