E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Aspektet sociale janë imazhi i qeverisë

-“Politika që ne ndjekim për arsimin është një dëshmi e shkëlqyer e politikës sonë sociale.”

Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik, se politikat sociale, ndjeshmëria ndaj personave më në nevojë, qeveria e shërbimit dhe shërbesave, janë parimet dhe prioritet e qeverisë që ai kryesor.

“Aspektet sociale janë imazhi i qeverisë. Unë jam politikan i taksave të ulëta, liberalizimit, privatizimit dhe standardeve më liberale, por mbetem gjithnjë i parimit të qeverisë së shërbimit dhe shërbesave, i ndjeshmërisë ndaj atyre që janë më në nevojë, i vendosmërisë për të lehtësuar dhe ndryshuar jetën e  tyre. Ndaj qeveria, politikën sociale e ka pasur dhe e ka përparësi të madhe,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha e konsideroi politikën e ndjekur për arsimin si një dëshmi të shkëlqyer të aspektit social të qeverisë.

“Spektri i politikës sociale, u shpreh Kryeministri - është i gjerë dhe nuk mund të konceptohet thjesht në ndihmën ekonomike. Politika që ne ndjekim për arsimin është një dëshmi e shkëlqyer e politikës sonë sociale. Asgjë më sociale nuk ka për të rinjtë shqiptarë, sesa t’u japësh atyre mundësinë të ndjekin universitetet, të dy dhe trefishosh numrin e studentëve në 3-4 vjet. Kjo politikë të çon drejt standardeve europiane, që në thelbin e saj, për ata që kanë koncepte të shëndosha, ka shërbyer për të luftuar varfërinë, ndërsa për ata, që kanë deficite pothuajse të lindura në problemet e edukimit, e kanë të vështirë t’i kuptojnë. T’i japësh dikujt mundësinë të ndjekë universitetet, i rrit atij shanset të paktën me 10 herë për t’u punësuar e ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tij. Pa përfshirë këtu pasojat e mëdha pozitive që kjo ka për vendin.”


23/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›