Zëvendëskryeministri Oketa: Qeveria, e angazhuar për ta bërë integrimin në BE e NATO, një realitet të afërt për shqiptarët
Zëvendëskryeministri Oketa u shpreh se SKZHI identifikon masat për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe ajo identifikon dhe angazhimet kryesore të Planit Kombëtar të Zbatimit të MSA, si dhe tregon për një shpërndarje të përgjegjësive midis sektorëve. “Kjo tryezë e rrumbullakët është pjesë e një serie aktivitetesh konsultative që do të pasojnë në javët në vazhdim, të cilat do t’i shërbejnë përmirësimit të mëtejshëm të këtij dokumenti mbarëkombëtarë”, tha zoti Oketa.
Zëvendëskryeministri rikonfirmoi angazhimin e plotë të Qeverisë për ta bërë integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian një realitet të afërt për shoqërinë shqiptare. “Gjej rastin të rikonfirmoj edhe një herë angazhimin tërësor të qeverisë dhe mund të them pa hezitim të të gjithë aktorëve të spektrit politik e social shqiptar, për ta bërë integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian një realitet të afërt për shoqërinë shqiptare, si një detyrim absolut ndaj vetvetes, brezave që kemi lënë pas dhe atyre që do të vijnë”, u shpreh Zëvendëskryeministri.
Në fjalën e tij Zëvendëskryeministri Oketa u shpreh:
“Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në tryezën e parë të rrumbullakët për proçesin e konsultimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, e cila është e fokusuar në prioritetet strategjikë të Qeverisë, njëkohësisht dhe projektet më të mëdha kombëtare siç janë integrimi në BE dhe NATO.
Ky proçes konsultimi ka disa qëllime: Të njohë publikun e gjerë me dokumentin si dhe me procesin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, t’u japë mundësi palëve të interesuara jashtë qeverisë të shprehin komentet e tyre në lidhje me thelbin e dokumentit, t’i shërbejë një konsensusi sa më të gjerë, për vizionin e vendit, prioritetet strategjike si dhe qëllimet strategjike për një periudhë 7-vjeçare 2007-2013
Eksperienca e vendeve në zhvillim apo tranzicion dëshmon për dy lloj situatash; ose vende që vuajnë nga mungesa e kuadreve strategjike dhe dokumenteve përkatëse, ose grupi tjetër i vendeve që kanë pasur një inflacion dokumentesh strategjikë që interferojnë e mbivendosen me njëri-tjetrin.
Fatmirësisht, Shqipëria mund të kualifikohet në grupin e dytë. Kemi pasur shumë dokumente strategjike, padyshim në vlerat e tyre individuale të dobishme e përgjithësisht të mirë përgatitura, por që në të shumtën e rasteve me shumë mbivendosje prioritetesh, me afate kohore të ndryshme, ose me fokus e përqasje shumë specifike apo të palidhura si duhet me aspektet e tjera ndërvepruese të zhvillimit apo integrimit.
Ky dokument, si dokumenti kryesor strategjik i vendit, zëvendëson Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social (SKZHES), të aprovuar në vitin 2001. Ky ishte një dokument i vlefshëm, që shërbeu si bazë për përgatitjen e buxhetit, por pas një periudhe 7-vjeçare lindi nevoja për përditësim. Në funksion të kushteve të reja të vendit, u pa e nevojshme të zgjerohej shtrirja e tij duke reflektuar më mirë fushat dhe sektorët prioritarë të vendit. Tani Shqipëria, po përballet me sfida të tjera të rëndësishme gjatë procesit të integrimit në BE dhe NATO, të cilat nuk ishin në fokusin e SKZHES dhe kjo pasqyron progresin që kemi bërë si komb dhe aspiratën tonë për integrim në BE e NATO.
Dihet se synimi i çdo Qeverie demokratike është përmirësimi i nivelit të jetesës për të gjithë qytetarët e një shteti të udhëhequr nga ligji. Është pikërisht ky lajtmotiv që përbën edhe thelbin e vizionit të shprehur në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Anëtarësimi në BE dhe NATO nuk është qëllim në vetvete, por siç e ka vërtetuar edhe eksperienca e vendeve pararendëse, është instrumenti më i mirë për të rritur standardet mbi te cilat duhet te funksionoje e zhvillohet shoqëria dhe Shteti Shqiptar. Në anën tjetër, ne jemi të bindur se Shqipëria do ta fitojë anëtarësinë me anë të rezultatit të punës së bërë, anëtarësimi nuk është “dhurate” por “merite”.
Për të kuptuar si i reflekton dokumenti prioritetet tona kombëtare, është e rëndësishme të njihet procesi, por edhe përmbajtja e dokumentit në vetvete, te cilat bazohen ne eksperienca e praktika te avancuara ndërkombëtare:
§ Sinteza e procesit te përgatitjes së këtij dokumenti tregon përpjekjet e administratës publike duke filluar që nga viti 2006, për ta venë planifikimin strategjik në themel dhe pjesë integrale të punës në të gjitha institucionet qeveritare. Mund te them pa ekuivoke, duke bërë një eko edhe të ekspertizës ndërkombëtare, se Sistemi i Planifikimit të Integruar që ne po mundohemi të adoptojmë është, të paktën në koncept, një nga sistemet më të avancuara të vendeve në zhvillim apo tranzicion. Sfida e kësaj Qeverie, dhe atyre që do të vijnë më pas, është ta bëjnë Sistemin e Integrimit te Planifikuar një proces real e të përditshëm të punës së institucioneve Shqiptare. Ky është një ndër qëllimet bazë të cilit i shërben edhe ky dokument strategjik që po diskutohet sot.
§ SKZHI është bazuar në përgatitjen e strategjive sektoriale nga të gjitha ministritë. Është një koncept i thjeshtë: çdo ministri ka nevojë për një strategji sektoriale si një dokument reference për të orientuar politikat dhe programin buxhetor afatmesëm. Kjo praktikë, e cila përdoret gjerësisht nga vendet anëtare të BE, në Shqipëri është akoma e mangët.
§ Dokumenti i SKZHI vë theksin primar në angazhimin tonë drejt integrimit. Dokumenti identifikon angazhimet kryesore të Planit të Veprimit për Anëtarësimin në NATO dhe angazhimet kryesore të Planit Kombëtar të Zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) duke bërë shpërndarjen konkrete të përgjegjësive midis sektorëve. SKZHI orienton rialokimin e fondeve te mbetura drejt fushave të tjera prioritare e shumë të rëndësishme të zhvillimit që duhen mbështetur me po aq përparësi, si zhvillimin ekonomik e social. bujqësia, mjedisin, infrastruktura etj..
§ Në këtë kuadër, u mor vendimi për planifikimin e afatit kohor për SKZHI në përputhje me afatin kohor 2007-2013 që është kuadri aktual financiar i Komisionit Evropian dhe i Asistencës së Para-aderimit. Kjo përputhje sjell një bashkëpunim më eficient me BE. Përshtatja me afatet kohore të vendeve anëtare të BE, ndihmon në formulimin e kërkesave të vendit për mbështetje financiare nëpërmjet fondeve të strukturuara që përdorin këto afate kohore.
§ Kontributi i ndryshëm nga dokumentet e tjerë është se, SKZHI bën edhe kostimin e politikave e masave duke u përpjekur të identifikojë të gjitha kërkesat për financime, si ato që kanë lidhje direkt me integrimin edhe ato që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me të. Në këtë mënyrë, hap dhe rrugën për shkëmbimin e mendimeve se cilat politika duhet të financohen më me prioritet nga buxheti apo burimet e huaja të financimit.
Në shërbim të kësaj strategjie, për thithjen, koordinimin dhe implementimin më efikas të asistencës së huaj Qeveria është duke përgatitur paralelisht Dokumentin e Orientimit të Asistencës së Huaj. Ky dokument do të ndihmojë në identifikimin e boshllëqeve të financimit të prioriteve të pa mbuluara nga Programi Buxhetor Afat-Mesëm dhe angazhimet aktuale të donatorëve. Ky dokument do të jetë bazë e negociatave me donatorët në vitet në vijim dhe do të ndihmojë në identifikimin e projekt-ideve kyçe që do të mbështesin zbatimin e strategjisë dhe do të inkurajojë partnerët tanë donatorë të punojnë së bashku për ta bërë procesin e asistencës së huaj më efiçente.
SKZHI identifikon masat për zbatimin e MSA. Gjithashtu identifikon dhe angazhimet kryesore të Planit Kombëtar të Zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) si dhe tregon për një shpërndarje të përgjegjësive midis sektorëve. Në këtë kontekst, implementimi i Marrëveshjes Ad interim, sipas Komisionit Evropian ka qenë i suksesshëm.
Me anë të MSA-së, Shqipëria synon arritjen e standardeve, të cilat do i garantojnë asaj statusin e vendit kandidat. Detyrimet që rrjedhin nga MSA si:
a) respektimi i shtetit të së drejtës dhe i demokracisë, i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, i rregullave të një ekonomie tregu të lirë
b) bashkëpunimi rajonal në favor të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik
c) krijimi i një zone tregtie të lirë ndërmjet Shqipërisë dhe BE
d) adoptimi i acquis communautaire
e) bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të çështjeve të brendshme dhe politika të tjera sektoriale
f) bashkëpunimi financiar
janë në fokus të politikave dhe reformave aktuale të qeverisë.
Por vetë dokumenti parashikon që kushtet për anëtarësim shkojnë përtej punës së parashikuar në kuadër të MSA. Vendi ynë do të përfitojë nga eksperienca e zgjerimit të BE me anëtarësimin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore për të negociuar pozitën e saj në lidhje me periudhën e tranzicionit të nevojshëm për disa nga fushat e acquis-it.
Kontributi kryesor në këtë kuadër është se, përpiqet të identifikojë të gjitha kërkesat për financime publike, si ato që kanë lidhje direkt me integrimin edhe ato që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë..
§ Dokumenti identifikon angazhimet kryesore të Planit të Veprimit për Anëtarësimin në NATO. Integrimi në NATO shpallet si njëra nga shtyllat më kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Ky objektiv strategjik për kombin dhe shtetin shqiptar, tejkalon çdo interes politik të ditës. Theksohet që, reformat, forcimi i shtetit ligjor dhe i reformave në fushën e mbrojtjes, është rruga e vetme për marrjen e ftesës për anëtarësim.
Buxheti për sektorin e mbrojtjes është rritur nga 1.58% në 2006, në 1.83 % në 2007 dhe arrin 2% të PBB-së në 2008, 2 vjet më parë nga sa ishte parashikuar.
Shqipëria do të rrisë kontributin me një kompani më tepër në Afganistan dhe tek Ekipi i Përbashkët Mjekësor në ISAF, në kuadër të Kartës së Adriatikut. Gjithashtu do të vazhdojë të japë kontributin në misionet në Irak, në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe vëzhgues në Gjeorgji.
Shqipëria angazhohet për:
a) transformimin e Forcave të Armatosura, modernizimin, dhe shndërrimin në një forcë profesioniste;
b) implementimin e Objektivave të Partneritetit me NATO-n;
c) bashkëpunim me Komandën e Bashkuar të NATO-s në Napoli, për menaxhimin e hapësirës ajrore dhe vazhdimin e menaxhimit të hapësirës detare;
d) përgatitjen e personelit për plotësimin e vendeve që do të ofrojë Aleanca në shtabet e saj dhe do të synohet një performancë cilësore e tyre pas anëtarësimit.
Desha të theksoj dhe të rikujtoj edhe njëherë se dokumenti që po prezantojmë sot është vetëm një draft. Ne jemi plotësisht të angazhuar ndaj parimit të partneritetit, të cilin Komiteti Evropian e përcakton si vijon në udhëzimet për vendet anëtare: ” Partneriteti është thelbësor në elaborimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit, dhe mbështetet në konsultimin dhe pjesëmarrjen e palëve të interesuara siç janë autoritetet përkatëse, partnerët socialë dhe ekonomikë si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile përfshirë këtu organizatat joqeveritare. Partneriteti shërben si bazë për transparencë në përgatitjen dhe zbatimin e programeve.”
Ne këtë këndvështrim, për ta bërë këtë dokument sa më gjithëpërfshirës deri tani, mbi 350 persona ose përfaqësues të institucioneve kanë marrë pjesë në Grupet Këshillimore, që kanë mbështetur çdo strategji sektoriale, duke përfshirë akademikë dhe profesionistë, organizatat jo qeveritare, përfaqësues të partnerëve socialë, punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe përfaqësues të qeverisjes lokale. Kjo tryezë e rrumbullakët është pjesë e një serie aktivitetesh konsultative që do të pasojnë në javët në vazhdim, të cilat do ti shërbejnë përmirësimit të mëtejshëm të këtij dokumenti mbarëkombëtar.
Së fundi doja ta mbyllja duke theksuar se, në gjykimin tim çdo dokument strategjik, kuadër ligjor, rregullator, direktivë apo orientim politikash, është aq i mire sa ç`është dëshira dhe angazhimi i spektrit politik apo më gjerë, për t`i zbatuar ato. Gjej rastin të rikonfirmoj edhe një herë angazhimin tërësor të kësaj Qeverie, dhe mund të them pa hezitim të të gjithë aktorëve të spektrit politik e social Shqiptar, për ta bërë integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian një realitet të afërt për shoqërinë Shqiptare, si një detyrim absolut ndaj vetvetes, brezave që kemi lënë pas, atyre që do të vijnë. Shpresoj që ky dokument t`i shërbej në maksimum këtij qëllimi e përpjekjeje të përbashkët
Ju faleminderit”