E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm turk Babacan vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe reformat e mëdha të qeverisë shqiptare

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Jashtëm të Turqisë Ali Babacan. Kryeministri Berisha i uroi përzemërsisht mirëseardhjen ministrit turk dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësinë e gjatë dhe tradicionale mes dy vendeve, si dhe shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar dhe konsoliduar më tej këto marrëdhënie në të ardhmen.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, pasi e falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë, si dhe për organizimin e suksesshëm të ministerialit të Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të Zi, mbështeti plotësisht vlerësimet e Kryeministrit se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera dhe të konsoliduara në një traditë të gjatë historike, si dhe theksoi se populli turk ruan ndjenjat më të ngrohta vëllazërore për popullin shqiptar. Ministri turk u shpreh se ndihet i impresionuar nga arritjet e qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe reformat e mëdha që qeveria Berisha ka ndërmarrë, të cilat kanë transformuar imazhin e Shqipërisë në botë. 

Të dy personalitetet vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare, nivelin e investimeve direkt të sipërmarrjeve turke në Shqipëri, të cilat në total shënojnë sot vlerën prej 860 milionë dollarë. Ata shprehën vendosmërinë e të dy qeverive për të intensifikuar dhe zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat.  

Ministri i jashtëm turk shprehu përkrahjen e plotë të Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, përpara samitit të ardhshëm dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon. 

Kryeministri Berisha garantoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për të gjitha investimet turke në Shqipëri dhe të dy palët u shprehën të gatshëm për bashkëpunim të ngushtë edhe në fusha të tjera, si rendi, siguria, etj.

Të dy personalitetet diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, duke rikonfirmuar qëndrimin e  përbashkët se pavarësia e Kosovës është faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.   

Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm i Turqisë dhanë një prononcim për shtyp:

Kryeministri Berisha: Ishte një takim shumë miqësor. Me Ministrin e Jashtëm Babacan diskutuam marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve në të gjitha fushat dhe prania sot këtu e ministrit Babacan është dëshmi e këtyre marrëdhënieve.

Në tre vite, shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve janë katërfishuar, investimet private, nga 26 milionë dollarë që ishin në vitin 2002, kanë arritur në 860 milionë dollarë. Turqia ka mbështetur fuqishëm paqen dhe stabilitetin në Ballkan, ka dhënë kontributin e saj të rëndësishëm për zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe konflikteve në Ballkan, Turqia është një nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë përpjekje shumë të mëdha dhe serioze për të promovuar kauzën e pavarësisë së Kosovës, në vende të tjera mike. Turqia është vend themelues i Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi dhe promotor kryesor i bashkëpunimit në gjirin e kësaj organizate.

Ndaj, edhe njëherë, dua të falënderoj ministrin Babacan, qeverinë e tij, kombin mik turk, për të gjithë mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe kombit shqiptar. 

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ali Babacan: Sot, me Kryeministrin Berisha, patëm një takim tepër të frytshëm dhe dobiprurës. Gjatë këtij takimi, ne konfirmuam edhe njëherë reciprokisht se marrëdhëniet tona janë në një nivel të përkryer. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë me të vërtetë të veçanta, janë marrëdhënie vëllazërore dhe miqësore që e kanë burimin thellë në histori. Popujt tanë reciprokisht kanë ndjenja shumë të mira për njëri tjetrin. Edhe pjesëmarrësja e shumë biznesmenëve turq në Shqipëri, është shprehje konkrete dhe kuptimplotë e këtyre lidhjeve shumë miqësore.

Ne kemi ndjekur dhe i vlerësojmë reformat politike dhe ekonomike që ka realizuar dhe vazhdon të realizojë Shqipëria. Megjithëse ndodhet relativisht në një zonë të vështirë gjeografike, Shqipëria është një faktor stabiliteti. Qëndrimet e Turqisë dhe Shqipërisë janë shumë të ngjashme,  janë paralele, për shumë çështje rajonale dhe ndërkombëtare. Vlerat dhe idealet tona janë të përbashkëta.

Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se marrëdhëniet miqësore personale midis Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Erdogan, janë shumë të rëndësishme për marrëdhëniet tona. Marrëdhënie të tjera miqësore dhe vëllazërore shpërndahen dhe pasqyrohen në të gjitha fushat e marrëdhënieve tona.  Dëshiroj të falënderoj veçanërisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë që më rezervoi sot.                


23/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›