E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Autoritetet e Egjiptit, interes të veçantë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë

Kryeministri Berisha shprehu sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, falënderimet për mikpritjen dhe për interesin e veçantë të autoriteteve egjiptiane për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. “Falënderoj me shumë mirënjohje Kryeministrin Nazif për ftesën dhe mikpritjen e shkëlqyer, Presidentin Mubarak për pritjen dhe interesin e veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe Kryetarin e Parlamentit.”

Kryeministri tha se bisedimet u përqendruan në bashkëpunimin dypalësh, çështjen e gazsjellësit Transadriatik dhe statusin përfundimtar të Kosovës.

Duke e nënvizuar Egjiptin si një vend mik, me lidhje historike, Kryeministri  vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, por ekzistojnë hapësirat për t’i çuar ato përpara.

“Takimet me autoritetet egjiptiane qenë shumë miqësore dhe të përzemërta. Niveli i marrëdhënieve mes dy vendeve është i shkëlqyer dhe, natyrisht, ka shumë hapësirë për të intensifikuar këto marrëdhënie në të gjitha fushat si në shkëmbimet ekonomike, investimeve, në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, të bashkëpunimit në kuadrin e procesit të Barcelonës dhe nismave të tjera mesdhetare, në luftën kundër terrorizmit, në të cilën të dy vendet janë të angazhuara. Dy vendet kanë një kuadër ligjor të zgjeruar, me një numër marrëveshjesh të nënshkruara, që mund të plotësohen më tej,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi se një vend të rëndësishëm në axhendën e takimeve me autoritetet egjiptiane zuri statusi përfundimtar i Kosovës. “Si një vend mik, - tha Kryeministri, - unë mora premtimin se Presidenti Mubarak do të bëjë më të mirën për të dhënë kontributin e këtij vendi si në rrafshin bilateral, edhe në atë ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe rrafshin e vendeve të Konferencës Islamike, në mënyrë që të finalizohet sa më shpejt, dhe në përputhje me projektin e Presidentit Ahtisari, statusi përfundimtar i Kosovës.”

Një tjetër temë të rëndësishme ishte edhe diskutimi për çështjen e gazit. Kryeministri theksoi se Shqipëria mbështet fuqimisht projektin e gazsjellësit Transadriatik, sepse ky projekt përshkon Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe u krijon këtyre dy vendeve akses shumë të madh në gaz. “Egjipti është prodhues madhor gazi, me rezerva të jashtëzakonshme dhe e shtrin gazsjellësin e vet nga Jordania në Siri, për të kaluar në drejtim të Turqisë, ku do të bashkohet me burime të tjera të mëdha të gazit që vijnë nga deti Kaspik dhe burime të tjera. Për ne ka rëndësi të jashtëzakonshme që qeveria egjiptiane do të konsiderojë shumë seriozisht që, në kuotën e gazit që ajo fut në tregun madhor të Europës, të parashikohet edhe ndihma direkte për gazsjellësin që kalon nëpër Shqipëri,” u shpreh Kryeministri.  

Duke e konsideruar këtë gazsjellës më ekonomikun, i cili shkurton me 200 kilometra distancën midis zonës së burimeve të gazit dhe Italisë, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Ekonomisë të ndjekë me përparësi këtë projekt. Pas premtimit të qeverisë së Azejrbaxhanit, janë edhe disa faktorë, nënvizoi Kryeministri, që e afrojnë dhe e bëjnë më realitet zbatimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për ne.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha ka marrë vlerësime për rezultatet e reformave në vend, në veçanti ato fiskale. “Egjipti ishte në proces reformash të thellë. Por ne jemi më të avancuar në reformën fiskale, çka mori shumë vlerësime dhe krijoi tërheqje për biznesmenët egjiptianë, të cilët, kur u njohën me vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind, shprehën vlerësime shumë të mëdha.”

Nga data 28-29 tetor, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizite zyrtare në Egjipt, gjatë së cilës u takua me Presidentin Hosni Mubarak, Kryetarin e Parlamentit Ahmed Fethi Sorour, Kryeministrin Ahmed Nazif. Kryeministri zhvilloi takime edhe me biznesin egjiptian, ku ishin të pranishëm edhe një grup biznesmenësh shqiptarë, të cilët shoqëruan Kryeministrin në këtë vizitë.   

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›