Kryeministri Berisha: Reformat në arsim dhe shëndetësi, mbeten prioritet i buxhetit 2009
- “Suksesi i reformës në shëndetësi një momenti i rëndësishëm për tërë sistemin tonë shëndetësor dhe për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve.”
Arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy fushat prioritare në buxhetin e shtetit 2009. Kryeministri Berisha tha, gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, se këto janë dy reforma jetike
“Buxheti 2009 përparëson arsimin. Ashtu siç jemi zotuar, do të vazhdojmë ndërtimin e qindra shkollave të reja. Ne po përgatisim hartën e të gjitha shkollave që duhen ndërtuar dhe rindërtuar,” u shpreh Kryeministri.
Duke përmendur disa nga drejtimet kryesore të reformës në sistemin shëndetësor, Kryeministri Berisha tha se buxheti 2009 është një mbështetje e madhe në drejtim të realizimit dhe suksesit të saj.
“Ministrja e Shëndetësisë dhe Zëvendëskryeministri Pollo që drejton reformën në shëndetësi, po punojnë me seriozitet të madh në disa drejtime, që janë shinat e domosdoshme për reformimin e sistemit shëndetësor. Po bëhet dixhitalizimi, jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm për menaxhimin e këtij sistemi. Të dhënat janë mjaft shpresëdhënëse se ky projekt do të realizohet në kohën më të shkurtër të mundshme. Qendrat spitalore do të kalojnë si financim nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ky është një model universal që ekziston në të gjitha vendet perëndimore. Ky është një hap i guximshëm, por jetik, për të vendosur modelin e ri të financimit dhe frymën e re të menaxhimit të spitaleve tona. Kjo kërkon riorientimin në buxhetin e shtetit dhe qeveria është e vendosur të japë të gjithë ndihmën e duhur për suksesin e kësaj reforme,” u shpreh Kryeministri Berisha. Ai e konsideroi suksesi i këtij momenti tepër të rëndësishëm për tërë sistemin tonë shëndetësor dhe për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve.
23/10/2008