Kryeministri Berisha takon Asistent Ministrin e Jashtëm të Egjiptit, zotin Mohamed El Oraby
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Asistent Ministrin e Jashtëm të Egjiptit, zotin Mohamed El Oraby.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e tyre në të ardhmen, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes për të dy vendet, veçanërisht në shkëmbimet tregtare.
Asistent Ministri i Jashtëm i Egjiptit, zoti Muhamed El Oraby shprehu vlerësimet e tij për progresin e reformave në Shqipëri, si dhe transformimin që i është bërë vendit nën lidershipin e kryeministrit Berisha, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë politikat e zbatuara për krijimin e një klime të përshtatshme dhe lehtësuese për bizneset e huaja, si dhe duke shprehur interesin për rritjen e investimeve egjiptiane në bujqësi, industrinë tekstile, etj.
Zoti El Oraby i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të ngrohta të Kryeministrit Egjyptian, zotit Nazif Ahmet.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare, për mbështetjen që Egjipti i ka dhënë Shqipërisë në shumë aspekte. Kryeministri Berisha e njohu zotin Mohamed El Oraby me ecurinë dhe arritjet e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në sektorë të rëndësishëm për vendin, si në atë ekonomik, të mbrojtjes, etj. Duke u ndalur në rezultatet e masave për përmirësimin e klimës ndaj biznesit, kryeministri ftoi investitorët egjiptianë të rrisin prezencën e tyre në vendin tonë, duke u shprehur se tashmë Shqipëria zotëron klimën më optimale të një vendi tërheqës dhe me potenciale të shumta për tu shfrytëzuar nga investitorët e huaj.
23/10/2008