Kryeministri Berisha: Fondi i ekselencave do të shtrihet edhe për kulturën dhe artin
Kryeministri Berisha tha sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se Fondi i Ekselencave do të shtrihet jo vetëm në fushën akademike, por edhe në atë të kulturës dhe artit.
Kryeministri tha se koncepti për ekselencat nuk duhet parë ngushtë sikur adresohet vetëm për shkencat dhe universitetet, por ai shtrihet në të gjitha fushat. “Është jashtëzakonisht pozitive që disa prej këtyre personaliteteve bëjnë përpjekje të vijnë në vend nëpërmjet një mbështetjeje jo shqiptare, sepse kjo mbështetje u ka munguar, por që tashmë do t’u ofrohet me përparësi. Ata duhet ta dinë që publiku i tyre i do dhe ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse përshtatemi me kërkesat e publikut,” u shpreh Kryeministri, duke kërkuar dinamizëm më të madh në këtë proces.
Për realizimin e këtij qëllimi, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Kulturës të ketë një program të hollësishëm për sjelljen e tyre në vend, kundrejt kontratave, bonuseve dhe marrëveshjeve. “Skena shqiptare, kultura dhe arti shqiptar duhet të jenë tërësisht të hapura për to. Ora e botës është ora globale dhe ne duhet të bëjmë përpjekje që ora jonë të sinkronizohet me atë globale.”