Kryeministri Berisha takon përfaqësues të Këshillit të Agrobiznesit shqiptar
Në takim u diskutua për politikat qeveritare në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë si dhe u trajtua edhe eficenca e instrumentave financare që u zbatuan vitin e shkuar në këtë sektor.
Të pranishmit vlerësuan si mjaft të dobishme dhe në një linjë me praktikën europiane dhe botërore, mbështetjen direkte për bujqësinë duke argumentuar domosdoshmërinë e vazhdimit të kësaj mbështetje edhe në vitin e ardhshëm.
Kryeministri vlerësoi që zhvillimet në bujqësi mbeten pozitive megjithë situatat e vështira klimaterike si dhe nënvizoi si prioritet themelor të qeverisë, rritjen e standardeve dhe të certifikimit si dhe fuqizimin e institucioneve që merren me zbatimin e tyre.
Po kështu qeveria ka dyfishuar grandin e mbështetjes për vitin e ardhshëm, por kryeministri kërkoi gjetjen e modaliteteve për diversifikimin e shërbimeve që maksimalizojnë efiçensën e përdorimit të kësaj mbështetjeje. Po kështu kryeministri theksoi që një prioritet themelor për të nxitur investimet në bujqësi mbetet zhvillimi i kreditit bujqësor, në të cilin edhe qeveria do të mund të kontribuonte për të ulur shkallën e riskut të investimeve në këtë sektor.